Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe arrestohet për abuzime me tenderin

Prokuroria e Posaçme, SPAK akuzon kryebashkiakun Tushe, tetë vartës të tij dhe dy biznesmenë për korrupsion dhe shpërdorim detyre në lidhje me një tender të Bashkisë së Lushnjes.

Kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe përfundoi në pranga të martën, i akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me një tender të bashkisë së drejtuar prej tij. Prokuroria e Posaçme, SPAK urdhëroi gjithashtu arrestimin e 4 vartësve të Tushës dhe dy biznesmenëve, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes u lanë në masën e “arrestit në shtëpi” nga gjykata.

SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

“Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me metodat tradicionale të hetimit,” thuhet në një deklaratë të SPAK.

Tushe, një ish-deputet i Partisë Socialiste e drejton Bashkinë e Lushnjes prej vitit 2011. Në 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur pas një granate të hedhur në zyrën e tij nga një ish-shofer i bashkisë.

Bashkë me Tushen, SPAK arrestoi të martën edhe Flamur Peqinin, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjes si dhe administratorët Bujar Murati i kompanisë “Euro Alb” dhe Ibrahim Lami i “Loti” sh.p.k.

Peqini dhe vartësit e tij akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa dy biznesmenët akuzohet për “falsifikim dokumentesh”.

Tushe është një ndër zyrtarët më të lartë në detyrë të arrestuar deri më tani nga SPAK dhe operacioni u komentua nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe kryeministri Edi Rama.

Ndërsa ambasadorja Kim theksoi se “askush nuk është mbi ligjin”, kryeministri Edi Rama deklaroi në Tëitter se Partia Socialiste nuk do të mbrojë kryetarin e Bashkisë së Lushnjes dhe asnjë zyrtar tjetër të akuzuar nga drejtësia.

Masat e “arrestit me burg”

Fatos Tushe, kryetar i Bashkisë së Lushnjes

Flamur Peqini, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike

Ibrahim Lami, administrator i kompanisë “Loti” sh.p.k

Bujar Murati, administrator i kompanisë “Euro Alb”

Gazment Çela, punonjës i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike

Bektash Nexha, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Blerta Turku, zyrtare e Drejtorisë së Pasurisë Publike

Masat e “arrestit në shtëpi”

Xhemal Hasko, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Margarita Gjermeni, punonjëse e Drejtorisë së Pasurisë Publike

Andri Musho, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Ani Simoni, punonjës i Drejtorisë së Pasurisë Publike

Reporter.al

Read Previous

Zhduket nga radari avioni në Rusi / 28 persona në bord

Read Next

Shqipëria, me numrin më të madh të bizneseve në rajon, që sigurojnë 75-100% të të ardhurave nga tenderët publikë