Mickovski: Negociatat do t’i hapen vetëm Shqipërisë, Maqedonisë jo

Opozita në Maqedoni të Veriut vijon të kundërshtojë propozimin francez për negociatat me Bashkimin Europian.

VMRO-DPMNE njoftoi se në shtator do të nisë grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme për organizimin e një referendumi mbi përbërjen e kornizës negociuese dhe përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutë.

Lideri i opozitës, Hristijan Mickovski, akuzon qeverinë se pranoi një kompromis tepër të dëmshëm për Maqedoninë e Veriut. Madje pretendon se me propozimin francez është hapur dera e anëtarësimit në BE vetëm për Shqipërinë dhe është mbyllur përgjithmonë për Shkupin.

“Ai protokoll hapi derën e negociatave për Shqipërinë, por e mbylli për Maqedoninë. Siç tha Gençovska, Konferenca e ndërqeveritare nuk do të mbahet tani, por me ndryshim të Kushtetutës. Dhe kjo nuk do të ndodhë, këtë e garanton VMRO-DPMNE, sepse nuk ekziston shumica prej 2/3 në Parlament. Gençovska dha një shembull se nuk e njeh gjuhën maqedonase, a do të përgjigjemi dhe ne se nuk e njohim gjuhën bullgare? Gençovska kërkon që bullgarët të jenë në Kushtetutë dhe kërkon që ne të heqim dorë nga maqedonasit në Bullgari. A është reciprocitet? Mund të jap shembuj të tjerë. Por në thelb po flasim për një nokaut diplomatik për Maqedoninë. Ka një të ardhme europiane për qytetarët e Shqipërisë, jo për qytetarët e Maqedonisë”, tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Read Previous

Prokurori i Antimafias Italiane: Mafia shqiptare është fuqizuar sepse shteti është i korruptuar

Read Next

Tomor Alizoti firmëtari i parë brenda parlamentit për të mbështetur kandidimin e Altin Goxhajt për Avokat Populli