Kriza energjitike/ Gjermania do të mbajë në punë gjatë dimrit dy centrale bërthamore

A është i sigurt furnizimi me energji elektrike gjatë dimrit? Gjermania paralajmëron qytetarët

Gjermania do të mbajë në punë gjatë dimrit dy centrale bërthamore, që ishin planifikuar të mbylleshin në fund të këtij viti. Për çdo eventualitet, thotë ministri i Ekonomisë, Habeck.

Rrjeti është stabil, furnizimi me energji elektrike është i siguruar – Ministri i Ekonomisë Habeck tha të hënën se në Gjermania ka rrymë të bollshme për të kaluar dimrin.

E megjithatë, dy centrale bërthamore; Isar 2 dhe Neckarwestheim, do të rrinë të hapura, për çdo eventualitet. Ky ishte rezultati i provës së stresit, që prezantoi të hënën në mbrëmje në Berlin ministri gjerman, Robert Habeck.

“Një teknologji me rrezik të lartë”

Dy centralet në jug të Gjermanisë do të mbeten në punë si rezervë, deri në prill 2023. Më pas edhe ato do të hiqen nga rrjeti, tha Habeck. Energjia bërthamore mbetet një teknologji me rrezik të lartë, dhe veç të tjerash ajo nuk është e qëndrueshme, argumentoi ministri ekologjist. Këtë e tregon edhe shembulli i Francës, ku aktualisht gjysma e centraleve bërthamorë prodhojnë energji elektrike, pasi ato duhet të mirëmbahen, ose për shkak të thatësirës. “Problemi kryesor për momentin janë ndryshimet  klimatike të  energjisë bërthamore në Francë,” tha Habeck.  Lumi Rhône është shumë i ngrohtë dhe niveli i ujit në të është tepër i ulët për të ftohur centralet bërthamore në masën e nevojshme.

Deutschland Kernkraftwerk Neckarwestheim
Centrali Berthamor Neckarwestheim në jug tö Gjermanisë

Mollë sherri në koalicionin qeveritar

Çështja e centraleve bërthamore është një nga temat e mosmarrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit në Gjermani. Liberalët e ministrit të Financave, Christian Lindner, janë pro përftimit të energjisë me anë të centraleve bërthamore. Të Gjelbrit, prej nga vjen edhe ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Robert Habeck, janë kundër. Habeck thotë se, përveç rrezikut të lartë të teknologjisë, mbajtja e centraleve përtej këtij dimri nuk ka kuptim, sepse deri në dimrin e ardhshëm Gjermania do të ndërtojë kapacitete të tjera të furnizimit të energjisë me gaz të lëngshëm nëpërmjet Detit Baltik dhe Detit të Veriut. “Të paraqesësh energjinë bërthamore si zgjidhje është faktikisht dhe teknikisht e pasaktë.” Habeck tha se edhe sikur të mos mbylleshin në fund të vitit, sipas planit, centralët bërthamorë nuk do të mjaftonin për të përmbushur të gjitha nevojat e Gjermanisë për energji.

Habeck tha se ai vetë nuk llogarit me furnizime nga Rusia. “Në se ka një gjë që është e sigurt, është se Rusisë nuk i zihet besë”, tha ministri gjerman. Të shtunën e kaluar, gjigandi rus Gazprom, nuk e rifilloi furnizimin e Gjermanisë me gaz nga gazsjellësi Nord Stream 1 me pretekstin se ka një defekt në turbinë.

Gjermania ka aktualisht tre centrale bërthamorë në punë. Pas katastrofës së centralit në Fukushima, në vitin 2011, kancelarja e atëhershme Angela Merkel vendosi të mbyllte gradualisht të gjitha centralet bërthamore në Gjermani. Kjo ishte një pikë kthese në politikën gjermane.

DW

Read Previous

Royal Haskoning DHV: Kosto e ndërtimit të Porto Romanos, 2 miliardë euro

Read Next

Gazprom kërcënon se do ta lërë Gjermaninë pa gaz