Na duhet një president “hundëlesh”!

 Gazeta Kumtari 

Nga Artan Fuga

Së shpejti, brenda disa muajsh do të zgjidhet presidenti i ri i Shqipërisë.

Gjithçka po bëhet që procesi i zgjedhjes të degjenerojë në një emërim, që të duket se nuk kishte rrugë tjetër. Disa tipa kujtojnë se zgjedhja e presidentit bëhet nga populli dhe shfaqen si kandidatura jashtë Kuvendit. Qesharake! Kurse zgjedhja bëhet nga Kuvendi me aq vota sa socialistët i kanë.

Opozita, e re, e vjetër, e vërtetë apo e pavërtetë, e bazës, apo e deputetëve burokratë, e ka braktisur çështjen sikurse braktisi mandatet, zgjedhjet lokale, dhe tani gjoja nuk do të përlyhet me presidentin.

Përsëri bojkot i proceseve. Në fakt opozita e burokracisë partiake e ka bërë edhe më bozë, sepse deklaron se dashka një president me profil politik!!! Tamam aq dhe si e do edhe qeveria.

Lëre po dëgjojmë që opozitarët po thonë, se presidenti nuk ka pushtet, kot është, ceremonial. Pra nuk ja vlen angazhimi!

E kanë shitur këtë çështje, ose nuk kanë këllqe ta përballojnë, ose të zhytur në poste dhe zgjedhje brenda partisë, kanë harruar se ekziston Shqipëria.

Duket sikur Presidenti është i dobët! Në fakt kështu është ekzekutuar roli dhe statusi i presidentit prej dekadash. Por, kushtetuta sado e ka cunguar kompetencën e tij, përsëri duhet të dalë një “hundëlesh” që ta trajtojë dhe interpretojë Kushtetutën ndryshe, si duhet, dhe jo në mënyrë timide duke ja lënë të gjitha pushtetet kryeministrit.

Si?

Po ja, presidenti si shtetari më i lartë dhe përfaqësuesi i unitetit të kombit, nuk ka përse rri prapa dere kur mbahen mbledhje ndërkombërtare ku vendosen fatet e vendit. Si është e mundur që e mbajnë zbritur nga avioni kur ai duhet të jetë atje për të marrë vendime dhe angazhiume ndërkombëtare! E ka braktisur kot politikën e jashtme! Përse të rrijë prapa derës???

Përderisa është përfaqësuesi më i lartë i interesave kombëtare është ai që duhet të jetë “hundëleshi” pra që të ketë dorë në integrimet evropiane. Ministri i jashtëm duhet t’i raportojë fort edhe atij.

Palé është komandant i forcave të armatosura. Të gjitha operacionet ku Shqipëria integrohet në NATO nuk ka sesi mos i ketë nën kontroll! Është ai që kryeson palën shqiptare në negociata për të shlyer detyrimet tona ushtarake me Naton.

Ai emëron kryeministrin dhe qeverinë. Nëse zgjedhjet nuk janë të lira, të barabarta, të fshehta, ai nuk ka përse i çertifikon ato. Pra ka mundësi të ketë nën survejim edhe proceset elektorale. Kryeministri duhet të mendohet mirë kur shkon për ta mandatuar dhe emëruar qeverinë.

Ministrat pa u bindur se vlejnë i kthen pas po të dojë. Pra, kërkon të propozohen duke marrë pëlqimin e tij paraprak. Pse pak pushtet është për presidentin nëse dëshëron ta ushtrojë?

Pale edhe antarë të gjykatës së Lartë apo asaj Kushtetuese ka të drejtë të emërojë. Pra mund ta shëndrojë këtë pushtet që atje ku luhen fatet e drejtësisë shqiptare, të ndikojë, madje fort.

Mund të iniciojë indirekt referendume duke bërë aleanca për këtë me deputetë të ndryshëm dhe duke i nxitur ata ta çojnë vendimarrjen në popull.

E tjera pushtete që nuk do të duhej të ishin braktisur e lënë kështu pas dore!

Opozita në vend të kërkojë që kandidaturat për president të dalin në seancë të Kuvendit dhe të shpalosin idetë dhe projektet e tyre për kompetencat e ushtrimit të detyrës të Presidentit, fle, fle, fle!

Dëgjohen edhe zara të administratës në komisione,, kurse kandidatura për president nuk ftohen për dëgjim! Kandidaturat duhet të dëgjohen të gjitha, pastaj votimi!

Ne kemi një president që mund të jetë i fortë dhe të mos i anashkalojë pushtetet e tij, por t’i kërkojë dhe t’i marrë sipas Kushtetutës!

Na duhet një president “hundëlesh”!

Ky do të ishte një president normal!

Nëse presidenti i ardhshëm nuk do të kërkojë t’i marrë këto kompetenca dhe të tjera që Kushtetuta nuk ja ndalon, por do t’i falë në tavolinë, sigurisht është kryeministri që do t’i rrëmbejë të gjitha pushtetet dhe as do të pyesë se kush fle në Pallatin e Brigadave, në kafazin prej floriri!

©kumtari.al

Read Previous

Cili është qyteti më i mirë në botë sipas “The Telegraph”

Read Next

Çmimet e larta frenojnë tregtinë, importet në sasi nisën uljen