Kosova po mban sot gjedhjet lokale në 38 komuna.

Sot, 17.10.2021, në Kosovë zhvillohen zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe përfaqësues në këshillat komunale.

Zgjedhje zhvillohen në 38 komuna të Kosovës përfshirë edhe ato në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. Numri i qendrave të votimit në të gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 qendra votimi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bëri të ditur se ka çertifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021.

“Lista e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021 përmban 1 milionë e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021”, njofton KQZ.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit konkurojnë 94 subjekte politike. 32 prej tyre janë Parti politike, një koalicion, 35 iniciativa qytetare e 26 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar në këto zgjedhje është 4.920, ku  165 prej tyre do të jenë kandidatë për kryetarë komunash.

Në Kosovë ende janë në fuqi masat anti-COVID dhe ndalimqarkullimi nga ora 22:00, deri në gjashtë të mëngjesit, por kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi,  ka thënë se kanë bërë kërkesë në qeveri për heqjen e përkohshme të orës policore, për 48 orë për të shtunën dhe dielën (16. – 17.10), gjatë kohës sa vendi është në procesin zgjedhor.

Nga prokuroria e shtetit kanë thënë, se kanë krijuar mekanizmat për një proces të mirëfilltë me mision mbrojtjen e votës së qytetarit.

“Do të jenë 80 prokurorë kujdestar në 38 komunat e Kosovës. Nëse do të ketë keqpërdorim të votës, prokuroria dhe policia do të ndalojnë dhe arrestojnë qytetarët, por edhe ata që e mundësojnë këtë”, ka thënë Prokurorja Laura Pula.

Edhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë, se “policia ka krijuar urdhër-planin operativ në nivel vendi për mbajtjen e rendit dhe qetësisë për sigurimin e vendvotimeve, qendrave të votimit, sigurim dhe shpërndarje të materialit sensitiv”. 3553 policë do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi, se 35 gjyqtarë, kujdestar në nivel vendi do të jenë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve.

Votuesve nuk do t’u kërkohet dëshmia se janë vaksinuar apo testet për COVID-19. Masa të tilla do të ketë edhe për vëzhguesit dhe stafin zgjedhor. Këta do të jenë të detyruar që mbikëqyrjen e procesit zgjedhor ta bëjnë duke ofruar një nga dëshmitë.

Zgjedhjet po monitorohen nga mijëra vëzhgues të vendit, ndërsa Bashkimi Evropian tashmë ka në terren një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale. Kërkesa drejtuar BE-së për këtë mision vëzhgimi është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Read Previous

Praktika e Kosovës për verifikimin e personave të dhunuar “ndër më të mirat në botë”

Read Next

Sot po mbahen zgjedhje lokale edhe në Maqedoninë e Veriut