MË FAL!

Tregim nga Sami Milloshi

Kur kamarierja i vuri mbi tavolinë faturën e drekës, zoti Kudret u çudit pakëz.
Aty qe shënuar edhe një çaj i ftohtë që kushtonte katër dollarë. Ai kishte pirë vetëm ujë, sepse vetëm ujë kishte porositur.

– Po kjo shifër çfar është këtu?

– Oh , no, më fal , më fal, zotëri …

Zoti Kudret heshti . Zonjusha e mori faturën dhe , me sa dukej vajti ta korrigjojë , shkurt të hiqte katër dollarëshin e çajit të ftohte të paurdhëruar.

Sa çel e mbyll sytë , kamarjerja u kthye me faturën e re. Ndërkaq zoti Kudret ndërdyshej nëse ishte thjesht një gabim njerëzor , apo zonjusha e kishte bërë me qëllim.
Nuk merrej vesh aq më tepër pse makiazhi i rënduar I zonjushës, ia fshihte ate dritën e syve prej nga sidoqoftë , mund të merrte vesh diçka, qoftë edhe gjysmë të vërtetë .

I dorëzuar para fatit për ta lënë enigmë se si u shtua shifra e çajit të ftohtë ,zoti Kudret nuk bëri asnjë përçapje t’i kërkonte shpjegime kamarieres. Por kur ajo i vuri mbi tryezë faturën e re, kur erdhi çasti për të shënuar shifrën e parave si bakshish, se ç’i hipi një dell hakmarrjeje: shënoi shifrën zero.

Sipas zotit Kudret, shifra zero e bakshishit do t’i jepte të kuptonte zonjushës, se sido të ishte shtuar çaji I ftohtë i paurdhëruar, ai nuk mund të bëhej aq naiv sa ta merrte për të mirëqenë faktin se zonjusha kamariere e paskej shkruar ashtu , në nxitim e sipër dhe jo qëllimisht.

Zonjusha i hodhi një sy vëngër bakshishit zero dhe I vuri fytyrës një fashë buzëqeshjeje prej akulli.

Gjithë mbrëmjen zoti Kudret ishte në dilemë me vetveten se mos ndoshta e kishte tepruar kur kishte shkruar shifrën zero si bakshish. Mund ta kishte lënë bosh fare,mendonte, dhe kjo ndoshta do të ishte po aq nje dileme midis ndëshkimit dhe mosndëshkimit.

Tek e fundit ajo zonjushë e shqiptoi kërkesën për ta falur dhe e korrigjoi edhe
faturën. Tani i mbetej zotit Kudret të dëshmonte se sidoqoftë , ia kishte pranuar të falurën që kishte kërkuar zonjusha.

Te nesërmen , të pasnesërmen , e kështu me rradhë për dy javë rrjesht vajti të hante drekë po te i njejti restorant, me shpresë, se mos ndoshta zonjusha me tualet të rënduar do t’i shërbente përsëri dhe ai, me atë xhentilencën e tij do t’i jepte dyfishin e bakshishit…

Por, nuk qe e thënë. Zonjusha qe zhdukur nga restoranti. E kishin larguar, ishte larguar me dëshirë të saj?
As njera as tjetra. Ishte edhe më keq: kishte pësuar një aksident automobilistik dhe kishte humbur jetën ne nje autostradë të mbuluar me akull.

– Kur?-pyeti zoti Kudret kamarierin.

– Të martën- si sot dy javë më parë tha kamarieri.

E martë ishte edhe ajo ditë, kur per here te parë në jetën e vet, zoti Kudret shkroi një zero për bakshish ndaj asaj zonjushe që nuk i mësoi as emrin…

Doli në rrugë. I bëhej sikur kishte vrarë një njeri, një vajzë që thjesht i shërbeu një drekë ne atë restorantin në skaj të autostradës…

Read Previous

Tetovë/ I sëmuri mendor vret nënën pasi del nga spitali psikiatrik

Read Next

Skandali i vettingut/ Aktivistja Adriana Kalaja publikon procesverbalin e komisionerëve