Ministria e Bujqësisë: Siguria ushqimore në rrezik, AKU vonon analizat dhe nuk zbaton ligjet

Në një strategji të re për “Mbrojtjen e Bimëve” që synon të zbatohet gjatë 2022-2032, Ministria e Bujqësisë konstaton se situata e monitorimit të mbipërdorimit të pesticideve gjatë rritjes së bimëve është jashtë kontrollit.

Sipas analizës së Ministrisë së Bujqësisë shkak për këtë situatë është bërë mos kthimi në kohë i përgjigjeve së analizave nga ISUV për mostrat në bimë dhe produkte bimore/fruta -perime të marra dhe dërguara nga AKU për praninë e pesticideve mbi normat e lejuara.

Dokumenti i Ministrisë së Bujqësisë vë në dukje se, ndër vite, bazuar në planin e monitorimit të mbetjeve të pesticideve, AKU ka marrë mostra të bimëve apo produkteve bimore (të prodhuara në vend dhe të importuara) në treg, pika grumbullimi, njësi tregtare dhe supermarkete në të gjithë vendin.

Rezultatet e testeve të mostrave të marra në bazë të planit të monitorimit apo mostrave të produkteve bimore të destinuara për eksport, kanë treguar se në bimë dhe produkte të ndryshme bimore, ka pasur raste kur përmbajtja e mbetjeve të pesticideve ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar (normat e lejuara).

Prania e mbetjeve të pesticideve është konstatuar kryesisht në mostrat e domateve, spinaqit, marules jeshile, patateve, trangujve, specave, karotave, pjeshkës, nektarinave, mollëve, luleshtrydheve dhe pjeprit. Në ngarkesat e eksportuara janë gjetur në speca, domate, nektarina, luleshtrydhe dhe mollë.

“Vonesa në marrjen e përgjigjeve të analizave ose mos-marrja e përgjigjet e analizave nga laboratori ISUV mbetet shqetësuese, pasi zvogëlon efektivitetin e marrjes së masave të duhura në garantimin e sigurisë ushqimore për të ndjekur gjurmimin nga njësia tregtare ose vendi i grumbullimit, te fermeri prodhues”, analizon Ministria e Bujqësisë.

Në vitet 2017-2020, AKU ka kryer 4 602 inspektime në operatorët e biznesit që ushtrojnë aktivitetin e “Importit, tregtisë me shumicë dhe/ose pakicë të PMB-ve”. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera, në operatorët e biznesit ku gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të kërkesave ligjore janë marrë masa administrative përkatëse në përputhje legjislacionit në fuqi (Paralajmërime, Gjoba, Ndërprerje aktiviteti, Bllokim produkti për mbrojtjen e bimëve/PMB).

Nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në periudhën 2017-2020 janë planifikuar 147 mostra dhe janë marrë 85 mostra dhe janë dërguar për testim në laboratorin e ISUV. Nga mostrat e dërguara për analizimin në vitet 2018-2020, duke iu referuar përgjigjeve të analizave të dërguara nga ISUV, 30 mostra janë konform, dhe 5 mostra nuk janë konform.

Nga 35 mostra zyrtare të dërguara nga AKU në korrik 2020 në laboratorin ISUV, deri në nëntor 2021 janë analizuar vetëm 31 mostra dhe rezultatet janë dërguar në AKU. Nga 31 mostra, 5 mostra ishin jo konform dhe rezultatet e analizave të tyre varionin nga 6-7 muaj deri në një vit vonesë. Referuar ndjekjes së gjurmueshmërisë është konstatuar se PMB-të jo konform në fjalë, nuk u gjendën gjendje në ambientet e subjektit të kontrolluar, por ishin tregtuar tek përdoruesi i fundit.

Bazuar në raport, analizat e laboratorit të ISUV kanë rezultuar me lëndë aktive jashtë normave të përcaktuara në certifikatat e cilësisë që shoqërojnë PMB-të, si produktet për mbrojtjen e bimëve që përmbajnë lëndë vepruese me emrin: “dimethoate 40 %” (2 mostra). “abamectin”, “chlorpyrifos” dhe “hydroxide bakri 37.5%”.

“Mos kryerja e analizave ISUV, bazuar në shkresat dërguar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me Nr. 625 prot., datë 05.07.2017 dhe Nr. 458/1 Prot., datë 19.06.2018, dhe me lëndë “Mbi analizimin e mostrave të PMB-ve, bëri të mundur mos realizimin nga AKU e kontrollit të cilësisë treg të parashikuara në planin vjetor të marrjes së mostrave me bazë risku, për vitet 2017, 2018 dhe 2019” vë në dukje Ministria e Bujqësisë. Ministria e Bujqësisë vlerëson se, raportimi me vonesë i rezultateve të testimit nga laboratori ISUV, bie ndesh me VKM nr. 532, datë 11.9.2018 “Për miratimin e rregullave të tregtisë, transportit, magazinimit dhe ruajtjes së produkteve për mbrojtjen e bimëve./monitor

Read Previous

Lulzim Basha ndjekës i ‘flaktë’ i shkrimeve të Mero Bazes

Read Next

Meta njofton protestën e parë të thirrur nga PL