Ministria e Bujqësisë për kërkesat e fermerëve, Krifca: Adresohen në buxhetin 2022 me masa mbështetëse direkte

Vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e inputeve bujqësore nga zero që është prej vitit 2019 dhe heqja e TVSH-së 6% të kreditueshme të propozuara me paketën fiskale janë kundërshtuar nga Shoqata e Eksportuesve të Fruta-Perimeve, Sindikata e Fermerëve dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), pasi këto masa do të rrisin koston e prodhimit dhe informalitetin te fermerët. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në lidhje me shqetësimet e fermerëve për paketën fiskale deklaroi pas mbledhjes të qeverisë se ato adresohen në buxhetin e shtetit nëpërmjet masave mbështetëse direkte.

“Jemi në dialog të vazhdueshëm që para protestës të zhvilluar. Kamë qenë në Lushnjë, jam takuar me drejtues të pikave të grumbullimit, eskportues dhe fermerë. Dialogu nuk ka munguar asnjëherë. Fermerët kanë disa pretendime për paketën fiskale që janë të adresuara mjaft mirë në buxhetin e vitit 2022 që vijnë si masa mbështetëse direkte për fermerët, për agropërpunuesit, rritjen e produktivitetit të bujqësisë për të pasur më shumë eksporte dhe mirëqenie ekonomike. Jemi në dialog të vazhdueshëm me fermerët. Nuk jemi në kahe të kundërta të barrikadës, por jemi të dyja palët në një kah”.

Nga vendosja e TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të parët që do të penalizohen do të jenë fermerët, pasi do të kenë shtim të kostove. Në protestën e zhvilluar disa ditë më parë fermerët e Lushnjës dhe shoqatat e biznesit kërkuan të mos miratohen këto ndryshime dhe që skema e TVSH-së të barazohet si në blerje dhe shitje. Fermerët kërkuan që të ndryshojë edhe skema e subvencionimit, duke kaluar në subvencione direkte nëpërmjet faturës tatimore me fond 70 mln euro.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha se në qeveri u miratua projektvendimi për shtyrjen e afatit të zbatimit të programit të zhvillimit rural në bashkëpunim me qeverinë gjermane në një fond prej 5,7 mln euro. Mbështetja do të ofrohet në dy komponentë. Në një fond prej 3 milionë euro synohet rritja e konkurrueshmërisë të fermerëve shqiptarë dhe pjesa tjetër do të jetë financime nëpërmjet granteve për bizneset e vogla bujqësore të prekura nga pandemia e covid-19. Mbështetja nis që në fund të këtij viti për t’u shtrirë në të gjithë vitin 2022./Monitor.al

Read Previous

Nuk mund të jesh kurrë vonë për një ngushëllim

Read Next

“Bregdeti ynë”/ BIRN: Lufta e humbur e Edi Ramës me ndërtimet e paligjshme