MBI KËNGËN LABE

Nga Edmond Bejtaj

Refleksion i lindur pasi dëgjova këngën labe dedikuar kryeministrit që bëri rrugën andej poshtë nga Kardhiqi

INTRODUCTION
(Im atë, labi i mirë dhe i ashpër)

Për një kohë të gjatë, në mëndjen time kënga labe ishin sytë dhe buzët e tim eti kur dëgjonte në heshtje polifoninë, pra sytë që herë çeleshin dhe qeshnin duke u bërë si dy liqene buzë të cilëve lodronin degët e shelgjeve, dhe herë errësoheshin e ashpërsoheshin si një det në furtunë, duke u shoqëruar herë nga buzët që mërmërisnin lehtë sikur këndonin ose një ninullë për ta vënë veten në gjumë e ose ca fjalë të ëmbla në veshin e dikujt, dhe herë mblidheshin fort tek njera-tjetra, sikur bëheshin gati të lëshonin ose një rënkim dhimbjeje, ose një qortim të ashpër, e ose një urdhër për të hapur zjarr.

CHAPTER ONE

Derisa një ditë im atë që kishte vënë re se po zbutesha ca si shumë duke dëgjuar Celentano-n dhe Battisti-n, më uli dhe më shpjegoi se çfarë ishte ajo këngë me të cilën shumëkush tallej duke thënë se duhej kënduar kur ishte nevoja për shi, dhe ma tha pikërisht kur për ta ngacmuar i thashë – O ba, ule pak zërin se do na prishet koha dhe nuk na kap Italinë…

Pra më shpjegoi se kënga labe ishte një gjë shumë serioze, që duhej kënduar jo vend e pa vend, ashtu si një armë që nxirret nga brezi jo për tu tundur por vetëm për tu shkrepur apo si një ndjenjë e fortë që nuk i rrëfehet kujtdo, të cilën banorët e atij vendi të ashpër që quhet Labëri e kishin shpikur për ta patur edhe si një ditar për ngjarjet e mëdha të jetës së tyre, edhe si një ushqim apo pije për të kaluar poshtë emocionet e forta në dasma e vdekje, dhe dhe si një medalje nderi apo turpi për njerëzit e shënuar nga historia, ;
– Pak a shumë si bluzi i skllevërve zezakë në plantacionet e pambukut të të bardhëve të Amerikës – i shtova duke e përqafuar dhe qeshur përballë syve të çelur.

CHAPTER TWO

Sidoqoftë, dora-dorës kënga labe filloi të më pëlqente ta dëgjoja e ta mërmërisja, derisa një ditë pasi isha dehur në një tavolinë pa e kuptuar nëse më kish dehur më shumë rakia apo kënga që u këndua aty nga një grup lebërish, mu kujtua batuta ime për ngjashmërinë e polifonisë labe me bluzin e afroamerikanëve, e kështu shfletova dhe gjeta se fjala “blues”, vjen nga “blue devils”, një mënyrë të thëni e anglezëve që shërben për të treguar halucinacionet e forta që shoqërojnë një periudhë pa alkool, ose një gjëndje deliri, eksitimi, depresioni apo dehjeje të fortë, dhe këtu kuptova se çfarë droge është kënga labe kur rafinohet nga duart e mjeshtrave.

THE END

Para ca kohësh, duke pirë nje gotë me grupin tim lab ku unë jam thjesht një mbushës topi, njëri nga djemtë më tha se mund ta porosisnim një këngë për tim atë tek ca ustallarë të këngës, natyrisht kundrejt pagesës, ide që aty për aty më ngacmoi por që kur u bëra esëll e braktisa, sepse mendova që kur ta vija ta dëgjoja diskun në shtëpi, shpirti i tij që endet akoma brenda këtyre mureve do ta dëgjonte dhe pastaj do më vinte në veshë natën ndonjë qortim i tipit – More bir, unë e dija se kisha bërë djalë të zgjuar por paskam bërë një koqe, fshije atë paçavure se më turpërove !

Read Previous

Shpërthime të fuqishme në qytetin rus kufi me Ukrainën. 3 viktima

Read Next

Arrestohet një tjetër drejtues automjeti i droguar