Liga e Konferencës/ Ja çmimet e biletave, AK reagon për hotelet

UEFA ka nxjerrë në shitje biletat për finalen e Ligës së Konferencës që do të mbahet në datën 25 maj, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Me anë të faqes se saj zyrtare në ueb, UEFA ka bërë me dije se 16,500 bileta janë në shitje nga një kapacitet prej 20 mijë vendesh.

Tifozeritë e të dyja skuadrave do të kenë nga 4000 mijë bileta secila, ndërkohë që 8500 kanë dalë në shitje në faqen zyrtare UEFA.com.

Çmimet e tyre ndahen në bazë të kategorive të mëposhtme:

Kategoria 4: 25 euro;

Kategoria 3: 45 euro;

Kategoria 2: 85 euro;

Kategoria 1: 125 euro.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës deklaron se ka nisur të monitorojë tregun pas informacioneve të marra për rritjen e çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme  në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale, Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022.

“Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit. Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme  në qytetin e Tiranës: – të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos; – të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta”, thotë Autoriteti në një njoftim për mediat.

“Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme  në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës”./Syri.net

Read Previous

Fjalët therëse të Kadri Veselit në “gjykatën e nderuar” në Hagë

Read Next

Gjermania përgatit planin e krizës për ndërprerjen e papritur të gazit rus ndërsa Baerbock mbërrin në Kiev