Na e fikën llampën

Nga Eugen Beci

Gjithkush që përdor një kompjuter për çfarëdo lloj arsye, ruan si sytë e ballit gjithçka ka shkruar e punuar aty. Edhe 10 dokumenta të kesh hedhur apo 5 foto të kesh shkrepur.. nga ankthi se ato mund mos i gjesh më në kompjuter për njëmijë e një arsye i hedh të gjitha në një USB dhe e bën gjumin më të qetë.

Pa ankthin se një kolpo dritash apo një bllokim kompjuteri mund të ti “ vjedh” dokumentat apo kujtimet e tua. Individi pra plot zgjuarsi e me shumë prakticitet e krijon të sigurt Back up-in e tij. Po shteti? Ai që mori përsipër dhe shitësin e misrave të pjekur ta fiskalizoj me fatura elektronike?

Që të besosh çdo detaj të jetës së një populli në “prizën” e një serveri duhet të kesh siguri e garanci super të forta. Në vazhdën e amullisë së krijuar, për shkak të pamundësisë për të përdorur shërbimet e ofruara nga platforma e-albania, duke cituar mbi të gjitha, deklaratën e një institucioni zyrtar si AKSHI që garanton sigurinë e të dhënave të qytetarëve shqiptar, atëherë:
-Back Up-i i supozuar prej AKSHI-t pse nuk funksionon?
Normalisht kur punojmë mbi një dokument në kompjuterat tanë personal, sigurohemi që, përpos kompjuterit ku po punojmë, ta ruajmë dokumentin edhe në mënyra të tjera siç janë USB/Hard Disk të jashtëm madje duke shkuar edhe më tej tek platformat online si DropBox, ICloud etj.

Përderisa një përdorues i thjeshtë ndërmerr këto hapa për të siguruar të dhënat e tij, pritshmëritë e secilit prej nesh janë që parimisht kjo procedurë të ndiqet dhe nga specialistët që kanë në dorë të dhënat e të gjithë shqiptarëve.

Përderisa e-albania është e paaksesueshme prej disa ditësh, për këtë çështje duket se ka dy mundësi:

1- Back Up-i nuk egziston, gjë që të shtyn të mendosh që është lënë në mënyrë të qëllimshme dhe me urdhër të prerë sepse çdokush që është pjesë e botës së informatikës e di mjaft mirë që puna nuk kryhet pa një Back Up

2- Back Up-i egziston por nuk është i përditësuar, kjo vjen si pasojë e një neglizhence në rastin më të mirë, për të mos thënë paaftësie, nga ana e strukturave përgjegjëse për menaxhimit e platformës dhe të AKSHI-t si institucioni që ka për detyrë të kryejë kontrolle të vazhdueshme për të siguruar kryerjen e çdo veprimi në platformë konform standarteve dhe çertifikimeve, në mënyrë që të dhënat të jenë të sigurta.

Nëse Back Up-i i e-albania do të ishte korrekt, platforma do të ishte online për çështje minutash ne rastin më të keq orësh.- të paktën kështu mendojnë ekspertët e kësaj fushe.

Dhe sigurisht që pas kësaj situate e cila duhet vlerësuar dhe si një përvojë për të nxjerrë mësime lind si domosdoshmëri që organet ligjzbatuese të marrin masa emergjente për:

• Shtimin e kapaciteteve të strukturave të hetimit kibernetik në Policinë e Shtetit. Kjo masë të vazhdoj zinxhir dhe në përforcimin e kapacitetetev hetimore në Prokuroritë e të gjitha niveleve.

• Paisja me mjetet e nevojshme dhe mbështetje institucionale e financiare e strukturave të hetimit kibernetik në të gjitha nivelet.

• Rishikimi i Kodit  Penal  dhe Kodit të Proçedurës Penale  në lidhje me këto vepra, dhe përcaktimin e proçedurave specifike për mënyrën e dokumentimit dhe hetimit të tyre.

• Rishikimi i ligjeve që prekin këto fusha, duke harmonizuar përvojën, dështimet por dhe risitë e teknologjisë.

• Rritja e ndërgjegjësimit institucional. Krimi kibernetik po merr një vëmëndje të vëçantë kohët e fundit pasi shihet si një nga dyert e hapura të  krimit të organizuar dhe terrorizmit.

• Gjetja e formave dhe mënyrave të shpërblimimit për strukturat e hetimit kibernetik dhe rritjen e aftësive të tyre profesionale, për t’iu përgjigjur vrullit të rritjes së shpejtë të teknologjisë.

Të gjitha këto do na shërbejnë që nesër mos na “fiken llampat” nga një pirat shqip folës apo gjuhëhuaj folës.

Read Previous

Inflacioni në BE kërcen në 9.6% në qershor, si pritet të transmetohet në Shqipëri

Read Next

Flutura Açka, quan opozitën çetë