Malltezi ngre pesë pyetje të tjera për aferën korruptive të inceneratorëve

PD ka vijuar sot të ngrejë 5 pyetje të tjera drejtuar SPAK-ut për aferën e inceneratorëve. Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD theksoi në foltoren e selisë blu se si u injorua financimi 4 milionë euro i BE-së, për të vrapuar pas një propozimi të pakërkuar.

“Paguhet shumë për ta varrosur aferën e inceneratorëve, me të cilën kanë vjedhur 105 milion euro deri tani, dhe vijojnë çdo ditë. Jo vetëm para’ të shqiptarëve, por edhe taksapaguesve europianë, – vërejti Malltezi. – Bashkimi Europian ka dhënë 4 milionë euro për përafrim legjislacioni mjedisor përmes projekteve STEMA dhe Selea. Sapo u sinkronizuan ligjet, u hartuan Strategjia dhe Plani Kombëtar i Mbetjeve. Këto u injoruan dhe u vrapua pas një propozimi të pakërkuar për inceneratorë.

Inceneratorët bien ndesh, qoftë me strategjinë, qoftë me planin e veprimit të financuara nga Bashkimi Europian.

Pesë pyetje të thjeshta për SPAK:

1. Pse u dhunua Strategjia dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve që ishin në fuqi?

2. Pse u firmos kontrata, ndonëse APP kish sqaruar se procedura ishte e kundraligjshme?

3. Edi Ramën e zuri ndonjë hall i madh apo bëri ndonjë pazar po kaq të madh që firmosi kontratë në kundërshtim me ligjin?

4. Pse u mashtrua sikur kompania e sapokrijuar kishte eksperiencë të madhe me incenerimin? Si qëlloka që miqtë e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt qenkan ‘nonat e incenerimit’?

5. Çfarë halli apo pazari e detyruan Edi Ramën që gënjeu sikur u kryen 10 procedura brenda 1 dite?

Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por shuuuumë të vështira për drejtësinë e Soros.

Ne kemi një përfundim: Të gjitha këto ndodhin sepse ata i ndajnë paratë së bashku. Të dashur shqiptarë, ju si mendoni?”

Read Previous

(15) Kiko kërkon ndjesë në emër të piramidës shtetërore!

Read Next

Përmbyset një minibus me 20 persona më Vermosh