Mungesa e punëtorëve fut Kosovën në krizë

 

Orar i stërzgjatur i punës, mohim i pushimit vjetor, punë pa kontratë, pagë e ulët e me vonesa – janë ankesat që, ndër vite, kanë shprehur punëtorë të sektorit privat në Kosovë.

Shumë prej tyre janë raportuar shpesh edhe në Inspektoratin e Punës, por nga Sindikata e punonjësve të sektorit privat thonë se ato kanë kaluar pa u përfillur.

Kryetari Jusuf Azemi thotë se, për pasojë, Kosova ka arritur në një gjendje të vështirë ekonomike: me biznese që ankohen se nuk gjejnë punëtorë dhe me të papunë që s’duan të punojnë.

“Punëtorë e të rinj të shumtë në Kosovë po ikin jashtë vendit… Nuk duan të jetojnë më me shpresën se do të bëhet mirë. Nuk duan të punojnë në kushte jo të mira të punës e me paga të ulëta”, thotë Azemi.

Nga sektori publik nuk raportohen probleme me mosrespektimin e Ligjit të Punës, e as me mungesë punëtorësh.

Bujqësia, gastronomia, ndërtimtaria dhe tregtia raportojnë më së shumti vështirësi në gjetjen e punëtorëve.

Mbi 750 mijë qytetarë – ekonomikisht joaktivë

Sipas Agjencisë së Statistikave (ASK), papunësia në Kosovë është mbi 25 për qind.

Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se nga mbi një milion qytetarë në moshë pune në Kosovë, mbi 350 mijë janë të punësuar, ndërsa mbi 120 mijë janë të papunë.

Sipas ASK-së, rreth 750 mijë qytetarë janë ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.

"Duam punë dhe paga të dinjitetshme" - slogan i një proteste të punëtorëve në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Si ndikon mungesa e punëtorëve në ekonomi?

Mungesa e punëtorëve do të bëhet një nga pengesat kryesore të rritjes ekonomike në Kosovë, thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka.

“Trendi pozitiv i rritjes ekonomike që kemi parë gjatë disa viteve – përjashto vitin 2020 [pandemia COVID-19] – nuk do të arrihet dhe kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore”, thotë Zeka.

Për të zbutur problemin, ai thotë se duhet të bëhen përpjekje nga të gjithë – duke filluar nga institucionet deri te punëdhënësit, të cilët duhet të shqyrtojnë, para së gjithash, nivelin e pagave.

Zeka thotë se mosadresimi i kësaj problematike nga Qeveria e Kosovës, është shqetësues.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa herë kabinetin e kryeministrit të Kosovës në lidhje me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Kalludra: Ka punëtorë, nuk ka kushte

Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza, pranë Agjencisë së Punësimit, thotë se punëtorë ka – mbi 60 mijë punëkërkues janë të regjistruar, thotë ai.

“Kur numri i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të bjerë në 10 mijë, atëherë mund të themi se punëdhënësit kanë të drejtë”, thotë Kalludra.

Një fermer në Mamushë. Foto nga arkivi.

Sipas tij, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës kanë bërë që punëdhënësit të ballafaqohen me mungesa punëtorësh.

Pagë 180 euro

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me një punonjës në Kosovë – bartës i një familjeje 6-anëtarëshe – që thotë se paguhet 180 euro në muaj.

J.D. – emri i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë – thotë se punon në një kompani private pastrimi.

“Këtu ku punoj, orari i punës respektohet, edhe ditët e pushimit, edhe kemi kontrata, por paga është e ulët. Në këtë kompani punoj qe 10 vjet. Në fillim, pagën e kam pasur 130 euro, tani e kam 180 euro”, thotë ai.

Me shumë të ngjashme në Kosovë, sipas një studimi të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, paguhen rreth 105 mijë punonjës.

Ata kryesisht punojnë në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në industrinë përpunuese, në gastronomi, në aktivitetet financiare dhe të sigurimit, në ndërtimtari etj.

Kuvendi i Kosovës, më 14 qershor, ka votuar në parim një projektligj, që hap rrugë për rritjen e pagës minimale: nga 130-170 euro sa është aktualisht, në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi

Sindikatat e punëtorëve janë ankuar edhe për këtë rritje që pritet, duke thënë se nuk u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

Kosova, si shumë vende të botës, po përballet me rritje të inflacionit, që ka nisur me pandeminë COVID-19 dhe ka marrë hov pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në muajin maj është rritur për 12.5 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar./REL

Read Previous

Majlinda Bregu: 60% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor duan integrimin në BE

Read Next

Nuk na erdhi një amerikan t’na rekrutojë!