Kontrabanda e ilaçeve në Shqipëri, shpërtheu gjatë pandemisë. Asnjë institucion nuk kontrolloi farmacitë dhe as sensibilizoi shqiptarët për efektet anësore të barnave të palejuara

Nga Klevis Paloka

Receta që më firmosi mjeku në atë kohë kur u prekëm familjarisht nga Covidi mbaj mend që sugjeronte favira”, tregon Artani për “Sinjalizo”. Sipas 43 vjeçarit, në një kohë jo shumë të largët por diçka rreth muajit janar 2021, ai ndoqi një skemë aspak të fshehtë dhe që kishte pushtuar vendin. Përmes porosisë së mjekut të familjes, ai bleu antiviralët që nuk gjenden në farmaci private që i mbanin barnat në depot farmaceutike. “Për ne, nuk kishte rëndësi nëse ishin të miratuara apo jo, na duheshin ilaçe dhe do ti blenim me çdo çmim”, kujton i riu për të cilin ashtu si për dhjetra qytetarë të prekur nga virusi Sars Covid-2, nuk kishte asnjë kuptim termi kontrabandë, apo vlera e shumëfishtë e tyre që rëndoi xhepat e kujtdo. Megjithatë të dhënat e “Sinjalizo” tregojnë se si ilaçe të shumta për kurimin e Covidit, apo problemeve anësore që la virusi “u importuan” në fshehtësi nga Greqia dhe Turqia dhe tregu i zi lulëzoi, ashtu sikundër vijon ende.

Një hetim i prokurorisë së Tiranës i shtrirë për nëntë muaj në kohë, tentoi të godiste dhe të zbërthente format se si ilaçet futeshin në Shqipëri dhe për këtë arsye infiltroi agjentë të fshehtë.

Agjentët e krimeve të emërtuar me kode për shkak të fshehtësisë zbarkuan në disa farmaci përmes metodave të paraqitjes si një klient i zakonshëm që kishte probleme shëndetësore dhe aty u blenë barnat antivirale”, shprehet një nga zyrtarët e Policisë së kryeqytetit. Zyrtari përmend se fletë-arrestet që u firmosën lidheshin vetëm me kushtet e flagrancës dhe më pas dërguan vetëm për pak orë në qeli të dyshuarit. Pesë prej tyre ishin administrator deposh farmaceutike dhe konkretisht shtetasit Blerim Bitri, 40 vjeç administrator farmacie, Florian Marku gjithashtu në të njëjtën detyrë, Florian Lila, Bashkim Osmani dhe Sokol Topçiu. Dy të tjerët dyshohen në role të tjera gjatë kontrabandimit si Margarita Xhaxhiu e dyshuar si dërguese e barnave, Jani Papuli farmacist. Megjithatë disa orë mbas bujës policore që njoftoi se kreu arrestet për akuzat e prodhimit dhe tregtimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara dhe të rrezikshme për shëndetin si dhe tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë, gjyqtari penalist i liroi që të gjithë duke i dërguar me masa të lehta të arrestit shtëpiak. “Gjyqtari caktoi disa detyra- deklaroi njëri nga avokatët e çështjes për “Sinjalizo”- të tilla si marrja e një përgjigjeje nga Agjencia Kombëtare e Barnave.

Por nga monitorimi i “Sinjalizo”, ndonëse ky institucion ka për detyrë garantimin e popullatës me barna të sigurta, cilësore dhe efikase, të kontrollojë prodhimin, importin-eksportin dhe shpërndarjen e barnave, të kontrollojë cilësinë e tyre dhe të monitorojë efikasitetin e barnave të përdorura gjatë periudhës së pandemisë rezulton se nuk pati asnjë raport zyrtar mbi fenomenin e ilaceve të tregut të zi, me të cilat u kuruan shqiptarët. Njëherazi AKBPM nuk informoi dhe sensibilizoi popullatën dhe institucionet shëndetësore dhe profesionistët e shëndetit, si dhe pati rol të padukshëm për të siguruar tregtimin e barnave me çmime të unifikuara dhe për të luftuar kontrabandën” shkruan njëri nga qytetarët në anonimitet të plotë në platformën “Sinjalizo”.

Nëse u krye apo jo inspektimi në fushën farmaceutike gjatë pandemisë dhe nëse funksionoi apo jo farmako- vigjilenca, kjo do të jetë e qartë me shkresa dokumentare, mbas kërkesës së gjykatës për listën e ilaçeve që u blenë nga grupet hetimore në formë të stimuluar.

Çfarë u ble dhe çfarë dyshohet kontrabandë…

Medikamentet që ju shitën agjentëve të infiltruar në farmacitë nën hetim  dhe që janë sekuestruar konstatohen në dosjen hetimore të jenë  “Inhixa, Clexane, Favira, Alphagan, Cyrotex, Aricept, Medrol, Coaprovel”. Shumica e tyre, sipas përshkrimit të  Prokurorisë së Tiranës, thuhet se janë medikamente që shërbejnë për trajtimin e COVID-19 dhe u shitën në treg me çmim shumë herë më të lartë se sa ishin blerë.

Këtë fakt e konfirmuan edhe burimet nga Krimi Ekonomik dhe se nuk ka një shifër se sa është dëmi ekonomik ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Shiteshin 10-fish më shtrenjtë se çmimi i tyre, nëse një prej medikamaneteve në vendet e tjera kushton 25 dollarë, këtu shitej 250 dollarë. Por kishte edhe nga ata që shiteshin 3-fishin e çmimit të tyre real. Nuk mund të kemi një shifër të dëmit ekonomik, pasi për 10 muaj këto farmaci kanë shitur ilaçe vazhdimisht, por mund të them që dëmi ekonomik është me shifra marramendëse si ndaj shtetit por edhe ndaj qytetarëve”, thekson një burim nga Krimi Ekonomik për “SINJALIZO”.

Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës thuhet se kryesisht këto farmaci ishin në vendosura në Tiranë, por edhe në qytetin e Kamzës.

Farmacitë që janë zbuluar si  të përfshira në këtë skemë janë: “Flori Farma” me vendndodhje në Bulevardin “Zogu i Parë”, “StoreFarma” me vendndodhje në “Rruga Kastrioti”, “Farmanet” në Bulevardin “Bajram Curri”, “Farmaci Elda” tek “Rruga e Durrësit, dhe “Farmaci Bliri” në Kamëz.

Blerjet që janë bërë në mënyrë të stimuluar dhe janë kryer nga oficerët më shumë se sa 5 herë për ilaçe të ndryshme anti-Covid që nuk rezultonin të regjistruara apo se mund të kishte gjendje në depot farmaceutike.

Edhe pse gjykata urdhëroi verifikimin dhe pavarësisht këmbënguljes së prokurorisë që tregoi se medikamentet nuk janë në listën e barnave të miratuara dhe ndaj konsiderohen kontrabandë, ACQJ kreu një monitorim të thjeshtë. Prej aty është e qartë se asnjë prej medikamenteve të sekuestruara “Inhixa, Clexane, Favira, Alphagan, Cyrotex, Aricept, Medrol, Coaprovel” nuk janë në listën e barnave të miratuara që të tregtohen pa recetë mjekësore nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa një pjesë e tyre nuk bëjnë pjesë as si barna të rregjistruara që të përdoren në Shqipëri, siç janë Alphagan, Cyrotex dhe Favira.

ACQJ kontaktoi edhe me avokatin e njërit prej të arrestuarve, Ardian Visha por ai nuk pranoi të jepte një koment për këtë çështje.

Sakaq Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore arriti të mësonte se përveç këtyre farmacive, në hetim janë edhe rreth 50 farmaci të tjera të cilat dyshohen se shesin këto medikamente në mënyre kontrabandë në zonën e Tiranës.

Por për mua nuk ka rëndësi nëse është kontrabandë apo jo, as se çfarë efekti pati medikamenti madje as sa shtrenjtë e bleva”, shton Artani për “Sinjalizo” duke kujtuar se agjencia përkatëse duhej të ushtronte jo vetëm kontrolle por edhe sensibilizim. “Unë aktualisht kurohem nga tensioni, nuk e di nëse këtë kleçkë ma la Covid-i, apo ma lanë dozat e ilaçeve që i pija sikur të ishin vitamina”, mbyll ish pacienti që u kurua përmes telefonit nga mjeku që përzgjodhi dhe që i shkruante herë pas here ilaçe që vetë ai vraponte për ti blerë.

Aksione dhe plane

Rreth 3 vite më parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale filloi një aksion ku i hapi luftë të gjitha farmacive për barnat që i tregtonin në të zezë por edhe pa recetën e mjekut.

Më një urdhër të ministres Ogerta Manastirliu, gjatë përiudhës shtator 2018 deri në qershor 2019 u ngritën 4 task-forca. Këto task-forca të cilat funksionuan për vetëm disa muaj arritën të vendosnin disa gjoba me një vlerë totale prej 1.5 milionë lekësh për dhënien e ilaçeve pa recetën e mjekut dhe për tregtim të barnave pa pullë.

Ironikisht, kjo task-forcë nuk është më në fuqi pikërisht në këtë kohë kur edhe tregu i ilaçeve mori përmasa të mëdha për shkak të pandemisë Covid-19.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah faktin se për 2020, në kulmin e pandemisë dhe të tregëtimit të barnave kontrabandë, Agjencia Kombëtare nuk ka kryer asnjë analizë.

Institucioni për një periudhë rreth 11 muaj nuk ka kryer analiza të barnave të cilat importohen/prodhohen në vend, lëndëve të para farmaceutike, barnave sipas sondazheve në treg etj, çka nuk garanton sigurinë dhe cilësinë e kërkuar të barnave të ofruara në treg. Numri i ulët i analizave gjatë vitit 2019 dhe mungesa e tyre tërësisht gjatë vitit 2020. Mungesa e analizave në afatgjatë ka ndikime të rëndësishme në ruajtjen e shëndetit të popullatës dhe ato nuk mund të justifikojnë ndërprerjen e plotë të analizave”, theksohet në raportin e KLSH-së.

ACQJ kontaktoi edhe me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për ta pyetur në lidhje me kontrollet e kryera gjatë këtij 9 mujori në të gjitha farmacitë e vendit, por sidomos në Tiranë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk pati asnjë përgjigje.

Mjekët: Medikamentet sduhet të jepeshin pa recetë

Për mjekun Ilir Alimehmehti kjo gjë nuk duhet të kishte ndodhur pasi asnjë nga këto nga medikamente nuk mund të jepet pa recete mjeku.

Asnjë nga këto mjekime nuk jepet dot pa recetë mjeku. Çdo medikament ka të veçantat e tij, për të cilat mjafton të lexohet fletushka shoqëruese. Mjekimet spitalore në mënyrë absolute nuk duhen përdorur në mënyrë ambulatore. Të gjitha indikacionet, kundra-indikacionet dhe efektet anësore të mundshme vlerësohen nga mjeku kurues”, shprehet mjeku Ilir Alimehmeti.

Në fakt, dëshmitë e shumta të shtetasve të prekur nga Covid-19 tregojnë pikërisht këtë gjë. Ilaçe të tregëtuara përmes telefonit dhe pa lënë një gjurmë siç do të ishte receta.

Pyetja që mbetet pa përgjigje është pse këto farmaci u lejuan për një kohë të gjatë të shisnin ilaçe të kontrabanduara dhe përse asnjë nga institucionet e ngarkuara me ligj jo vetëm nuk kontrolluan, por së paku as që sensibilizuan qytetarët mbi medikamentet që tregëtohen. Dëmi ekonomik përmos efekteve që mund të kenë lënë këto ilaçe është një tjetër problem që sërisht u faturua në xhepat e shqiptarëve. Duket se të vetmit që funksionuan ishin mediat si ACQJ që ka denoncuar mbi çështjen e trafikut të ilaçeve të shitura në të zezë, madje që edhe ilaçe që nuk lejohen fare siç është edhe rasti i ilaçit “Favira”, i kapur në këto farmaci, por që nuk është miratuar nga Agjencia e Barnave./acqj.al

Read Previous

Rusia fut Evropën në “akullnajë energjitike”

Read Next

Broja shënon për skuadrën e tij në Premier Ligë