Maqedonia e Veriut po nxit bujqësinë dhe rritjen e pagave

Ikja e popullsisë, sidomos nga zonat rurale, është një fenomen i përhapur edhe në Maqedoninë e Veriut. “Migrimi është një problematikë shumë e madhe”, pohon për “Monitor”, Abdylshyqyr Abedini, zëvendësministër i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut.

Popullata në përgjithësi i ikën sektorit të bujqësisë. Ai pranon se në këtë sektor, paga mesatare ka arritur në rreth 600 euro/muaj. “Janë në këtë nivel sepse kemi punëtorë deficitarë në këtë drejtim për arsye të mungesës së krahut punëtor, ndërsa kërkesat janë të mëdha”.

Jo vetëm në bujqësi, edhe agroindustria po penalizohet nga ky fenomen. “Edhe një pjesë e industrisë ka mungesë të punëtorëve, dhe ky është një problem shtesë që i penalizon kompanitë. Një fabrikë e qumështit i paguan punonjësit 600-700 euro/muaj”.

Në përgjigje të kësaj situate, filozofia e qeverisë së Maqedonisë së Veriut është orientuar drejt nxitjes së zonave rurale, si nëpërmjet infrastrukturës, ashtu dhe subvencioneve dhe programeve të bujqve, në mënyrë që banorët të kenë alternativa punësimi me të ardhura relativisht të larta.

“Ne si ministri, me programin e ri që kemi për vitin 2023 për zhvillim rural, kemi një projekt investimi kapital, që do t’i nxisim bujqit e rinj që të rrinë dhe të punojnë në ferma dhe të zhvillojnë bizneset familjare. Ky program parashikon një masë prej 10 mijë eurosh që janë mjete të pakthyeshme”, pohon ai.

Nëpërmjet kësaj skeme, një bujk i ri që aplikon nuk merr para në dorë, por shteti i jep mjete me vlerë 10 mijë euro, të cilat kalojnë në pronësi të fermerit për të zhvilluar biznesin e tij.

Subvencionet janë një tjetër mënyrë për të nxitur bujqësinë. Në vitin 2021, subvencionet direkte nga buxheti arritën në 122 milionë euro. “Këtë vit e kemi rritur buxhetin në sektorin bujqësor. Buxheti për bujqësinë ka arritur në 200 milionë euro, nga të cilat 150 milionë euro janë subvencione”.

Z.Abedini pohon se pas 15 vitesh ka ndryshuar skema e subvencioneve në bujqësi, drejt të ashtuquajturit “decoupling model”, i cili sot përdoret në Bashkimin Europian. “Ndryshimi është se bujqit do të duhet që prodhimin e vet ta dorëzojnë te kapacitetet përpunuese, në varësi të kulturës në pikat grumbulluese dhe duhet ta tregojnë prodhimin e tyre. Në këtë mënyrë, ulet ekonomia gri dhe rritet rendimenti.

Bujqve do t’u jepet 30% e subvencioneve në avancë, me kushtin e vetëm që toka të jetë e punueshme, por për të marrë 70% të subvencioneve të tjera duhet ta dorëzojnë prodhimin te kapacitetet përpunuese. (deri këtë vit, fermerët nuk ishin të detyruar të tregonin prodhimin).

“Kishim një projekt me lulediellin, ku e zbatuam këtë model, që rezultoi i suksesshëm, dhe tashmë po e zgjerojmë, duke shpresuar se do të nxisë bujqit e vërtetë që të rrisin prodhimin”.

Vitin e fundit, pas problemeve që solli sulmi i Rusisë në Ukrainë, vëmendja është kthyer te kulturat strategjike. “Nevojat tona për grurë janë mesatarisht 300 mijë tonë në vit. Hartuam edhe programin nacional dhe fondin ndërhyrës që i ndihmon bujqit për plehrat artificiale.

Dhamë mbi 14 mijë hektarë tokë shtetërore për kultura strategjike, grurë, elb, misër. Në total, për 1 hektar grurë, arriti deri në 400 euro subvencioni. Si rrjedhojë është rritur me mbi 30% prodhimi i kulturave strategjike.

Krahas subvencioneve direkte, Maqedonia e Veriut i përdor maksimalisht projektet e fondeve IPARD të Bashkimit Europian. “MV është lider në rajon sa i përket shfrytëzimit të fondeve IPARD”, pohon z. Abedini.

“95% e IPARD 2 e kemi shfrytëzuar dhe për këtë, Komisioni Europian e ka miratuar IPARD 3 me 62% më shumë mjete se i pari, me një shumë që arrin në rreth 97 milionë euro, për 2021-2027”. 60% të mjeteve i mbulon IPARD, ndërsa 40% investitori. Dhe nga financimi prej 60%, gjysma jepet paraprakisht në momentin e nënshkrimit të kontratës.

I gjithë ky model ka bërë që bujqësia të jetë produktive dhe të rrisë të ardhurat e fermerëve dhe pagesat për punonjësit, duke frenuar disi hemorragjinë e emigracionit. “Në këtë mënyrë, ne i stimulojnë fermerët që të kenë një pagë rreth 600 euro”, pohon z. Abedini./MONITOR

Read Previous

Tirana, qytet jo i mirë për pensionistët dhe studentët

Read Next

Berisha: Rama si Selmani, harxhon 10-mijë dollar në një drekë me miqtë e tij