Malltezi: Për disa miq demokratë që humbën udhën

Nga Jamarber Malltezi
Më vjen keq që disa demokratë që u bënë deputetë dhe kanë humbur udhën. Në publik deklarohen se “janë me aleatët“ paçka se kjo ishte e njëjta parrulle që thonin “këpëratat“ aksidentale të parlamentit të kaluar.
Disa lumturohen me një rrugë jashtë shtetit, apo me një takim në kryeqendrën e perandorisë, paçka se ngjashëm u tallën ata që shkonin para 60 vitesh në ën e perandorisë së asaj kohe.
Disa shiten lirë e turpshëm me një pritje në ambasadë apo me një foto.
Për gjynah janë ata që shpresojnë se duke e pasur mirë me të huajt “do vijmë në pushtet” apo “do vijojmë si deputetë”. Sa për kujtesë: 5 ambasadorë shkuan në 2021 për fushatë në Elbasan tek një ish demokrate që garonte me një parti të re e kinse “pa gjynahe”, por në fund nuk mori as 5% të votave që mori Luciano Boci.
Disa nga ish miqtë demokratë shkuan deri aty sa i bënë Zotit shok, duke deklaruar se “Zotit në qiell dhe Amerikës në tokë nuk i thuhet jo” duke mos përdorur as mendimin kritik si intelektualë, dhe duke injoruar parimet bazë kushtetuese të Amerikës, që janë liria e individit, pavarësia e pushteteve, pafajësia derisa nuk ke aktgjykim të vlerësuar në një proces të rregullt, etj.
Më erdhi keq se disa prej tyre e mbanin veten për besimtarë.
Kanë mbi 1 vit që nuk kanë prodhuar dot asnjë veprim kundra Edi Ramës por ama kanë sharë dhe kanë aktivitet kundra-opozitar më shumë se mjero që ndan pazaret e Ramës.
Shajnë demokratët, i quajnë inferiore, dhe deliri i madhështisë i bën të ëndërrojnë se janë udhëheqësit e mëdhenj, por ju ka rënë për hise ca njerez që nuk marrin vesh.
Këta nuk pranojnë të dëgjojnë anëtarët, por veç të urdhërojnë dhe të japin mend, se janë për të udhëhequr e jo të ndjekin militantët që u ka ikur koha.
A nuk ju ka thënë kështu edhe ambasadorja X apo diplomati i shërbimeve Y?
Por, rizgjimi i PD ishte moment madhor demokratik pikërisht sespe nuk ndodhi me emërime, me kulisa por me zgjimin e demokratëve që nuk pranuan me gënjeshtrat e servirura.
Mbi 60% e të mandatuarve të kuvendit firmosën kërkesën për mbledhjen e kuvendit. Plot 4935 të mandatuar erdhën në stadium në Kuvendin Kombëtar të PD dhe gati 4500 votuan shkarkimin e ish kryetarit dhe kryesisë së pavotuar por të emëruar. Vendime që u ratifikuan nga thuajse 44,000 anëtarë në referendumin e parë të PD.
Disa deputetë zgjodhën të injoronin anëtarësinë, të bënin sikur nuk shikonin, biles deri të talleshin me anëtarësinë si të shitur për një teke raki, etj.
Më 8 janar 2022, dhjetëra mijëra demokrate shkuam në shtëpinë tonë të demokrateve që e kishin bllokuar me blinda ca të marrë apo të korruptuar (apo të dyja bashkë), por na helmuan me gaz lotsjellës shumë herë më keq se Edvin Rama. 27 demokratë përfunduan të helmuar në spital, por asnjë polic. Ata në pazare me Ramen futën policët banditë të Ramës që të dhunonin demokratët. Kurrë nuk kish ndodhur një shitje e tillë.
Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022, ndonëse regjimi i Edvin Ramës i siguroi selinë, vulën, logon, hapësirë mediatike, mbështetje masive nga diplomatët, biles edhe para nga banditët e inceneratorëve (partneri i De Mare që grabitën 15 milion € pa tender për porto romanon), të gjitha këto nuk bënë dot as 30% të opozitës.
Megjithë këtë rezultat dërmues, ish kryetari deklaroi me 7 Mars se “unë nuk kam humbur ndonjëherë” duke vërtetuar zerat se ai kishte gjithnjë pazare dhe fitonte edhe kur PD humbte. Pazarxhinjtë me Ramën ndonëse të humbur dolën me tezën “eja shtyjmë çdo proces në PD deri pas 2 vitesh” pra vijojmë vegjetojmë duke ndarë ndonjë plaçkë me pushtetin.
Demokratët shtynë me 1 muaj kuvendin kombëtar që të mundësonin bashkimin e të gjithëve. Pati deputete që reflektuan dhe u bënë pjesë e procesit dhe u mirëpritën nga demokratët dhe u zgjodhën edhe në kryesi të PD si psh deputetja Ina Zhupa.
Vetëm pak muaj më vonë, në procesin gjyqësor që një bandit i Soros-reformës në drejtësi ka hapur kundër deputetit Salianji (që fliste kundra Berishës në çdo media), Berisha çoi në gjykatë figurat më të larta të PD, përfshi Nënkryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe disa deputetë duke i treguar se opozita tashmë nuk shitet, se do jemi të gjithë bashkë në të mirë e në të keq.
Disa nga të helmuarit me gaz më 8 janar mbetëm pa tekst. Por mendimi i ftohtë kritik të kujton se duhet reflekim nga të gjithë, duke respektuar mendimin ndryshe qoftë kur nuk të pëlqen, dhe duke mos harruar se armik nuk kemi asnjë demokrat, por Edi Ramën që e varfëroi vendin, vrau shpresën dhe po syrgjynos në azil shqiptarët. Më shumë kërkesa për azil në BE ka nga shqiptarët sesa nga ukrainas dhe sirianë të marrë së bashku!
Berisha shkoi në seli dhe ftoi në bashkëpunim edhe të emeruarit (dhe jo të zgjedhurit) Alibeaj dhe Bardhi, por këta nuk pranuan pasi preferuan të tërhiqen nga dora prej Taulant Ballës.
Duke parë se deputetët që reflektuan disa u zgjodhën me votë në forume drejtuese, disa janë pjese aktive e veprimtarisë së opozitës, duket qartë se në forumet e larta të PD nuk mban njeri merakun se cilin ke mbështetur apo çfarë ke deklaruar para 6 muajsh. Prandaj këta 4-5 ish miq – për të cilët më vjen keq që humbën udhën – nuk e kane hallin me Sali Berishën e ca më pak me Oerdin apo Lucianon.
Hallin e kanë me demokratët e thjeshtë, që nuk i dëgjuan, i shpërfillën, i tallën e i shanë deri publikisht dhe sot e kanë të vështirë të kthehen tek zgjedhësit, tek demokratët që u përballen me bandat e Edvin Ramës që këta të dilnin deputetë. E kanë të vështirë të kërkojnë falje, të deklarohen se vendi im është aty ku janë zgjedhësit e mi e jo ku urdhëron Soros në mënyrë direkte apo përmes kukullave të tij në disa nivele.
Por vjeshta po vjen e bashkë me të edhe aktiviteti opozitar po shtohet. Demokratët do dalin përsëri derë më derë me thirrjet për protestë, e natyrisht në mungesë të reflektimit dhe përfshirjes në protestë të deputetëve aktualë, figura të reja do të dalin dhe duhen mbështetur. Mjaft që të jenë njerëz të lirë, intelektualë me mendim kritik dhe që nuk pranojnë pazaret por betejën me të keqen që na ka pllakosur.

Read Previous

Mediat malazeze: Ujërat e zeza nga Shqipëria, rrjedhin edhe tek ne

Read Next

“De Ketelar ka gjithçka”, Pioli i thur elozhe belgut: Tifozët do të argëtohen me të