Lutfi Dervishi: Shembja e ndërtesave 50 vjeçare? Ide e kopjuar…

Nëse do të isha i interesuar për të ndërtuar në Tiranë, problemi më i madh do të ishte gjetja e truallit. Ka pak troje të lira. Shumë pak. Edhe ato pak troje që kanë mbetur kanë një çmim të tillë a thua se po te hapesh një gropë do të dalë naftë!

Një zgjidhje mund të ishte tërmeti. Bie tërmet, godinat marrin disa krisje dhe një komitet ekspertësh e lehtëson punën duke i vënë kryqin godinave. Shpejt e shpejt mbi të “vjetrën” brenda natës lind e “reja”. Rrethim i truallit të ri. Tabelë dhe njoftim për shitje. Okazion.
Tërmetet ende nuk i komandojmë dot, por dimë që nuk ka hall pa derman.
Zgjidhja është para syve. Është fakt se këto vite më shumë godina ka shembur “qeveria” se tërmeti. Pse të mos bëjmë një “tërmet”?
Dhe ky “tërmet” është i bekuar sepse ti mund të parashikosh jo vetëm vendin ku do të bjerë tërmeti, por edhe kohën. Për shembull mund të bjerë në qendër të Tiranës, por jo në periferi, mund të bjerë në Durrës, Vlorë, Fier, Sarandë, por jo në Librazhd, Çorovodë, Maliq etj etj.
Ku do të bjerë saktësisht ky “tërmet”? Saktësisht aty ku ndërtuesi vendos syrin. Trualli lirohet. Kaq e thjeshtë. Eureka!
Si do të bjerë “tërmeti”?
Tërmeti këtë radhë mund të vijë në formën e një projek-vendimi. Godinat e ndërtuara para 50 viteve do të prishen. Pse? Për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja? Jo, kurrsesi! Godinat prishen sepse nuk plotësojnë kushtet e sigurisë! Jeta e shqiptarit mbi të gjitha. Qeveria përkujdeset për sigurinë, për modernizimin, për standartet perëndimore.
Ndokush, nga ata që kërkojnë qimen në qull mund të pyesë:
Nëse qeveria e ka hallin te siguria:
1. Sa pallate të reja kanë shkallë anësore emergjente?
2. Sa ashensorë kanë kohë pa u inspektuar apo nuk janë inspektuar fare?
3. Pse në flotat e mjeteve të transportit publik (autobuzë urbanë e interurbanë, furgonë etj) jane mjetet më të vjetra?
4. Pse do të inspektojnë ndërtesat dhe jo urat dhe tunelet që janë ndërtuar para 50 vitesh?
5. Po digat e ujëmbledhësve të ndërtuar para 50 viteve?

A është origjinale ideja e shembjes së godinave 50 vjeçare? Jo. Është ide relativisht e re, por jo origjinale. Origjinali është në Moskë. Por në Moskë (më 2017) janë treguar më të sinqertë. Nuk kanë bërë projek-vendim për sigurinë e godinave. Nuk janë sorollatur me Institutin e Ndërtimit, por thjesht kanë thënë: do t’i prishim godinat 5 katëshe të ndërtuara në kohën e Hrushovit dhe do të ndërtojmë kulla.
Në Moskë nuk thanë që e kemi hallin te siguria e ndërtesave. Aty u bë e qartë se halli ishte te siguria e parave.
Sigurisht te ne halli është te siguria e njerëze jo te siguria e parave (të pista)!

Read Previous

Post Kurti-Vuçiç: Të gjithë në folenë e vet

Read Next

Berisha: Edi Rama kërkon të shembë 96 mijë banesa në Tiranë