Meksikë: Të paktën 54 persona humbën jetën nga përplasja e kamionit

Të paktën 54 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi kamioni me të cilin po transportoheshin u përplas në jug të Meksikës, thonë autoritetet.

Më shumë se 150 persona, që thuhet se ishin emigrantë nga Amerika Qendrore, u futën në rimorkio të kamionit kur ai u përmbys në shtetin e Chiapas, raporton BBC.

Pamjet nga skena e përplasjes tregojnë viktimat të shpërndara përgjatë rrugës pranë kamionit të përmbysur. Kishte gjithashtu rreshta të atyre që dukej të ishin trupa të mbuluar me çarçafë të bardhë.

Ky është një nga aksidentet më të rënda të këtij lloji në Meksikë. Dyzet e nëntë persona u konfirmuan të vdekur në vendngjarje dhe pesë të tjerë vdiqën në spital, tha Guvernatori i Chiapas, Rutilio Escandón.

Rreth 105 persona – 83 burra dhe 22 gra – u plagosën gjithashtu në aksident, tha ai.

Zyrtarët e urgjencës thanë se viktimat përfshinin burra, gra dhe fëmijë. Kombësia e tyre nuk është konfirmuar, por zyrtarët lokalë thanë se shumica e njerëzve në bord ishin nga Hondurasi dhe Guatemala.

Kamioni raportohet se ishte duke ecur me shpejtësi kur u kthye në një kthesë të mprehtë dhe goditi një urë për këmbësorë në një rrugë kryesore që të çon në kryeqytetin e shtetit Chiapas, Tuxtla Gutiérrez.

Chiapas, fqinjë me Guatamalën, është një pikë kryesore tranziti për migrantët pa dokumente.

©Kumtari.al

Read Previous

47 organizata të shoqërisë civile dalin me disa kërkesa për Kosovën dhe Serbinë

Read Next

Bitcoin, Bitcoin, por kripto “monedhat” e tifozëve bëjnë kërdinë