Kryeministri që mbledh plehrat

Nga Elona Caslli
Nën sloganin “ Shqipëri e pastër” kryeministri dje do t’u ofronte shqiptarëve një shfaqje tragjikomike, ku me një qese të zezë në dorë do të vërdallisej brenda një pylli për të mbledhur plehrat.
Në hartimet e hartimet e propagandës tashmë të dalë boje, do të dëgjonim citate të llojit- Të jesh patriot do të thotë të mbash mjedisin pastër”
Tragjikomedia nuk mbaron me kaq. Dekorit do t’i shtohej edhe zoti Niko Peleshi i cili i veshur me kostum do të vërdallisej me qese në dorë nëpër pyll duke mbledhur plehra.
Ministrja Mirela Kumbaro do të shfaqej e fotografuar pranë një qeseje me plehra dhe shumë e shqetësuar do të tregonte me gisht vendin ku ishin mbledhur plehrat.
Kjo shfaqje primitive propagande ku kabineti qeveritar mbledh plehrat, nuk është as më pak e as më shumë prova e pakundërshtueshme e faktit që institucionet në këtë vend nuk funksionojnë.
Edi Rama ka plot tetë vite në qeverisje. Shqiptarët paguajnë taksa pastrimi rregullisht dhe nëse këto taksa do të administroheshin si duhet, shqiptarët nuk do të përballeshin me një kryeministër që shëtit me qese plehrash në duar me dhjetë fotografë dhe kameramanë e vete.
Pjesa kulmore e ligjërimit ishte çasti kur Edi Rama dha leksion se si duhet të sillej një kryebashkiak për të mbajtur qytetin pastër. Edi Rama u shpreh:
– Një kryebashkiak në fundjavë duhet të marrë një qese plehrash dhe duhet të mbledhë plehrat dhe teksa i mbledh duhet t’u thotë qytetarëve: – Ju lutem mos na ktheni prapa në kohë. Unë po i mbledh sot, por nuk i mbledh më nesër.
Ky leksion prej kryeministrit është kryekëput poshtërues për këdo që e dëgjon.
Një kryebashkiaku i mjafton veç të administrojë si duhet taksat e qytetarëve dhe asgjë më shumë.
Kryeministrit duhet t’i kujtojmë thënien: Njeriu që bën gjithçka, në të vërtetë nuk bën asgjë.
Post Scriptum- Edi Ramën e kemi parë të kërcejë, të këndojë, të luajë film, të luajë basketboll, të bëjë dush dhe të mbledhë plehra para shqiptarëve, por për fat të keq nuk e kemi parë kurrë të bëjë kryeministrin para tyre.

Read Previous

Rritja e çmimeve shqetëson konsumatorët, besimi në ekonomi bie për të tretin muaj radhazi

Read Next

Analize : Cleo Smith, Gabby Petito dhe krimi viral në mediat sociale