Korrupsioni në dogana/ Arrestohen 4 punonjës të doganës dhe 3 shtetas

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në kuadër të operacionit “Dinarët” ka arrestuar në flagrancë 2 punonjës policie të Pikës Kufitare Qafë-Thanë, 2 doganierë dhe 3 shtetas për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion aktiv/pasiv” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe veprimeve abuzive në pikat kufitare, nga informacionet e marra në rrugë operative nga AMP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e luftës kundër krimit ekonomik dhe njësinë operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, kapën në flagrancë shtetasit J. H., B. H. dhe F. G.

Shtetasit e lartpërmendur janë kapur në flagrancë ndërsa udhëtonin me mjete të ndryshme nga shërbimet në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë, duke transportuar mallra ushqimore të futura kontrabandë nga Pika e Kalimit Kufitar “Qafë-Thanë”, duke shmangur detyrimet doganore. Në vijim të veprimeve hetimore rezultoi e provuar se shtetasit e mësipërm janë favorizuar kundrejt shumave në para nga punonjës policie në bashkëpunim me punonjës të doganës me detyrë doganier pranë kësaj pike kufitare.

Për sa më sipër nga AMP në bashkëpunim me DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal, për:

– Inspektor A. H., 43 vjeç, ndihmës/specialist kontrollor në PKK Qafë-Thanë.

– Inspektor F. M., 38 vjeç, trupë shërbimi në PKK Qafë-Thanë.

– V. B., 53 vjeç, me detyrë doganier pranë degës doganore Qafë-Thanë.

– J. P., 45vjeç, me detyrë doganier pranë degës doganore Qafë-Thanë.

Po ashtu në vijim të veprimeve paraprake hetimore u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga nenet 174 dhe 244 të Kodit Penal shtetasit:

– J. H., 37 vjeç, banues në Librazhd

– B. H., 38 vjeç, banuese në Librazhd

– F. G., 22 vjeç, banues në Librazhd

Nga veprimet hetimore të kryera dhe këqyrja e pamjeve filmike është provuar se punonjësit e policisë së Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë në bashkëpunim me punonjësit e doganës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe kundrejt shpërblimeve në para, kanë favorizuar shtetasit e mësipërm në kalimin e mallrave kontrabandë pa kryer procedurën e zhdoganimit.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 automjete, 9 aparate celularë, sasi vlerash monetare të përfituara në mënyrë të kundërligjshme nga aktiviteti i kontrabandës në ambientet e punës, sasi e konsiderueshme e mallrave ushqimore dhe pijeve të ndryshme, si dhe mallra të tjera.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Read Previous

Këlcyrë/ Plagoset me thikë një 18-vjeçar

Read Next

Tërmet i fortë godet Afganistanin/ Rreth 300 të vdekur