Lajthit ministri serb, ngre në këmbë kosovarë e ndërkombëtarë

 

Ministri kontravers dhe propagandues i regjimit në Serbi, Aleksander Vulin ka lëshuar një deklaratë skandaloze duke mohuar gjenocidin e forcave serbe në Reçak. Vulin e ka quajtur masakrën e Reçakut “një gëshnjeshtër të tmerrshme, madje ministri serb nuk u ngop me kaq duke e quajtur këtë masakër si një falsifikim dhe trillim, shkruan Syri.net Kosova.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtër të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar sa t’i tregonim gjithë botës se çfarë gënjeshtër e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrës dhe se gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”, tha Vulin.

Keto deklarata skandaloze kanë nxitur reagime të ashpra si nga ana e dëshmitarëve të kësaj ngjarje makabre e deri tek misionet ndërkombëtare.

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, Aleksandar Vulin, tha se “mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë”.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi ka deklaruar se pohimet e Ministrit Vulin për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e Presidentit Vuçiq.

“Pohimet e Ministrit Vulin për Reçakun janë më pak problematike se heshtja e Presidentit Vuçiq. Heshtje që dëshmon se Vuçiqi pajtohet me Vulinin. Se Vulini i thotë mendimet e Vuçiqit që nuk dëshiron t’i thotë publikisht.”, ka theksuar deputeti Kamberi.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i reagojnë dhe t’i bëjnë para së gjithash presion Vuçiqit, si shef dhe mbrojtës i Vulinit.”, ka bërë thirrje Kamberi.

Ndërsa, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet, dhe as nuk duhet të modifikohet ajo që ndodhi në këtë fshat të Kosovës më 1999.

“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano.

Ish-diplomati amerikan, William Walker, thotë se përpjekja e zyrtarëve në Serbi për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd kanë qenë të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.

“Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe”, thotë Walker.

Ai e bën përgjegjës presidentin serb për “rol të rëndësishëm” në fshehjen e krimeve që forcat serbe të sigurisë kanë kryer ndaj popullatës civile në Reçak, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] ka qenë i përfshirë që nga fillimi në përpjekjen për të mbrojtur të pambrojturën, e që është fakti se forcat e sigurisë së Serbisë nuk kanë qenë të përfshira në vetëm atë që ka ndodhur në Reçak, por kanë qenë të përfshira në shumë masakra dhe krime kundër njerëzimit”, thotë Walker.

Tutje, ndaj deklaratave skandaloze ka reaguar edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli me anë të një postimi në Facebook ka thënë  se ai do të angazhohet për nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve të këtij krimi monstruoz.

“Është turp, për ty Vulin dhe gjithë ata që prekun ne plagët e pasheruara!”, ka shkruar Pacolli.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së Hisen Berisha i ka bërë thirrje Shqipërisë që në vigjilje të samitit Ballkani i Hapur në Tiranë, ta dënojë sjelljen e Serbisë për shkak të mohimit të masakrës në Reçak, në të cilën forcat serbe vranë civilë të pafajshëm shqiptarë.

Berisha ka thënë se angazhimi shtetëror nga ana e Serbia për realizimin e një dokumentari mbi tragjedinë e Reçakut, ku ata pohojnë që kjo masakër qenka kinse falsifikim i historisë, tregon që revizionizmi i historisë nga shteti serb, krahas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, po merr përmasa të rrezikshme për paqen dhe pajtimin në rajon.

“Si ish-epror i UÇK-së dhe tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, në vigjilje të samitit të radhës të “Open Balkan” në Tiranë, e ftoj shtetin shqiptar që të dënojë këto sjellje të rrezikshme revizioniste. Revizionizmi i historisë e pengon pajtimin, e pengon dialogun, e pengon bashkëpunimin rajonal si dhe i hap rrugë një konflikti të ri”, ka thënë Berisha.

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, thotë se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish jep një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

Ajo thotë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.

“Ajo, për të cilën flet ministri Vullin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.

Kujtojmë se më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë.

20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar. Ambasadori Ëilliam Ëolker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit.

Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

©Kumtari.al

Read Previous

“Në një krizë të thellë ekzistenciale”, DW: Ringritje apo ndarje e Partisë Demokratike?

Read Next

Mijëra delegatë e simpatizantë në dyert e “Air Albania”, nis identifikimi i delegatëve