Meditimet e Kikos për prindin 1, 2 dhe… 3

Nga Lutfi Dervishi

Kur të gjithë ende shkëmbejnë urime, tregojnë përjetime nga mesnata e ndërrimit të viteve apo ndajnë objektiva për atë çka duan të bëjnë përgjatë vitit 2023, Kiko ka zgjedhur të bëjë tjetër gjë.
Pasditen e sotme, ai e kapi veten duke medituar mbi valët e Jonit të cilat ishin të kthjellëta po aq sa kthjelltësia e motit të sotëm plot diell.

Mbase ju ngjall habi, por ai i dedikoi gjithë qenien e tij cerebrale dikotomisë prindi 1 dhe prindi 2 që po futet kontrabandë në shoqërinë tonë ashtu si bananet në Portin e Durrësit
-Mua më njihet vetëm nëna, ndërsa babai jo. Kam dëgjuar një shprehje nga njerëzit: “Babai është si cjapi në pyll”. D.m.th, prindi 1 apo 2, kush më njihet mua? Kjo është dilema majmuniane!
Çuditem me njerëzit për mjaft gjëra por kryefjala e habisë mbetet përkushtimi për ekuacionin “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, në një kohë kur kanë aq shumë halle sa reaksionojnë edhe raporte (pa)lumuturie ku Shqipëria renditet e 91-ta.

Nuk kane idenë se çfarë po i bëjnë vetes dhe çfarë modifikimesh duhet të bëjnë në ligjerimet e tyre.
P.sh, si do quhet atdheu, “prindi 1dhe”? Po mëmëdheu, “prindi2dheu”?
Po kënga e Mentor Xhemalit “Për ty atdhe”, do të rititullohet “Për ty prindi1dhe”?

Po vallet e dasmave, si do t’i rishkruajmë?
“Të përcolli prindi 1 dhe moj,
Lotët mbi qerpik të ranë?
Syri qan, zemra pikoj,
Shi prindin 2 edhe vëllanë…”.

Po vargjet e Naim Frashërit “Shqipëri o nëna ime…”, a do të redaktohen për t’u bërë “Shqipëri, o prindi im 2…”?
Po gjuha amtare si do të quhet, “Gjuha prindit 2”?
Po babait si do t’i thërrasë fëmija, “O prindi 1 i dashur?”. Po kur të shajnë nga nëna siç e kane zakon disa shqiptarë nga djepi ne varr, “Të bëfsha prindin 2?! Prindin 2 e ke…”,

Po patriotëve të vërtetë di do t’i emërtojmë, “Prind2dhetarë”?

Po sheshin “Nënë Tereza” si do ta quajmë, “Prindi 2 Tereza”?

Po festën e madhe të bektashinjve a do të quhet “Prindi 1 Tomori”?

Po gjyshërit si do t’i quajmë, “paraardhësi 1 i prindit 2”?
Teksa ishte i zhytur në këto përsiatje filozofike, në shëtitoren e Sarandës po kalonte një grup turistësh nga Kosova të cilët po këndonin këngën “Oj Kosov’, oj nëna ime”.

Kiko u ngerdhesh kur mendoi vargun e këngës “oj Kosov’ o prindi 2”.
Duke u rikthyer në kufijtë londinezë, Kiko mendoi për KM: “Unë jam baba” do të zëvendësohet me “Unë jam prindi 1. Nuk do t’i therrasin më bablok, por prindi1lok…”.
Ndërsa atmosfera e Vitit të Ri nuk është larguar, mendja i vajti te babagjyshi flokëdëborë që po bën slitën gati për të ikur: “Me siguri ai vitin që vjen do të shfaqet para nesh si ‘prindi1 në katror’”.

Po kur në dritë u shfaq “prindi 1” dhe “prindi 2”, kush na garanton që s’do shfaqet edhe “prindi 3”?
Mendimet po i përplaseshin mbi kafkën e çrregullt më shumë se dallgët e detit Jon në tërbimin më të madh dimëror.

“Po parlamentarët tanë, baballarët e kombit, si do të quhen, ‘prindërit njësha të kombit’? A do t’ i lejojë kryeministri se nr.1, 2 dhe tre janë të zëna prej tij? Nuk mundet të lejojë që njëshi të kthehet në shumës, jo, asesi”.
Po prindërit a janë njësha të kombit?
Mendja iu turbullua aq sa nuk po i përgjigjej më as kalimtarëve që kalonin dhe me kureshtje e përshëndesnin duke e komplimentuar: “Bravo Kiko, je nona fare!”.
“Po ia mbath deri në Korfuz, të kthjellohem”, inkurajoi veten Kiko dhe ashtu bëri, iku bashkë me diellin që u fundos në det duke i lënë vendin muzgut të mbrëmjes që u derdh mbi Sarandë.
Deri më tani askush nuk di gjë për të, mbase duhet njoftuar “prindi 1” i tij për të bërë kallëzim në polici pasi ai ende është i mitur. Mbase…

Read Previous

Kush është futbollisti shqiptar që ka fituar dy tituj kampion me skuadrën saudite që ka transferuar Cristiano Ronaldon

Read Next

Berisha: Lëshohen në hapësirë satelitët Vjedhja 1, Vjedhja 2