LEGJENDA E SKRAPIT (Triptik tranzicioni)

Nga Edmond Bejtaj 

Chapter One
(Bunkeri)

Pranē rrugës ku kaloj çdo ditë për të shkuar në punë, dikur ndodhej një bunker rrotull të cilit gjithmonë gjëndej nje fshatar ose gruaja e tij, shpesh të dy bashkë, duke gërvishur tokën, mbjellë apo korrur diçka aty ku dikur rezervistët imitonin betejat me armikun imagjinar, ndërkohë që bunkeri qëndronte indiferent, sikur nuk kish të bënte hiç me asgjë nga sa e rrethonte, as me tokën ku ndodhej dhe as me te zotët e saj, mbase duke menduar me krenari, – Ju vazhdoni, se unë kam ardhur për gjë tjetër këtu…
Por një mëngjes pashë burrin që të hipur siper kupolës së betonit me nje varè ne dore, po e thyente atë në një përpjekje krejt të pabarabartë në dukje, njësoj sikur një brumbull i zi toke po luftonte për të çuar në folenë e vet nje topth plehu shumë herē më të madh se trupi i tij, dhe kur kalova në kthim pasdite tek ai vend, ne vend te bunkerit pashë nje si mullar te vogel me shufra hekuri të shtrembëra e te përdredhura dhe nje pirg me beton të thërmuar, ndërkohë që fshatari po i konsumonte kafshatat e fundit drekës së tij, ;
– Përbindëshi i betonit që ishte ndērtuar dhe sjellë per t`i rezistuar sulmit të huaj me armë konvencionale e bërthamore mbi atë parcelë toke, kishte rënë prè e një sulmi të brendshëm, aq të thjeshtë sa nuk e kish menduar kurrë, të ardhur pikërisht nga mikpritësi i tij.
Tamam atëhere kur acari i luftës kish kaluar dhe i lumtur ishte shtriqur nën diell duke menduar se ua kish hedhur paq fuqive të mëdha te botës, i kish mbritur vdekja në formën e nje shqiptari trupvogël por të armatosur me urinë e tij, armën më shkatërruese të shpikur ndonjëherë, e kështu pasi kish kaluar orët e lavdisë nën gjeneralët që e ndërtuan dhe që e përdorën për strategjitë e betejave të cilat nuk u luftuan kurrë, dhe orët e turpit nën jashtëqitjet dhe seksin e shpejtë të nevojtarëve aty pranë, tani i kish mbritur ora e vdekjes ;
– Kur iu ndodha afër mu duk se e dëgjova të rēnkonte nën goditjet e varesë, me dhimbje e kënaqësi njëkohësisht – Jepi fort, ta mbyllim një herë e mirë këtë histori te dhjerë !

Chapter Two
(Saturday night fever)

Aty ku punoj kam nje beteje të pandërprerë me hajdutët e skrapit, e për më keq, ndodh që dëmtojnë pajisje që janë ne punë, duke kujtuar se po presin hekurishte te panevojshme.
Eshte një betejë që bëhet vetëm natën, dhe ashtu sikurse lufta e klasave dikur, ajo eshte herë e ashper dhe herë e butë, por nuk shuhet kurrë, ;
– Ditën jemi miq, ata janë çunat e fshatit me të cilet këmbehem ne rrugë apo klube, më përshëndesin – Ç’kemi shef, – e unë u them – Ç’kemi çuna, – kur takohemi ne kafe ata porosisin kamerierin – Çoji nje uiski shefit, – dhe une u them – Rrofshi çuna, mos u harxhoni, pini ç’te doni nga unë…, – ndersa natën jemi armiq, ata mbijnë nga dheu te armatosur me sharra dhe ne presim të armatosur me pagjumësi dhe durim derisa dikush të lodhet.
Nje ditë ne xhamin e derës se klubit ku pi kafen e mengjesit, ishte vendosur një poster që lajmeronte se diten e shtunë aty do kish muzike live, e per ta bere më joshës lajmin, njoftimi ishte shoqëruar me fotot e dy vajzave, njëra bionde e tjetra brune, me emrat – “Ana balerina” dhe “Blerta balerina”, ne foto dukeshin njëra më e shëmtuar se tjetra, – Kushedi si do jenë vërtet… – mendova dhe pastaj pyeta kamerierin qe eshte njekohesisht pronar i lokalit, – Paskeni muzike lajv të shtunen !?, – Po ore, – mu përgjigj i ngacmuar, – e organizojme shpesh, nuk e di ti ?!, – Jo, po ta dija do kisha ardhur ndonje natë…,- iku të bënte kafen, dhe kur erdhi me tabaka në dorë, me siklet por me vendosmëri, më tha – O shef, leri çunat te vjedhin ndonje cope skrap keto dite, te na dalin leket e balerinave te pakten… !

Chapter Three
(Drejtori)

Para ca ditesh një i njohuri im u emërua drejtor në një ndermarrje te falimentuar prej njëzetë vjetësh, ;
– Qeveritë ndrojnë njera-tjetrën dhe një nga veprimet e para që bëjnë eshte caktimi i drejtorit të ri të asaj gjëje që akoma vazhdojnë ta quajnë ndërmarrje.

– Nuk kape dot ndonjë vend tjeter ?, – Jo, – tha, – u bë luftë e madhe, mezi kapa dhe këtë…, – Si eshte rroga ?, – Copë, por ka akoma ca skrap…, – shqeva sytë i habitur, – Akoma nuk ka mbaruar skrapi atje !?, – Jo, – tha duke buzëqeshur si i kapur ne faj, – Shyqyr Zotit !

Read Previous

“Të interesuar për investime në Shqipëri”, Rama takohet me përfaqësues të industrisë automotive në SHBA

Read Next

Kastriot Çipi: Në varrimin e saj nuk ishte askush në emër të Teatrit Kombëtar, Teatrit Eksperimental…