Lufta e Francës në Afrikën Perëndimore/ “Njerëzit mblodhën krahët e prerë, këmbët dhe kokat”

Nga Emmanuel Freudenthal, Matthias Gebauer, Patricia Huon, Héni Nsaibia, Maximilian Popp, Britta Sandbergund Youri van der Weide

 

Fillimisht Franca vendosi ushtrinë e saj në Mali për të ndjekur xhihadistët. Por raportimi nga DER SPIEGEL tregon se ushtarët e saj atje, kanë vrarë vazhdimisht civilë. A po kthehet vendi në një Afganistan të Francës?

Ata kishin ardhur për të festuar. Rreth 100 njerëz ishin mbledhur në janar, në periferi të fshatit Bounti në Mali, Afrikën Perëndimore, për një martesë. Disa u ulën në rrogozë nën hijen e pemëve dhe pinin çaj. Festa ishte gati të fillonte kur avionët luftarakë francezë u shfaqën në qiell, thotë Madabbel Diallo, 71 vjeç, një bari që ishte një nga të ftuarit.

Pak kohë më vonë, Diallo dëgjoi një shpërthim dhe pastaj një tjetër. Gjëja tjetër që mban mend është që gjendet i shtrirë në tokë, i dëmtuar rëndë. Këmbët i ishin përgjakur. Ai pa njerëz me gjymtyrë të copëtuar. Zorrët e një njeriu po dilnin nga trupi i tij. Ndihmësit që nxituan drejt vendit, nga fshati e çuan Diallo në klinikë, në qytetin më të afërt.

Duke folur për sulmin, disa ditë më vonë, përmes telefonit, ai ishte ende në gjendje shoku. Kushëriri i tij, Mamoudou Diallo, gjithashtu i plagosur në sulm, ishte shtrirë në shtratin pranë tij. Tre nga nipat e tij ishin të vdekur. “Njerëzit mblodhën krahët, këmbët dhe kokat e prera, i hodhën në një gropë dhe i varrosën,” tha ai.

“Ata erdhën me aeroplanë dhe na bombarduan

Njëzet e dy njerëz vdiqën në sulmin francez në Bounti. Qeveria franceze këmbëngul se viktimat ishin ekskluzivisht terroristë islamikë, kundër të cilëve Franca po lufton në Mali. Por Madabbel dhe Mamoudou Diallo si dhe gjashtë dëshmitarë të tjerë nga Bounti, të cilët DER SPIEGEL i intervistoi në mënyrë të pavarur, e kundërshtojnë këtë raport. “Nuk kishte asnjë xhihadist atje,” thotë Madabbel Diallo. “Askush nuk kishte armë, madje as thikë.” Aliou Barry, një fermer, thotë: “Ne po festonim një martesë. Dhe ata erdhën me aeroplanë dhe na bombarduan.”

Hetuesit nga misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Mali, i njohur si MINUSMA, ruajnë të njëjtën linjë mendimi. Raporti i tyre i hetimit thotë se, megjithëse tre nga viktimat i përkisnin grupit xhihadist Katiba Serma, të gjithë të tjerët ishin civilë. François Lecointre, shefi i shtabit francez të mbrojtjes, flet për “manipulim” dhe thotë se pamjet e dronëve do të shfajësojnë ushtarët e tij. Por ushtria nuk pranon t’i publikojë ato imazhe për shkak të sekretit ushtarak.

Incidenti në Bounti hedh dritë mbi një konflikt që po ndodh kryesisht larg vëmendjes së publikut. Ushtria franceze është vendosur në Mali për më shumë se tetë vjet. Por ajo që filloi në janar 2013 si një ofensivë e synuar kundër kryengritësve islamikë, kryesisht në veri të Malit, është kthyer në një nga luftërat më të gjata në historinë e fundit të Francës.

Midis fronteve

Parisi ka vendosur më shumë se 5,000 trupa në Mali dhe vendet fqinje – një e treta e trupave të tij të përgjithshme jashtë  vendit- si pjesë e operacionit Barkhane. Pavarësisht nga prania e tyre, xhihadistët kanë arritur të përhapen në pjesën më të madhe të Sahelit – në Mali, Burkina Faso dhe Niger. Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje vendeve të tjera, përfshirë Gjermanisë, të përfshihen më shumë në gjueti për terroristët. Pas tërheqjes nga Afganistani, Mali do të jetë vendosja më e madhe e huaj e Bundeswehr, forcave të armatosura gjermane, me rreth 1.000 ushtarë gjermanë që aktualisht marrin pjesë në misionin Minusma.

Gjermanët po trajnojnë gjithashtu ushtarë të Malit në emër të Bashkimit Evropian. Mandati i dhënë nga parlamenti gjerman, megjithatë, përjashton në mënyrë të qartë forcat gjermane nga pjesëmarrja në luftime aktive si pjesë e operacionit Barkhane.

Qeveria franceze dëshiron të ndalojë përparimin e islamikëve në Mali dhe të ndalojë rrjedhën e migrantëve të parregullt në Evropë. Por kur bëhet fjalë për detajet e operacionit, Parisi është gojëkycur, madje edhe aleatët marrin informacione të pakta.

Presidenti Francez Emmanuel Macron mirëpret Presidentin e Përkohshëm të Republikës së Mali, Bah N’DAW /France, May 17, 2021. REUTERS/Gonzalo Fuentes

 

 

 

 

 

                                                                             

DER SPIEGEL dhe portali online The New Humanitar kaluan muaj të tërë duke raportuar mbi misionin Barkhane. Gazetarët udhëtuan në Mali në disa raste, shoqëruan ushtarë në veprim, u takuan me dëshmitarë dhe shqyrtuan dokumente të brendshëm, si dhe të dhëna në dispozicion të publikut. Kërkimet e tyre tregojnë se, në disa raste, ushtarët francezë dhe aleatët e tyre malianë mund të kenë shkelur ligjin ndërkombëtar.

Frustrimi ndaj qeverisë

Mali është për Francën, çfarë është Afganistani për Shtetet e Bashkuara – një luftë në dukje e pafund që është e vështirë të fitohet – dhe një që pretendon vazhdimisht për viktima të pafajshme. Sipas të dhënave nga OJQ Armed Conflict Location & Event Data Project (ACLED), rreth 8,000 civilë janë vrarë në sulme, nga krahë të ndryshëm, që nga viti 2013.

Në të shumtën e rasteve, ushtarët francezë dërgohen në Mali për tre deri në katër muaj si pjesë e operacionit Barkhane. Shumë prej tyre janë të rinj dhe shpesh e kanë të vështirë të vlerësojnë siç duhet situatën në terren.

Francezët, me automjetet e tyre të blinduara, avionët luftarakë dhe dronët, janë ushtarakisht superiorë ndaj kundërshtarëve të tyre. Por ato janë shumë pak të dobishme kur bëhet fjalë për realitetin e përditshëm të luftës. Ashtu si me amerikanët dhe aleatët e tyre në Afganistan, francezët në mënyrë të përsëritur kanë sukses në vrasjen e ekstremistëve, por jo në sjelljen e paqes së qëndrueshme në rajon.

Njerëz të zhvendosur në Mali (Photo by MICHELE CATTANI / AFP)

Disa nga grupet islamike që kontrollojnë pjesë të Sahelit kanë lidhje me Shtetin Islamik ose al-Kaidën. Më e rëndësishmja, grupet janë të ankoruara fort brenda popullsisë dhe janë në gjendje të përdorin zhgënjimin që shumë Malianë ndiejnë ndaj qeverisë qendrore. Qeveria në Bamako konsiderohet e dobët dhe e prirur për korrupsion. Kohët e fundit, ushtria përmbysi qeverinë në një goditje për herë të dytë në nëntë muaj. Mali tani po drejtohet nga koloneli i ushtrisë Assimi Goïta.

Kritikat e dislokimit po rriten, si në Francë dhe Gjermani, dhe politikanët nga disa parti gjermane po kërkojnë tërheqjen e trupave gjermane. Por Kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron të vazhdojë misionin. “Ne besojmë se prania jonë në terren është ende e rëndësishme,” tha Merkel të hënën e kaluar, pas një takimi të përbashkët të ministrave të qeverisë nga Gjermania dhe Franca.

Përfshirja e Francës në Mali filloi me një kërkesë për ndihmë në vitin 2013, nga sundimtarët e vendit, kur xhihadistët u afruan në Bamako. Francezët kishin si synim të qëndronin në vend për disa javë, por fuqia e dikurshme koloniale u fut gjithnjë e më thellë në konflikt. Dhe sa më shumë që vazhdonin luftimet, aq më të mëdha ishin humbjet.

Qeveria në Paris nuk preferon të flasë për viktimat civile të luftës së saj kundër terrorizmit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Franceze, vetëm shtatë civilë janë vrarë në sulme të drejtpërdrejta nga ushtarë francezë që nga viti 2013. Megjithatë, raportet nga Mali tregojnë se numri i vërtetë i të vdekurve është shumë herë më i lartë. Hetimet në këto raste janë të vështira edhe për kombet e tjera të vendosura në Mali, të tilla si Gjermania.

Franca po vepron kryesisht e vetme me Operacionin Barkhane dhe nuk është transparente kundrejt asnjë prej partnerëve të saj të OKB. Bundeswehr, për shembull, nuk ka “asnjë dijeni nga ana e saj” në lidhje me sulmin ndaj Bounti. Dhe askush në Berlin, deri tek Ministri gjerman i Mbrojtjes Annegret Kramp-Karrenbauer nuk dëshiron të komentojë mbi raportin kritik të OKB, pa marrë parasysh qeverinë në Paris. Ministria Gjermane e Mbrojtjes lëshoi një deklaratë të shkurtër mbi këtë çështje, duke thënë se një vlerësim i incidentit nuk është i mundur.

Megjithatë, ka prova se ushtria franceze po i mban qëllimisht të fshehta viktimat e saj civile. Një dokument i brendshëm i Barkhane, i parë nga DER SPIEGEL zbulon se ushtarët francezë qëlluan dhe vranë një burrë mbi një motor, në një fshat në qendër të Malit, që gabimisht menduan se ishte një bombardues vetëvrasës. Në vend që të bëjë përgjegjës ushtarët, Franca u pagoi para të prekurve.

Parisi po përpiqet ta përfshijë më shumë në operacion ushtrinë maliane. Francezët thonë se ata kanë stërvitur 18,000 ushtarë malianë që nga viti 2014. Por forcat e armatosura të Malit mbeten të pajisura dobët, të paorganizuara dhe shpesh mbeten mbrapa xhihadistëve.

Mbrojtës dhe pushtues

Në janar, ushtarët francezë dhe malianë zhvilluan një operacion të përbashkët në fshatrat afër Boulkessi. Ata bastisën disa shtëpi, me sa duket në kërkim të terroristëve. Katër burra u arrestuan. Një dëshmitar pretendon se ushtarët malianë i hodhën burrat “si një thes me oriz” në një automjet. Një ditë më vonë, dy prej tyre u gjetën të vdekur në anë të rrugës. Një i tretë u kthye në shtëpi pas dy javësh paraburgim dhe i katërti mungon ende.  Që atëherë, të gjithë banorët e Boulkessi janë larguar.

Ana e errët e misionit francez në Mali është kryesisht jashtë vëmendjes së publikut. Ndërkohë, forcat e armatosura Maliane rrallë mbajnë përgjegjësi për krime të mundshme të luftës. Dhe disa njerëz në Mali janë duke u zemëruar gjithnjë e më shumë për operacionin ushtarak. Në fillim të këtij viti u zhvilluan protesta kundër Francës në Bamako: Disa nuk i shohin më ushtarët francezë si mbrojtës, por si okupues.

Ka të ngjarë që Presidenti Macron të jetë duke kërkuar një mënyrë që, të paktën, të zvogëlojë dislokimin. Në vitet e fundit, atij i është dashur të qëndrojë para arkivoleve të ushtarëve francezë, përsëri dhe përsëri. Pas puçit më të fundit, ka qenë edhe më e vështirë që misioni të justifikohet politikisht. Në një intervistë të fundit, Macron deklaroi më qartë, se sa e ka bërë më parë, se nuk do të mbështeste një qeveri që i mungon legjitimiteti demokratik.

/Marr me shkurtime nga Der Spiegel/

/Përgatiti ne shqip kumtari.al/

Read Previous

Itali – Angli/ Një finale patriotike për BE-në

Read Next

Aborti