Nëna braktis vajzat në Suedi që të kërkonin azil, nis procedimi ndaj saj

Një 36-vjeçare është proceduar penalisht, pasi braktisi në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin azil në këtë shtet.

Policia Kufitare e Rinasit, në vijim të punës për parandalimin e azilkërkimit dhe braktisjen e fëmijëve apo familjarëve të mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin, ka intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar dhe intervistimet për arsyen dhe qëllimin e udhëtimit jashtë vendit apo të atyre që kthehen në Shqipëri, duke braktisur fëmijët apo familjarët e mitur, me qëllim kërkimin e azilit.

“Si rezultat, është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Ç., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase ka braktisur në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin dhe të përfitonin azil, në këtë shtet,” njoftoi policia.

Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, 2 shtetaset e mitura janë kthyer në Shqipëri.

Read Previous

Tetë persona të vrarë në një sallë të Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani

Read Next

Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i anijeve në Vlorë