Megaskandali i Veliajt me inceneratorin/ Gazetari zbardh detaje

Nga Klodian Tomorri

Në 30 janar të vitit 2017, në orën 16:00 në zyrën e kryeministrit hynë 5 persona. Ata ishin Erion Braçe, Ervin Bushati, Alberto Presezzi, Mauro Bianchi dhe Miliad Lopa. Sipas axhendës që e ka publikuar një vit më parë Hashtag.al, takimi ka zgjatur gjysmë ore.

Alberto Presezzi është pronar i kompanisë Bruno Presezzi spa. Mauro Bianchi është drejtori i tij i financave, ndërsa Miliad Lopa është një tjetër histori, që do ndalem më poshtë.

Pas 7 muajsh nga takimi me kryeministrin, Alberto Pressezi u bë pronar i koncesionit të inceneratorit të Tiranës, bashkë me dy ortakë të tjerë, po italianë. Tani të kthehemi tek Lopa.

Vitin e kaluar kompania Geogenix, qe ka inceneratorin e Tiranës, fitoi një kontratë koncesioni thuajse identike për të ndërtuar një incenerator në Zimbabve. Përsoni që nënshkroi kontratën si përfaqësues i kompanisë Geogenix ishte Miliad Lopa.

Syri TV ka publikuar dëshminë e fortë të një biznesmeni italian, ish-ortak me Alberto Presezzi-n, që quhet Gabriele Longinnoti. Sipas tij, njëri nga inceneratorët e sjellë në Shqipëri është çmontuar në Konstanca të Rumanisë nga kompania italiane dhe Bashkia e Konstancës i pagoi asaj 75 mijë euro vetëm që ta hiqte, pasi inceneratori nuk vlente asnjë qindarkë.

Më pas, biznesmeni italian pretendon se Presezzi ia shiti Shqipërisë, inceneratorin për qindra milionë euro dhe në këtë transaksion është përfshirë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndërsa paratë u financuan nga Irani.

Këtu ka diçka për t’u sqaruar. Ai flet për blerje qindra milionë euro pa saktësuar në dëshmi se për cilin incenerator bëhet fjale. As Elbasani, as Fieri nuk kanë kushtuar qindra milionë euro. Tirana, që mund të kushtojë aq, nuk ekziston. Kështu që kjo është pak e paqartë.

Tani të kthehemi tek Miliad Lopa. Biznesmeni italian thotë se Lopa ka qenë lavazhier në Itali dhe ka punuar si shofer i tij. Më pas ortaku i tij, pra Alberto Presezzi e përdori atë si prestanome për të hapur kompaninë në Zimbabve. Këtu dëshmia e Longinottit përputhet totalisht me faktet.

Tani ka dhe një fakt që duhet thënë. Dy vjet më parë, Longinnoti është arrestuar në Rinas për mashtrim 1 milion euro pikërisht ndaj ortakut të tij, Alberto Presezzi. Personi që ka bërë kallëzimin në polici ishte Miliad Lopa si i autorizuar nga kompania Bruno Presezzi spa. A është dëshmia e Longinnotit një hakmarrje? Apo është e sakte në çdo fjali?

Këtë do duhet të na e thotë SPAK. Çështja e inceneratoreve është si një puzzle i ngatërruar që nuk mbaron kurrë. Por me këtë dëshmi, minimalisht SPAK ka aktorë të tjerë që duhet të thërrasë për t’i pyetur. Sigurisht, jo kreun e Pasdaranit se atë nuk e kap dot. Por të paktën Lopën, Presezzin dhe Longinnotin mund t’i kapë kollaj.

Read Previous

Shqipëria 14 vite në NATO, Berisha risjell fjalimin e tij: This is a miracle of freedom

Read Next

Afera e Veliaj me inceneratorin/ Manjani: Nuk është hetuar thuajse fare nga SPAK