Ndihma ekonomike mbulon vetëm 20% të të varfërve në Shqipëri, ndër më të ulëtat në Europë

Shqipëria ka gati një të katërtën e vendit që jeton në varfëri, por njëkohësisht ka mbulim shumë të dobët me asistence sociale të kësaj shtesë.

Të dhëna krahasuese të Bankës Botërore tregojnë se, pagesa e asistencës sociale në Shqipëri mbulon vetëm 20 për qind të popullsisë që jeton në varfëri.

Ndër 25 vende të Europës dhe Azisë Qendrorë që u morën në krahasim Shqipëria bashkë me Bjellorusinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe Taxhikistanin kishin mbulimin me dobët të shtresës së varfër me asistencë socialë, një zë buxhetor që mbështet familjet në pamundësi ekonomike.

Krahasimi i mbulimit te të varfërve me ndihmë ekonomike është bërë për periudhën e parapandemisë, por inflacioni i lartë dhe indeksimet e ulëta të pensioneve mund ta kenë përkeqësuar më tej këtë tregues, thekson BB.

Ngjarjet pas pandemisë dhe lufta në Ukrainë i kanë përkeqësuar më tej të ardhurat e pensionistëve dhe të varfërve shumica e tyre jetojnë në varfëri për shkak të pagesave të ulëta.

Të gjashtë vendet shpenzojnë mesatarisht vetëm 0.3 për qind të PBB-së për të mbështetur direkt shtresat e varfra.

Kriteret për të përfituar ndihmë ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor lidhen kryesisht me masa kategorike, të tilla si prania e fëmijëve në familje, statusi i varësisë (njerëz me aftësi të kufizuara, jetimë, kujdestarë, pa punë), por jo për statusin aktual të mirëqenies (siç janë të ardhurat dhe pasuria).

Rezultati i këtij targetimi kategorik ka prodhuar financime të ulëta për ndihmën sociale në të gjithë Ballkanin Perëndimor sesa në pjesën tjetër të vendeve në zhvillim të Evropës dhe Azisë Qendrore, duke i lënë njerëzit e varfër të prekshëm ndaj goditjeve.

Ribalancimi i shpenzimeve sociale e orientuar nga niveli i varfërisë dhe shërbimet e lidhura me politikat e punësimit janë kritike për të reduktuar në mënyrë efektive varfërinë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Banka Botërore mori Maqedoninë e Veriut si një shembull të mirë në Rajon. Vendi i është nënshtruar një reforme gjithëpërfshirëse të sistemit të saj të mbrojtjes sociale. Në themel të reformës është shpërndarja e përfitimeve nisur nga kriteret mbi të ardhurat.

Goditjet e mëdha të viteve të fundit kanë nxjerrë në pah rëndësinë e madhe që kanë sistemet e mbrojtjes sociale për të frenuar përhapjen e varfërisë.

Edhe pse të gjashtë vendet shpenzojnë ndërmjet 8 dhe 13 për qind të PBB-së për mbrojtjen sociale mbi 70 për qind e kësaj shkon për pensionet, krahasuar me vendet e OECD-së, ku shpenzimet mesatare të mbrojtjes sociale për pensionet janë 40 për qind./Monitor

Read Previous

Miliona lekë të shqiptarëve ndahen pa garë/ APP: 25% e tenderave vetëm me 1 ofertë

Read Next

Boçi: Koha për të zgjidhur problematikat në Elbasan