Meta publikon pjesë nga padia ndaj Autoritetit të Dosjeve

Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë, ka bërë publike sot, të gjithë padinë që ka ngritur kundër Autoritetit të Dosjeve lidhur me shkeljet e qëllimshme të ligjit nga ky institucion në shërbim të kryeministrit Edi Rama për të njollosur dhe nëpërkëmbur figurën e ish-Presidentit.

Në një konferencë shtypi, kryetari i Partisë së Lirisë tha:

“Sot, kam depozituar pranë organeve të drejtësisë kallëzimin penal ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me shkeljet flagrante dhe të qëllimshme, të ligjit nga ana e tyre, në shërbim të verbër të sulmeve politike të kryeministrit Edi Rama lidhur me mua si ish-President I Republikës, dhe Kryetar i Partisë së Lirisë, forca e dytë opozitare në vend.

Anëtarët e AIDSSH kanë konsumuar të paktën 6 vepra penale, të cilat janë:

1. Shpërdorim Detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

2. Falsifikim i Dokumenteve shtetërore, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal;

3. Falsifikimi kompjuterik, parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal;

4. Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve, parashikuar nga ne…

Në deklarimet autentike me shkrim dore të shtetasit F.T., të datës 9 mars 1990, dhe që janë deklarime pjesë e dojes në ngarkim të këtij personi, ai shprehet qartë se ka komunikuar vetëm me dy persona për arratisjen e tij, I.M dhe A.Z, shokë fakulteti dhe konvikti me të.

Në deklaratën me shkrim dore të shtetasit F.T. në datë 9 Mars 1990, bërë përpara sigurimit të shtetit, nën presion, pasi i kishin vendosur përpara edhe denoncimin e I.M., edhe përgjimet me Teknikë Operative të bëra prej tij, rezulton se vetë F.T ka deklaruar se:

i) Personat e vetëm që ka biseduar për arratisje jashtë shtetit janë shokët e tij të konviktit I.M. dhe A. Z.; në asnjë rresht apo paragraf të kësaj deklarate autentike nuk përmendet asnjë Ilir Metaj (as Ilir Rexhep Metaj dhe as Ilir Meta

Në faqen “3” paragrafi “III” të dokumentit të prodhuar nga Sigurimi i Shtetit, qartazi i manipuluar dhe fallsifikuar, citohet se:

“Nga informacioni i T.O. dt. 2.3.1989 del se objekti F.T. i shprehet denoncuesit Ilir Metaj ndër të tjera se: Kur denoncuesi e pyet nëse ka biseduar me ushtarin e Sarandës, objekti thotë: “…unë e di që atëherë.. por ai nuk e di muhabetin fare për atë punë.. ai tha që të arratisemi, të ikim. Po ka besë ai….”.

Nga verifikimi i përmbajtjes së deklaratës autentike me shkrim dore të shtetasit Filip Talo, të datës 09 Mars 1990, provohet në mënyrë shteruese se personat e vetëm që F.T. ka bërë biseda arratisje jashtë shtetit janë I.M dhe A.Z.

Dhe pikërisht biseda për “ushtarin e Sarandës” nga deklarimi i tij rezulton e qartë se anëtarët e AIDSSH pa asnjë dyshim që kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.

Referuar nenit 25 të Kodit Penal, ku parashikohet se “Bashkëpunim quhet kryerja e veprës penale nga dy ose më shumë persona me marrëveshje ndërmjet tyre.”, ju bëj me dije se të gjitha veprat e kallëzuara janë kryer në bashkëpunim të anëtarëve të AIDSSH me njëri-tjetrin.

Është detyrim ligjor i pashmangshëm që organet e hetimit, të administrojnë:

Regjistrin e hyrje-daljeve në fondin arkivor të Autoritetit.

Regjistrin e shfrytëzimit të dokumenteve. Në këtë regjistër të verifikohet se kur janë kërkuar, zhvendosur e shfrytëzuar dosjet për subjektin F.T.

Procesverbalin/et e mbledhje…

Ajo çfarë i kam kërkuar organeve të drejtësisë është hetimi i plotë, objektiv, dhe mbi të gjitha i pavarur dhe brenda një afati sa më të shpejtë i të gjitha veprave penale të konsumuara nga anëtarët e AIDSSH-së, që në shpërdorim të pastër të funksionit publik, janë kthyer në vegla të verbra për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar, me pasoja të rënda për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Dhe si përfundim, i kam kërkuar drejtësisë:

1) Regjistrimin e Procedimit Penal në ngarkim të të kallëzuarve:

2)  Regjistrimin e emrit të të kallëzuarve në regjistrin e njoftimeve të veprave penale;

3)  Marrjen e masës së sigurimit, pezullimin e ushtrimit të detyrës për të kallëzuarit”, nënvizoi Meta.

Read Previous

Zbardhen vendimet e kryesisë së PD/ Kush janë dy deputetët që u bashkuan me Sali Berishën! Në Tiranë krijohen pesë grupe pune

Read Next

In vino veritas