Kukësi, qyteti i parë në botë i nominuar për Nobel, shkruan BBC

Qyteti i Kukësit bëri bujë në mbarë botën kur në vitin 2000 u bë qyteti i parë që u nominua për Çmimin Nobel për Paqen.

Kështu e nis artikullin media prestigjoze BBC që kthehet pas në kohë dhe kujton kohën kur qyteti mirëpriti një numër marramendës refugjatësh  nga Kosova të cilët u detyruan të largoheshin për shkak të luftës.

Me një popullsi prej vetëm 16 000 banorësh dhe 20 km larg kufirit ky qyteti përjetoi famën botërore për pak kohë pasi më vonë u përball me një mori krizash pas rënies së komunizmit.

Sapo lufta në Kosovë përfundoi dhe refugjatët u kthyen në shtëpi, Kukësi përjetoi një eksod të vetin, pasi 53% e banorëve u larguan nga qyteti më i varfër i Shqipërisë në kërkim të mundësive ekonomike jashtë vendit.

Por tani, teksa  numri i vizitorëve në Shqipëri rritet, vendasit shpresojnë se turizmi mund të ofrojë një nxitje për brezin e ardhshëm për të qëndruar.

Me ndërtimine aeroportit të ri të Kukësit, shtigjet e ecjes malore dhe reliket komuniste, banorët po i drejtohen historisë së tyre unike dhe bujarisë për të joshur udhëtarët në një nga qoshet më pak të njohura të një prej vendeve më pak të vizituara të Evropës.

Me majat e tij kolosale malore dhe ujërat e lumenjve bruz, është e lehtë të imagjinohet Kukësi dhe rajoni përreth duke u shfaqur si një destinacion i këndshëm aventuresk.

Në fshatin Shistavec, 45 minuta me makinë drejt maleve, shtëpitë prej druri janë ndërtuar për skiatorët dhe alpinistët, dhe në udhëtimet ditore nga Kukësi, turistët mund të mësojnë më shumë për kulturën malore të goranëve që flasin një gjuhë sllave të dallueshme nga shqipja.

Duke hapur dyert për rreth 400 mijë njerëz, Kukësi i tregoi botës se edhe në momentet më të errëta mbizotëron njerëzimi. Tani, banorët shpresojnë të ndajnë historitë e tyre të komunizmit dhe konfliktit duke përhapur gjithashtu idealet e tyre të mikpritjes dhe paqes./Syri.net

Read Previous

Moti sot/Ulen ndjeshëm temperaturat

Read Next

BE arrin marrëveshjen historike! Inteligjenca Artificiale do të rregullohet me ligj