“Nanon e ndihmova të dilte nga burgu, ai kërkoi arrestimin tim”/ Nikoll Lesi tregon përplasjet me Fatos Nanon

Botuesi Nikoll Lesi ka dhënë një intervistë për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.

Lesi foli për gazetën “Koha Jonë”, ngjarjet që e shënjaun politikën dhe median shqiptare në vitet 90′, por u ndal edhe te personazhe me të cilët ka patur përplasje.

Një prej tyre, ish kryeministri Fatos Nano, të cilin sot Lesi e konsideron “mosmirënjohës”, sepse thotë se bashkë me gazetën e ndihmuan të dalë nga burgu, por më pas Nano kërkoi arrestimin e tij.

“Filloi përplasja me Fatos Nanon. Kur ai ishte kryetar i PS, i burgosur padrejtësisht, “Koha Jonë” e kishte si një lloj simboli, sepse kishte të drejtë. Ne e ndihmuam për të dalë nga burgu.

Pastaj me Nanon, kur erdhi në shtator 1997, pasi u dogj gazeta “Koha Jonë”, për 42 ditë nuk doli gazeta. Unë ngela me gjithë stafin për të paguar. Hyra në borxhe dhe i pagova. Një pjesë ikën te Nano, Vladimir Prela, Ben Blushi, etj.

Në këtë moment i shkova Fatos Nanos, te hotel Rogner, i vajta me një lloj idealizimi të kohës, nuk e dija akoma kush ishte Nano i vërtetë… Nano i mori gjithë njerëzit e mi, ju ofroi punë. Unë i thashë, gazeta është djegur dhe derisa e ka djegur shteti dhe ka dokumenta, duhet të paguani dëmshpërblim, që të laj edhe borxhet, të filloj prapë punën.

Ai më tha, tako Kristinën… E kishte për sekretaren e vet! Kur dal jashtë më thotë mua, Lad Prela, më thotë Nikoll ka tallur menderen Nano. Më hipën nervat, shkova në parlament, iu lëshova me të gjitha bateritë. Pas kësaj, filloi kontrollet te “Koha Jonë”.

Unë nuk e ndihmova as për të më dhënë para dhe as për pushtet.

Në 2003 erdhi kryeministër dhe “Koha Jonë” filloi disa dokumente për Albakopter, një kompani e bashkëshortes dhe fillova kritikat në gazetë dhe parlament.

Në fakt, materialet sekrete, që ta marrë vesh ai për herë të parë, mi jepnin nga doganat dhe tatimet njerëzit e Nanos. Njerëz që nuk e donin si kryeministër.

Ai kërkoi imunitetin tim në parlament për shpifje dhe për tu arrestuar. Fatos Nano, njeriu që e ndihmova për të dalë nga burgu, që e nxorrëm nga burgu bashkë me gjithë gazetarët, kërkoi arrestimin tim. Aty pastaj kam bërë spektakël të paparë, e munda 72 vota me votim të fshehtë, për heqjen e imunitetit”, tha Lesi.

Read Previous

BE mbështetje tjetër 500 milionë euro për Ukrainën

Read Next

Nga Flamur Noka: Shqipëria e Sorosit dhe e Ramës është e një rendi skllavopronar