Korporata e pangopur e Rilindjes

Nga Klodian Tomorri

Sikur të dalë ministri i ndërtimit në Itali apo Francë dhe të propozojë një projektligj për të shembur ndërtesat me moshë mbi 50 vjet, e mbyllin në çmendinë. Por qeveria shqiptare e ka neutralizuar me kohë këtë risk se ka futur vetë popullin në çmendinë.

Ka një film të Milos Formanit me Jack Nicholson, që luhet në një spital psikiatrik. Aty është një kryeinfermiere që dhunon të sëmurët mendore dhe herë pas herë u impononte atyre masa si këto, që imponon qeveria e shokëve të Çarlit, për t’i testuar deri ku mbanin. Dhe ajo që ndodhte është se të çmendurit shkallonin edhe më shumë. Tani të kthehemi tek spitali ynë psikiatrik.

Historia e këtij projektligjit të pallateve është kështu. Dikush i ka vënë syrin Pallateve Agimi dhe Shallvareve. Për këtë po bëhet kjo punë. Dhe kur të fillojnë ato vlerësimet teknike që do bëjë Instituti i Ndërtimit, Pallatet Agimi do të dalin me një rrezikshmëri shumë të lartë.

Pasi të bëhet vlerësimi, do vijë zgjidhja që do të shpëtojë miletin nga hataja. Do shemben pallatet dhe në vend të tyre do të ndërtohen kulla shumëkatëshe. Pra, nga investitorët strategjikë, kalojmë te pallatet strategjike.

Tani pse bëhet kjo? E para se mbaroi toka. Nuk ka më vend në Tiranë për të ndërtuar. Edhe ato terrenet që ishin në mes të pallateve i gllabëruan duke ndërtuar kulla me forma të çuditshme, diku trekëndësh, diku hekzagon, si ta impononte terreni. Tani duhen shembur pallatet e vjetra për të liruar tokë.

Arsyeja e dyte është fitimi. Sot në Tiranë, pronarët e truallit marrin deri në 50 për qind të ndërtimit. Këtyre banoreve që janë tek pallatet e vjetra të Bllokut, maksimumi do u kompensojnë një hyrje aq sa e kane sot, njësoj si skema e tërmetit. Por nëse pallati nga 5-katësh, bëhet me 40 kate, pjesa e pronarëve zbret në 12 për qind.

Qëllimi është gjithmonë ai. Maksimizimi i fitimit. Kjo është Korporata e Rilindjes.

Read Previous

Shqipëria , e treta në Europë për numrin e madh të kafeneve, mbi Spanjën dhe Italinë

Read Next

Aksidenti tragjik i dy trenave/ Ursula von der Leyen solidarizohet me popullin grek pak: Ne jemi me ju!