Krenar për ata djem dhe vajza që luftuan deri më 17 nëntor 1944

Nga Roland Qafoku

Lufta për çlirimin e Tiranës që përfundoi më 17 nëntor 1944 është një ngjarje që duhet të na bëjë krenarë. Shqiptarët luftuan që çke me të dhe derdhën gjak për çlirimin e kryeqytetit tonë. Sigurisht që ne shqiptarët nuk kishim ushtri të mirë, të pajisur mirë dhe të denjë për të bërë luftë të madhe. Na ndihmoi shumë me armë dhe municione Britania. Por ama ata djem e vajza që me armë në dorë luftuan rrugëve të Tiranës për të luftuar ndaj gjermanëve sot mua personalisht më bëjnë të çohem në këmbë dhe të rri në heshtje për atë akt sublim. Çdo devijim nga kjo e vërtetë është dashakeqësi me një qëllim që në rastin më të mirë e bëjnë nga padija. Pastaj që kjo luftë u shfrytëzua nga komunistët dhe Enver Hoxha për ta kthyer në regjim diktatorial nga më të egrit në kontinent kjo është mëse e vërtetë dhe nuk mund ta mohojë kush. Në internet valëviten disa dokumente dhe urdhra pas datës 17 nëntor të Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Duhet të jesh i paditur të lidhësh instalimin e komunizmit me ata që luftuan për të çliruar Tiranën. Të parët ishin komunistë që kërkonin pushtetin me armë, të dytët ishin patriotë që kërkonin çlirimin e Shqipërisë dhe pastaj të shkonin në shtëpi. Por pse ndodhi që komunistët erdhën në pushtet duke kryer terror pasi Tirana u çlirua kjo nuk mund të çojë në hedhjen poshtë të mundit, gjakut dhe idealit për atdheun e atyre bijve dhe bijave që luftuan për Shqipërinë dhe jo për komunizmin. Për çlirimin e Shqipërisë nuk luftuan vetëm komunistët. Nëse dikush mendon ëkshtu, kjo është teza më e turpshme për atë që ndodhi në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk kam lexuar asnjë historian të huaj që të mos ketë mbajtur këtë vijë në të gjitha studimet që kanë bërë për rezistencën në Shqipëri gjatë Lufëts së Dytë Botërore. Asnjë prej atyre që ka trajtuar këtë rezistencë nuk tallet, nuk mohon dhe nuk e nënvlerëosn atë që ka ndodhur në nëntorin e 77 viteve më parë. Ndërsa këtu te ne jo pak syresh mundohen ta zbehin, të zvogëlojnë dhe ta sfumojnë atë rezistencë. Më bëjnë të qesh që ndonjë deputet publikon në facebook fletushka që mund ti gjesh kollaj në google image dhe bën koment pa lexuar qoftë edhe një libër të vetëm historie pavarësisht edukimit në Perëndim.

Jooo! Ajo që ndodhi në Tiranë ato ditë lufte ishte dhe mbetet pjesa më e lavdishme e popullit tonë. Këto që shikoni janë dy fotografi nga Tirana e asaj kohe. Në foton e parë janë disa ushtarë gjermanë që ecin me hap rreshtor në rrugën e Kavajës drejt qendrës së Tiranës dhe në foton e dytë shquhen ushtarë gjermanë të vrarë në rrugë. Janë foto që nuk kërkojnë shumë koment. Shqiptarët luftuan, vranë por edhe u vranë në këtë luftë. Asnjë rezistencë tjetër e shqiptarëve ndaj një pushtuesi nuk ka qenë në ato përmasa si ajo e Luftës së Dytë Botërore që nga koha e Skënderbeut. Por siç e ka thënë edhe amerikani Bernd Fischer që të kuptosh shqiptarët e viteve 2000 duhet të njohësh shqiptarët e Luftës së Dytë Botërre. Po ku kanë kohë deputetët të lexojnë, e aq më tepër Fischerin. Krenar që brezi i gjyshërve të mi luftuan me armë, jo për të sjellë komunizmin, por për të çliruar atdheun. Nderim për ata që dhanë jetën!

/kumtari.al/

Read Previous

LAJM I FUNDIT/ Zbulohet data, ja kur Gjykata Kushtetuese do të vendosë për fatin e Metës

Read Next

Një sqarim për opinionin dhe një këshille profesionale për gazetarët e Fix-it