Malltezi: Edi Rama po e kthen këtë vend në një sulltanat!

Jamarbër Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, ka bërë tri konstatime sot për situatën politike në vend dhe sjelljen e figurave kyçe të mazhorancës në këto momente zhvillimesh të nxehta politike në vend.

“Ajo që ne po shohim çdo ditë e më shumë, – tha Malltezi, –  është që Edi Rama po sillet si sulltan, po e kthen këtë vend në sulltanat, po thotë që unë nuk pyes për Kushtetutë, po thotë që unë nuk pyes për parlament.”

Lidhur me vendimin gjyqësor që pritet për vulën dhe logon e PD, Malltezi vuri në dukje se dy kahe: nga njëra anë është presioni i madh i qeverisë që po përpiqet t’i bëjë gjyqësorit duke i çuar emisarë, kurse ana tjetër, është aspekti i ftohtë juridik. “Në rast se do të bëhen masha të Qeverisë, marrin mbi vetë të hyjnë për çmim Gines”, tha ai.

Më tej, i pyetur për përballjen Këlliçi-Veliaj për bashkinë e Tiranës, Malltezi argumentoi pse të ashtuquajturit kandidatë që po shfaqen dita-ditës krahas tyre, nuk janë tjetër përveçse truqe të Veliaj për të përçarë opozitën.

NGA INTERVISTA ME Z. JAMARBËR MALLTEZI

Kafe Shqeto: Zoti Malltezi, si e keni lexuar fjalën e mbajtur nga kryeministri Edi Rama dje në parlament, i cili është shprehur se mocioni me debat është absurd dhe se nuk është i akuzuar për çështjen McGonigal?

Jamarbër Malltezi: Mua Rama m’u duk si hallexhi shumë i përvuajtur dje. Goxha me stres, nuk lidhte dot dy fjali të rrjedhshme; përpiqej të krijonte tymnajë por nuk tha dot asgjë. Për fat të keq ne duhet t’i bëjmë disa pyetje vetes: së pari, a jemi republikë apo jemi monarki?! Pra, a mund të dalë dikush e të thotë unë shkoj në parlament vetëm kur të kem qejf dhe nuk shkoj në parlament për t’iu përgjigjur parlamentit?! Normalisht ne jemi republikë parlamentare dhe kushdo, Kryeministri në radhë të parë, është i detyruar të përgjigjet para parlamentit. Në rast se nuk i përgjigjet, kjo do të thotë një shmangie nga detyrimet kushtetuese; kjo do të thotë tendencë diktature, tendencë autokracie, tendencë për ta bërë parlamentin thjesht një “rubber stamp” të Qeverisë. Por, ky nuk është ky roli i parlamentit!

U duk në hall të madh Edi Rama se nuk tregonte dot asgjë. Nuk pranon komision hetimor, ndërkohë që janë detyrime kushtetuese. Detyrimet kushtetuese zbatohen dhe nuk jepen për qejf të Edi Ramës. Kështu që në gjithë atë, unë pashë një Edi Ramë në hall, një Edi Ramë që përpiqej të krijonte tymnajë, që përpiqej të deligjitimonte kërkesat kushtetuese të opozitës, por që nuk thoshte dot asgjë, nuk justifikonte dot asgjë.

Kafe Shqeto: Tani të flasim për 3 marsin, do të jetë një ditë e gjatë. Një vlerësim tuajin, një pritshmëri për sa i takon gjyqit dhe më pas, orës 12.00.

Jamarbër Malltezi:  Së pari, duhen pasur parasysh dy anë. Njëra anë është presioni i madh i qeverisë, që po përpiqet t’i bëjë gjyqësorit duke çuar emisarët e saj. Emisarët ne i kemi parë, edhe emisarë të Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, zonjën Kokona. Kemi parë edhe komunikimet informale dhe krejtësisht jonormale të Ministres së Jashtme që i thotë ambasadorëve “kemi kaparisur gjykatën”…Të dyja këto, në një republikë, do të ishin shumë – shumë të dënueshme. Ndikimi ndaj gjykatës është vepër penale. Duhet të ishin vepra penale. Kjo është njëra anë, pra, presioni i madh që po i bën Qeveria.

Cila është ana tjetër?! Ana juridike! – Tek ana juridike kemi dy aspekte. Aspekti i parë është aspekti i thjeshtë dhe i ftohtë juridik. Pra, dikush që nuk është palë në një gjykatë të shkallës së parë, nuk mund të jetë palë në një gjykatë të shkallës së dytë. Këtë e ka paraqitur qartë gjyqtari Arben Konstandini, i cili rrëzoi kërkesën për rrëzimin e gjyqtarit të parë, Zhukri. Rrëzimi i kërkesës u bë vetëm me këtë “zotëri, ti nuk je palë! Bëhu njëherë palë, pastaj kërko rrëzimin apo jo të gjyqtarit!”, por duke mos qenë palë ti nuk legjitimohesh. Kjo pala, zoti Alibeaj, nuk e ka atakuar fare këtë si çështje “jam apo s’jam palë”; nuk e ka kërkuar fare të jetë palë! Kjo është shumë qesharake. Pra duke mos qenë palë, duke pasur një vendim gjykate që thotë “ti nuk je palë”, nuk mund të legjitimohesh. Pra pikëpamja e thjeshtë e ftohtë juridike.

Aspekti i dytë pastaj ka të bëjë me groteskun që do të shoqërojë këtë – le të themi, këtë reformën sorosiane në drejtësi. Në rast se do të bëhen masha të Qeverisë, marrin mbi vetë të hyjnë për çmim Gines. Pra, kudo do të përmendet që kemi parë, kemi një vend ku ti mund të fitosh diçka pa qenë fare palë!!! Është për çmim Gines në kapjen e gjyqësorit dhe përdorimin e gjyqësorit si levë e Edi Ramës. Për fat të keq, ajo që ne po shohim çdo ditë e më shumë është që Edi Rama po sillet si sulltan, po e kthen këtë vend si sulltanat, po thotë që unë nuk pyes për Kushtetutë, po thotë që unë nuk pyes për parlament.

Kafe Shqeto: Por, e lejon opozita të bëjë këtë gjë? Mund të ketë një qasje tjetër, se kush do ta pengojë?

Jamarbër Malltezi: Opozita nuk është gjyqësor, nuk është as prokurori. Këtu për fat të keq nuk funksionojnë këto leva. Këto leva nuk funksionojnë. Pra, duhet të funksionojë shteti ligjor. Opozita nuk është prokurori, opozita nuk është polici, opozita nuk është gjykatë, opozita është shprehje e qytetarëve të revoltuar, të cilët nuk pajtohen me këtë e do t’i dalin gjithnjë përballë. Dhe opozita ka për borxh të ngrejë opinionin publik për t’i thënë “ne nuk mund të jetojmë në sulltanat!” Kemi një republikë, kemi disa rregulla, këto rregulla i kemi në Kushtetutë. Ky sulltani do të na rrëzojë rregullat e nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë dhe opozita çdo ditë duhet të përpiqet të fitojë zemrat dhe mendjet e njerëzve.

Të kemi parasysh se edhe në ‘91-shin (edhe në ‘90-ën që u çuam, dhe në ‘91-ishin) të kemi parasysh që ne edhe pse ishim opozitë e fuqishme, nuk ishim mazhorancë. Për fat të keq neve na mori gati 16 muaj derisa të bëheshim mazhorancë nga dhjetori 1990 deri kur erdhëm në pushtet në mars 1992, i thonë 14 muaj. Të kemi parasysh se greva e urisë e studentëve që ishte goxha masive, 723 persona kur studentë asokohe kanë qenë mbi 15 mijë, i bie që në grevë kanë qenë më pak se përqind, 4.6 – 4.7%. Pra, ka qenë absolutisht shumë aktive por nuk ka qenë mazhorancë ende. Dhe PD nuk vjen në pushtet me dhunë, do të vijë në pushtet me votë. Por me votë kur respektohet shteti ligjor, ku respektohet Kushtetuta. Nuk kemi sulltanat, por kemi republikë.

Kafe Shqeto: Një koment për “partizat”. Sigurisht Belind Këlliçi është antagonisti i vërtetë i Erion Veliajt, është ai kandidati i Opozitës së Bashkuar për Tiranën, megjithatë duket se në këto orë të nxehta për demokracinë në Shqipëri, le të themi që në mënyrë nominale kemi një farë opozitarizmi dhe me dy kandidatë të tjerë të rinj, Arlind Qorri dhe Endri Shabani. A janë ato kandidatura organike apo të sponsorizuara?

Jamarbër Malltezi: Mua më duket se Erion Veliaj po përpiqet jo thjesht me këto dy personazhe që përmendet ju, por edhe me disa personazhe të tjerë që i nxjerr si kandidatë, që të përpiqen të përçajnë opozitën. Dje ka nxjerrë një kandidat tjetër, zotin Galdini; para një jave ka nxjerrë një kandidaturë tjetër, zonjën Përnaska; me gjasë do të nxjerrë edhe ndonjë ish-deputet të listës Basha që tani punon për Qeverinë, gjoja t’i paraqesë si demokratë që duan të hyjnë. Këto janë truqe që përdor Erion Veliaj të përçajë votën e opozitës  për kryetar bashkie. Normalisht do të duhej të ishin të mirëpritur të gjithë kandidaturat në rast se do të ishin “genuine”, në rast se do të duheshin që të bënin një politikë të tyre dhe të kishin vite që merreshin me këtë, po jo të dalin si fishekzjarrë, një përdorim, që përpiqen të bëjnë një shashkë që të tërheqin vëmendjen për të përçarë votën e opozitës. Këto janë të gjitha përpjekje të Erion Veliajt.

Read Previous

Shtëpia e Bardhë/ 30 ditë kohë për të fshirë TikTok

Read Next

Gjyqi për vulën e PD, mbërrijnë edhe përfaqësueset e ambasadës amerikane