Mario Roques / Studiuesi francez që iu kushtua teksteve të vjetra të shqipes së shkruar

Mario ROQUES (1875 – 1961)

            Studimi i teksteve të vjetra shqipe gjeti te Mario Roques një gjurmues të mirënjohur. Ishte profesor në Shkollën e Gjuhëve të Gjalla Orientale në Universitetin e Parisit, ku për shumë vite dha mësimin e shqipes. Për gjysmë shekulli drejtoi revistën shkencore franceze “Romania”. Më 1926 në këtë organ botoi artikullin me titull Le plus ancien document de langue albanaise [“Dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe”], ku përshkruan Formulën e Pagëzimit. Po në këtë organ, disa muaj më vonë i rikthehet këtij dokumenti me artikullin Sur le plus ancien document de la langue albanaise [“mbi dokumentin më të vjetër të gjuhës shqipe”]tashmë mbi caqet e përshkrimit.

Një vit më pas parashtron iniciativën për botimin e teksteve të vjetra të shqipes së shkruar. Vetëm mbas pesë vjetësh, më 1932, arriti qëllimin e dëshiruar duke botuar Le dictionnaire albanais de 1635. Edité avec introduction et index complet. Tom. 1. : Dictionarium Latino-Epiroticum par R. D. Franciscum Blanchum  (Paris, 1932), “Fjalori latinisht-shqip” i Frang Bardhit, i pari fjalor i gjuhës shqipe. Vëllimi përbëhet nga një hyrje e gjatë prej 59 faqesh mbi familjen Bardhi, mbi ipeshkvinë e Sapës, mbi Frang Bardhin në bazë të dokumenteve të zbuluara në arkivat e Vatikanit. Më pas vijnë disa vërejtje mbi vetë fjalorin, i cili botohet në mënyrë fotomekanike më pas në 233 faqe me gjithë shtesat. Po atë vit botoi vëllimin Recherches sur les anciens textes albanais [“Gjurmime mbi tekstet e vjetra në gjuhën shqipe”] (Paris, 1932), ku jep përshkrimin e plotë të 17 botimeve dhe dorëshkrimeve më të para shqipe (1462-1710), disa të zbuluara prej tij, duke njohur botën shkencore me pasurinë e lashtë të shqipes së shkruar. Ndër to përmendim kërkimet mbi L. Matrangën, librin e të cilit e zbuloi në Bibliotekën e Vatikanit, tri vepra të Pjetër Budit që i zbuloi po në atë bibliotekë: Dottrina christiana [“Doktrina e krishterë”] (1618), Ritvale Romanvm.. [“Rituali roman”] (1621) dhe Pasech8ra etref8mit [“Pasqyra e të rrëfyemit”] (1621). Po në Recherches… gjenden dokumente arkivorë mbi Pjetër Mazrekun dhe “Fjalorin” e tij etj. (M. Gj.)/Portali Albanologjik

© Kumtari.al

Read Previous

Bujar Nishani: Nga Foltorja e Librazhdit vijon lëvizja historike për ndryshim

Read Next

Opinion i New York Times / Evropa ka bërë një pazar vdekjeprurës me autokratët