Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave, nga 1 janari 2024, shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë të lirë në Schengen

Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesi për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

Ai shtoi se ishte e padrejtë “dhe e paarsyeshme” zvarritja e procesit të vizave për Kosovën, pavarësisht se Prishtina kishte “punuar shumë dhe kishte plotësuar [kriteret] para shumë vjetësh”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Bislimi gjatë konferencës për media tha se nga janari nuk do të ketë “mijëra mundësi të humbura” për shtetasit e Kosovës. Ai tha se ky vendim ka të bëjë pikë së pari me qytetarët, por ka të bëjë edhe “me Kosovën më afër BE-së, por edhe për BE-në më afër Kosovës”.

Ai shtoi se autoritetet do të nisin fushatë vetëdijesuese lidhur me kufizimet që vijnë me liberalizimin e vizave.

Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL

Read Previous

‘Ishte konfliktuar me viktimën’, Pjerin Ndreu futet në vendngjarje në mënyrë të paligjshme

Read Next

PL i shkruan KQZ-së: Drejtuesi i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ është Sali Berisha