Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit/ Zbulimi i hershëm shpëton jetë!

Muaji tetor ështe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një fushatë edukuese se si vetë gratë të kontribuojnë për shëndetin e gjirit dhe zbulimin e hershëm të kancerit. Sipas statistikave 1 në 8 gra diagnostifikohet me kancer gjiri gjatë jetës së saj.

Për shkak të kaosit të krijuar nga pandemia, viti që lam pas ka qenë një sfidë për parandalimin e kancerit të gjirit, ka pas një ulje te numrit të kontrolleve dhe parandalimit të hershëm.

Ndërgjegjësimi dhe parandalimi realizohen përmes dhënies së informacionit. Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë kanë informacion të pakët se çfarë është kanceri i gjirit, a ka diçka që e shkakton, cilat janë simptomat dhe më e rëndësishmja, si të vetë-ekzaminohen. Në asnjë moment nuk duhet hezituar apo patur frikë për t’u informuar rreth kësaj çështje kaq jetike. Zbulimi i hershëm shpëton jetë!

Për këtë arsye kemi menduar të sjellim një informacion të përmbledhur dhe të thjeshtëzuar rreth këtyre temave.

Çfarë është Kanceri i Gjirit?

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë. Ai mund të gjëndet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet te gratë në moshën mbi 50 vjeç. Kanceri është një term i gjerë për një grup sëmundjesh që karakterizohen nga qeliza jonormale  që rriten dhe pushtojnë qelizat e shëndetshme në trup. Kanceri i gjirit fillon në qelizat e gjirit si një grup qelizash kanceroze që më pas mund të pushtojnë indet përreth ose të përhapen (metastazohen) në zona të tjera të trupit.

Çfarë e shkakton zhvillimin e kancerit të gjirit?

Kanceri fillon në qelizat që janë blloqet themelore ndërtuese që përbëjnë indet. Indet gjenden në gji dhe pjesë të tjera të trupit. Ndonjëhere, procesi i rritjes së qelizave shkon keq dhe qelizat e reja formohen kur trupi nuk ka nevojë për to dhe qelizat e vjetra ose të dëmtuara nuk vdesin ashtu siç duhet. Kur kjo ndodh, ndërtimi i qelizave shpesh formon një masë indesh të quajtur gungë, rritje ose tumor. Kanceri i gjirit ndodh kur tumoret malinje zhvillohen në gji. Këto qeliza mund të përhapen duke u shkëputur nga tumori origjinal dhe duke hyrë në enët e gjakut ose enët limfatike, të cilat degëzohen në inde në të gjithë trupin. Kur qelizat e kancerit udhëtojnë në pjesë të tjera të trupit dhe fillojnë të dëmtojnë indet dhe organet e tjera, procesi quhet metastazë.

Shkaqet e kancerit të gjirit.

Askush nuk i di shkaqet ekzakte të kancerit të gjirit.  Mjekët rrallë mund të dinë se përse një grua zhvillon kancer gjiri dhe një tjetër jo. Ajo që dihet është se kanceri i gjirit shkaktohet nga dëmtimi i ADN-së së një qelize.

Disa faktorë rreziku për kancer të gjirit:

Mosha mbi 50 vjeç;
• Pasja e një kanceri gjiri më pare;
• Histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën) të diagnostikuara përpara menopauses;
• Ndryshimet gjenetike prezente me genet BRCA1 ose BRCA2;
• Histori familjare me kancer të ovarit ;
• Femrat që nuk kanë lindur fëmijë ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më tëmadhe se 30 vjeç;
• Menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç;
• Menopauzë pas moshës 50 vjeç;
• Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një  kohë të gjatë, më shumë se 5 vite;
• Densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogram);
• Një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave  jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike);
• Trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare, p.sh., trajtimi i limfomave Hodgkin;
• Mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë;
• Përdorimi i alkoolit;
• Duhanpirja;
• Marrja e kontraceptivëve nga goja  e pakontrolluar nga mjeku;
• Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore;
• Moskryerja e aktivitetit fizik.

KUJDES! Rreth 70% e rasteve të Kancerit të Gjirit ndodh tek gra, të cilat nuk kanë faktorë që rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri!

Kanceri i gjirit te burrat.

Në pjesën dominuese, dëgjohet të flitet vetëm për kancerin e gjirit te gratë. Por, ajo që duhet të dimë është se të gjithë njerëzit, qofshin burra ose gra, kanë lindur me disa qeliza dhe inde të gjirit. Edhe pse meshkujt nuk zhvillojnë gjinj që prodhojnë qumësht, qelizat dhe indet e gjirit të një burri mund të zhvillojnë kancer. Kanceri i gjirit te burrat është shumë i rrallë. Tek burrat zhvillohen më pak se një përqind e të gjitha rasteve të kancerit të gjirit, vetëm një në një mijë burra diagnostifikohet me kancer të gjirit.

Zbulimi i hershëm.

Sipas Shoqërisë Amerikane të Kancer[t, kur kanceri i gjirit zbulohet herët dhe është në fazën e lokalizuar, shkalla relative e mbijetesës 5-vjeçare është 99%. Zbulimi i hershëm përfshin bërjen e vetë-ekzaminimeve mujore të gjirit dhe caktimin e rregullt të ekzaminimeve klinike të gjirit dhe mamografive.

Simptomat e kancerit të gjirit.

Çdo njeri duhet të dijë simptomat dhe shenjat e kancerit të gjirit, dhe kur zbulohet një anomali të ekzaminohet nga specialistët. Duke kryer vetë-ekzaminime mujore të gjirit, do të jeni në gjendje të identifikoni më lehtë çdo ndryshim në gjoksin tuaj.

Disa nga këto ndryshime mund të jenë:

Ndjeshmëri e lartë te thithat e gjoksit, një gungë ose trashje, në ose pranë zonës së gjirit, ose nën sqetull.

Një ndryshim në strukturën e lëkurës ose një zmadhim i poreve nën lëkurn e gjirit (disa e quajnë këtë të ngjashme me strukturën e lëvozhgëz së portokallit).

E rëndësishme të theksohet se kur vihen re këto shenja, jo të gjitha janë kancerogjene, por duhet të drejtohemi menjëhere pranë një specialisti për ekzaminime më të hollësishme.

Edhe nëse nuk vihet re asnjë nga këto shenja, e rëndësishme është të bëhen kontrolle të rregullta te specialistët përmes konsultave ose mamografive.

Tetori rozë në vendin tonë

Edhe në vendin tonë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka çelur fushatën kundër kancerit të gjirit, duke njoftuar kryerjen e mamografive falas në cdo spital rajonal të vendit.

“Ne gratë duke u kujdesur për familje, duke përmbushur detyrimet në punë, edhe me angazhimet e tjera familjare e shoqërore shpesh herë harrojmë një gjë shumë të rëndësishme; kujdesin për shëndetin tonë. Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, për familjen, për prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në rdhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos tek gratë. Ndaj në këtë tetor rozë do t’i lutesha çdo gruaje të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë”, thekson Manastirliu në mesazhin e saj.

*Informacioni i marre nga “National Breast Cancer Foundation”

Përgatiti /kumtari.al/

 



 

Read Previous

Durrsakët thonë se ka mbushur trastat dhe ia la Durrësin Dakos

Read Next

Grupi Parlamentar nga i cili Basha përjashtoi Berishën, duket se dita-ditës po mpaket