Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikon raportin për fushatën elektorale. Ja shkeljet që u bënë…

Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një raport të bërë publik për mediat, ka vërejtur se në disa KZAZ lista e zgjedhjeve është publikuar përtej afatit ligjor që parashikohet ose në disa raste të tjera zgjedhësit kanë patur pengesa dhe vështirësi në aksesin e tyre për t’u njohur me përmbajtjen e listave, për shkak të formës që është përzgjedhur nga administrata zgjedhore vendore për afishimin e tyre.

Ky detyrim ligjor në tërësi nuk është zbatuar, si rrjedhojë e mos akordimit të fondit nga Ministria e Brendshme.

KShH ka shprehur keqardhjen se kjo problematikë rezulton e përsëritur në zgjedhjet e mbajtura vitet e fundit në vendin tonë, ndërkohë që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje, mbeten të pazbatuara. Po ashtu është vërejtur se fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve). Pavarësisht se data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar. KQZ ka qenë në dijeni të këtyre fakteve të bëra në shumë raste publike në media, por Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione në këtë drejtim.

Sipas raportit, numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta.

 

Raporti i plotë: 

KOMITETI SHQIPTAR I HELSINKIT
RAPORT I NDËRMJETËM MBI MONITORIMIN E PROCESIT PARAGJEDHOR PËR ZGJEDHJET LOKALE 14 MAJ 2023

Publikuar, në dt.12 Maj 2023

Hyrje

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me dekretin nr. 13864, datë 24.10.2022, ka caktuar datën 14 maj 2023, si datën e zhvillimit të Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore.
Në përputhje me misionin e tij, për të kontribuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është angazhuar në monitorimin e procesit parazgjedhor dhe klimës së këtij procesi. Me një fokus më të shtuar në monitorimin e fazës parazgjedhore, në raport me zgjedhjet e kaluara, KShH është angazhuar gjithashtu edhe në vlerësimin e situatës së hetimit të veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik, në 6 vitet e fundit, si dhe identifikimin dhe marrjen e informacionit nga organet ligjzbatuese për të dhënat lidhur me veprat penale për zgjedhjet e qeverisjes vendore të dt.14 Maj 2023.
Në Mars 2023, KQZ miratoi listën prej 30 vëzhguesish afatgjatë të KShH-së, të cilët shtrinë monitorimin në 14 Bashki të Vendit, përkatësisht në Shkodër, Dibër, Malësi e Madhe, Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër. Vëzhguesit ju nënshtruan dy trajnimeve, të cilat synuan rritjen e kapaciteteve mbi aspektet teorike dhe praktike të lidhura me legjislacionin zgjedhor dhe metodologjinë e monitorimit, e cila bazohet në parimet e objektivitetit, verifikimit, dhe profesionalizmit.
Struktura e këtij raporti, ndjek në mënyrë kronologjike, çështjet objekt monitorimi që vëzhguesit e KShH-së kanë realizuar me anë të pyetësorëve të dedikuar, duke filluar me publikimin e listave të zgjedhësve, funksionimin e KQZ-së si organi më i lartë i administrimit zgjedhor, ngritjen dhe funksionimin e organeve të nivelit të dytë dhe të tretë të administrimit zgjedhor, fushatën e parakohshme zgjedhore dhe më tej fushatën zyrtare. Në përfundim, KShH jep një pasqyrë të përgjithshme të sfidave të sinjalizimit dhe hetimit të veprave penale në fushën e zgjedhjeve, duke reflektuar edhe perceptimet e qytetarëve nga kontaktet e marra me ta në terren.
Të dhënat dhe konkluzionet e paraqitura në këtë raport janë paraprake dhe i përkasin fazës parazgjedhore. KShH do të vijojë të ndajë me publikun raportime për faza të tjera të procesit të respektimit të heshtjes zgjedhore, dorëzimit të materialeve pranë QV, procesit të votimit dhe numërimit. Ndërkohë që në raportin përfundimtar të KShH-së do të përpunohen në mënyrë më të plotë të gjitha të dhënat dhe pasqyrohen gjetjet dhe konkluzionet tona përfundimtare bashkarisht me rekomandimet përkatëse drejtuar më së shumti Kuvendit dhe KQZ-së.
Monitorimi i këtyre zgjedhjeve po realizohet në kuadër të nismës “Ndërtimi i integritetit elektoral dhe qëndrueshmërisë së partive politike: Rritja e rolit mbikëqyrës dhe kërkesave të qytetarëve nëpërmjet mbështetjes së OShC-ve, mediave dhe akademisë”, mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike në Tiranë. Kjo nismë po zbatohet nga një konsorcium organizatash vendase, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti i Studimeve Politike, Qëndresa Qytetare, BIRN Albania.
Gjetjet dhe konkluzionet e pasqyruara në këtë raport janë përgjegjësi e vetme e KShH-së dhe nuk pasqyrojnë detyrimisht opinionet dhe mendimet e organizatave të tjera partnere dhe Ambasadës Britanike në Tiranë.

2. PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE
KShH ka vërejtur se në disa KZAZ lista e zgjedhjeve është publikuar përtej afatit ligjor që parashikohet ose në disa raste të tjera zgjedhësit kanë patur pengesa dhe vështirësi në aksesin e tyre për t’u njohur me përmbajtjen e listave, për shkak të formës që është përzgjedhur nga administrata zgjedhore vendore për afishimin e tyre.
Brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë, ose brenda datës 24 Janar 2023, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore duhej të kryente lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve, duke i lajmëruar ndër të tjerash qendrën e votimit. Ky detyrim ligjor në tërësi nuk është zbatuar, si rrjedhojë e mos akordimit të fondit nga Ministria e Brendshme. KShH shpreh keqardhjen se kjo problematikë rezulton e përsëritur zgjedhjet e mbajtura vitet e fundit në vendin tonë, ndërkohë që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për këtë çështje, mbeten të pazbatuara.
Është pozitiv fakti se KQZ ka realizuar një fushatë sistematike, të shtrirë në mënyrë të arsyeshme në kohë, për edukimin e zgjedhësve, në mënyra të larmishme, duke përfshirë reklamat ndërgjegjësuese në televizione, radio, postera ndërgjegjësues, billboard (tabelë e ekspozuar në ambientet publike për qëllime reklamimi) si dhe me anë të rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të internetit.
KQZ, me anë të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve ka reflektuar një qasje bashkëpunuese, me aktorët e shoqërisë civile, edhe pse konsultimi i projekt-akteve është realizuar në afate shumë të ngushta, duke pamundësuar dhënien e kontributit cilësor lidhur me to. Kjo për arsye të ngarkesës dhe ritmeve të larta të punës së këtij organi.
Refuzimi i regjistrimit të subjektit zgjedhor PD nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është ndër vendimet e diskutueshme të KQZ-së që solli vonesa për administrimin e procesit. Në vlerësimin e KShH-së, qëndrimi i Komisionerit ishte i gabuar dhe kjo u sqarua në vendimmarrjet e KAS, e cila, me vendimin nr. 27, datë 16.03.2023. Kjo vonesë në regjistrimin e subjektit zgjedhor PD, solli me efekt domino vonesa të pjesshme në regjistrimin e koalicioneve, regjistrimin e kandidatëve dhe plotësimin e një pakice anëtarësh të KZAZ-ve.
Numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta. Në vlerësimin tërësor të KShH-së ka munguar roli pro-aktiv monitorues i zbatimit të vendimmarrjeve përfundimtare të KQZ-së (sikurse është ndalimi për rishpërndarjen e postimeve me karakter politik të Ministrave nga institucionet shtetërore). Nga ana tjetër, institucionet shtetërore kanë shfaqur një qasje jo reflektuese ndaj sanksioneve të dhëna për tipologji të ngjashme shkeljesh të sanksionuara më herët nga KQZ.
Komisionet e Qendrave të Votimit (KQV) përgjithësisht janë ngritur nga KZAZ-të brenda afateve, edhe pse subjektet zgjedhore që kanë të drejtën për të propozuar komisionerë, kanë përcjellë listat në limitet e afatit ligjor, të dt.14 Prill 2023. Si rrjedhojë e mosplotësimit të dokumentacionit nga subjektet zgjedhore për komisionerët e propozuar në QV, listat e përcjella janë konsideruar nga KZAZ-të si paraprake, duke i lënë atyre mundësinë për ta plotësuar dokumentacionin disa ditë

përpara zgjedhjeve. Kjo qasje është e gabuar dhe në shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor, duke i hapur rrugë zëvendësimit të anëtarëve në ditët e fundit para zgjedhjeve (sikurse ka ndodhur rëndom në të kaluarën).
Grupet e Numërimit të Votave (GNV) janë ngritur brenda afatit në shumicën prej KZAZ-ve të monitoruara, ndërkohë që vonesa janë konstatuar në KZAZ-të nr. 21, 22, 23 dhe 24 (Bashkia Durrës). Ndërkohë, pranë KZAZ-ve në Bashkinë Elbasan, subjektet zgjedhore dhe komisionerët në tërësi janë hasur me keqkuptime mbi nevojën e ngritjes së GNV-ve si rrjedhojë e realizimit të pilotimit të votimit e numërimit elektronik. Në këto kushte, KZAZ-të qëndrojnë ende në vakum sa i përket përcjelljes së propozimeve për anëtarë të GNV-ve.
Fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve). Pavarësisht se data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar. KQZ ka qenë në dijeni të këtyre fakteve të bëra në shumë raste publike në media, por Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione në këtë drejtim.
Pas zyrtarizimit të kandidaturave prej subjekteve zgjedhore dhe depozitimit të listës e dokumentacionit mbështetës pranë KQZ-së, është vërejtur një fluks i shtuar aktivitetesh, por tërheq vëmendjen fakti i garës avantazhuese të kandidatëve për kryetarë bashkie që mbajnë këto poste (të rikandiduar), të cilët kanë reklamuar rezultatet e punës së tyre para fillimit të fushatës. Konkretisht, gjatë javës së fundit të Shkurtit, Kryetari aktual i Bashkisë Berat ka zhvilluar një zinxhir takimesh me bordet e prindërve të fëmijëve të kopshteve mbi rritjen e cilësisë së shërbimit, si dhe për të shkëmbyer ide për përmirësime të mëtejshme. Kandidati i PS në Gjirokastër, ka patur takime në zona të ndryshme, në orët e mbasdites dhe në fundjavë, edhe me emigrantët shqiptarë në Janinë1. Në Bashkinë Kukës, në periudhën 21 Mars – 9 Prill 2023, dy kandidatet politikë përfaqësues të PS Z.Safet Gjici, Kryetari aktual i Bashkisë (i rikandiduar) si dhe Z. Admir Sinamati përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kanë filluar një tur takimesh me grupe banorësh të fshatrave të ndryshme të qytetit të Kukësit, të cilat janë zhvilluar në lokale kafene të fshatrave përkatese, si dhe në oborre të shkollave 9-vjecare.
Në vigjilje të fushatës zgjedhore zyrtare, KShH dënoi ashpër dhe i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë aktin kriminal me rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Z.BernardNdreca,nëpërmjetvendosjesnëmakinënetij,tënjësasieeksplozivi. Gjithashtu,janë konstatuar edhe akte rastësore (sporadike) vandalizmi. Pavarësisht këtyre rasteve, në tërësi fushata nuk është shoqëruar me incidente të rënda. Megjithatë, është shumë shqetësues fakti se ajo është realizuar në një klimë tepër e polarizuar politike. Kjo klimë ka reflektuar me elementë të theksuar të gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjellta, në cënim të dinjitetit njerëzor ndaj drejtuesve dhe kandidatëve të subjekteve zgjedhore.
Fushata zgjedhore e pasqyruar në media është përqëndruar më së shumti në retorikat midis drejtuesve të partive politike, ndërkohë që debati dhe ballafaqimi i platformave midis kandidatëve të forcave të ndryshme politike ka munguar. Në përgjithësi, vihet re një klimë e lartë apatie pasi
1 Takimet janë e pasqyruara në rrjetin e tij social Facebook, janë ndarë e pëlqyer, nga administrata e pushtetit vendor e atij ekzekutiv (gjatë orarit zyrtar të punës).

zgjedhësit e kontaktuar në terren në Bashkitë Korçë, Kukës, Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Vlorë e Fier deklarojnë se janë të zhgënjyer nga partitë politike.
Kodi Zgjedhor dhe aktet rregullatore të KQZ-së parashikojnë se mbulimi i fushatës së transmetuar nga radiot dhe televizionet private duhet të jetë i balancuar. Por këto balanca nuk janë ruajtur veçanërisht për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në mediat private lokale. Gjatë kohës televizive dedikuar fushatës zgjedhore, partitë e vogla jashtë parlamentare janë diskriminuar, pasi në tërësi, nuk ka patur minutazh të dedikuar për to.
Përfshirja dhe shfrytëzimi i administratës dhe burimeve shtetërore për promovimin e subjekteve zgjedhore apo kandidatëve të caktuar është në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor. Kjo dispozitë është shkelur në disa raste nga ana e subjekteve zgjedhore, e për këto raste KShH i është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Asetet publike të përdorura nga ana e subjekteve zgjedhore ishin të formave të ndryshme, duke filluar që nga shfrytëzimi i administratës shtetërore, burimeve materiale të institucioneve apo përdorimi i mjeteve të komunikimit elektronik, si një formë e re e shpërdorimit të aseteve publike e përhapur tej mase viteve të fundit. KSH ka administruar dhe verifikuar ankesa për përfshirjen e struktrurave arsimore në Korҫë, Maminas, Dibër, Kamëz, ose strukturat e pushtetit lokal në Gjirokastër, Vlorë e Lezhë.
Të pyetur mbi perceptimet që ata kanë për përdorimin e aseteve publike në favor të fushatës, zgjedhësit në Bashkitë e Kukësit, Korçës, Malësisë së Madhe, Durrësit, Lezhës, Fierit i kanë pohuar vëzhguesve të KShH-së se punimet dhe rikonstruksionet në hapësira të ndryshme në këto bashki realizohet qëllimisht disa muaj apo javë para datës së zgjedhjeve, në favor të fushatës elektorale të kryetarëve të Bashkisë, të rikandiduar. Në Bashkinë Tiranë, vëzhguesit raportojnë shtrime masive të rrugëve në lagje të ndryshme, për një periudhë afro 3 mujore, deri në pak ditë para datës së zgjedhjeve, punime të cilat u mbyllën për një kohë shumë të shkurtër.
Nga takimet e realizuara në disa Bashki të Vendit, si Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Elbasan, Durrës, Fier, qytetarët e perceptojnë fenomenin e shitblerjes të përhapur tek bashkëqytetarët e tyre por jo tek ata vetë. Ka një perceptim më të ulët të këtij fenomeni në pjesën jugore dhe juglindore të vendit. Në Bashkitë Malësi e Madhe, Dibër dhe Lezhë, janë kontaktuar zgjedhës që kanë pohuar se para ditës së votimit ofrohen të mira materiale dhe para, në këmbim të votës. Në komunitetet e pakicave etnike rome dhe egjiptiane, ky kontakt perceptohet se kryhet haptazi.
Javët por veçanërisht ditët e fundit janë denoncuar në media disa raste të dyshimta të shitblerjes së votës në Bashkitë Tropojë, Has, Tiranë, Himarë dhe Mallakastër (shumica e tyre vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve). Në vijim të këtyre rasteve, i jemi drejtuar Prokurorive të disa rretheve gjyqësore dhe Prokurorisë së posaçme, me kërkesa zyrtare për informacion, ndërkohë që
Indiferenca e qytetarëve për të raportuar krimet zgjedhore, veçanërisht të rasteve të shitblerjes së votës si dhe mungesa e hetimeve të shpejta dhe ofrimi i mbrojtjes ndaj kallëzuesve, janë disa nga pengesat për ndëshkueshmërinë e tyre. Të dhënat statistikore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve përgjatë zgjedhjeve të mbajtura 6 vitet e fundit në vendin tonë, tregojnë gjithashtu hetime në nivele të ulëta të organizimit politik të subjekteve zgjedhore dhe raste të pakta ndëshkimi.

procedimet e prokurorisë me nismën e saj, për raste të ngjashme në të kaluarën janë shumë të ulëta.
Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë një qarkore për hetime të shpejta dhe ashpërsim të masave të sigurimit personal dhe dënimeve të kërkuara nga prokuroritë e rretheve gjyqësore. Bazuar në konkluzionet e një nga rasteve të verifikuara në terren nga vëzhguesit e KShH-së, për indicje publike të keqpërdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore në Bashkinë Patos, jemi drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm me rekomandim për mbikqyrjen e zbatimit të saj, pa cenuar parimin ligjor të pavarësinë e prokurorëve të çështjes.
3. Publikimi i Listave dhe Edukimi i Zgjedhësve
Sipas pikës 3 të nenit 56 të Kodit Zgjedhor, lista e zgjedhësve i dërgohet, jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, KZAZ-së, e cila sipas rastit publikon listën pranë qendrës përkatëse të votimit. Nga verifikimet në terren të QV-ve pranë Bashkisë Durrës (KZAZ nr. 21 dhe 22), Bashkisë Lezhë (KZAZ nr. 12 dhe 13), Bashkisë Shkodër (KZAZ nr. 02, 03, 04 dhe 05), Bashkisë Vlorë (KZAZ nr. 83, 84, 85 dhe 86), Bashkisë Gjirokastër (KZAZ nr. 80), Bashkisë Elbasan (KZAZ nr. 48 dhe 49), rezulton se nuk është respektuar ky afat ligjor për afishimin e listave përfundimtare. Ndër to, më problematik është evidentuar rasti i KZAZ nr. 12 dhe 13 të ngritura pranë Bashkisë Lezhë, të cilat ende nuk kishin marrë në dorëzim listat nga Zyra e Gjendjes Civile. Në tërësi, pranë Bashkisë Tiranë, shpallja fillestare e listave përfundimtare është kryer konform parashikimeve, por në ditët pas shpalljes së tyre, si rrjedhojë e kushteve atmosferike, shumë prej tyre janë janë shkëputur tërësisht për të mos u afishuar më prej KZAZ-ve.
Ndërkohë, pranë disa Bashkive është konstatuar se megjithëse listat përfundimtare të zgjedhësve ishin publikuar ka patur pengesa dhe vështirësi në aksesin e zgjedhësve për t’u njohur me përmbajtjen e tyre, për shkak të formës që është përzgjedhur nga administrata zgjedhore vendore për afishimin e tyre. Më konkretisht, për shkak të pozicionimit të kangjellave, lartësisë jo të favorshme të afishimit, kyçjes së derës kryesore të institucionit pas orarit zyrtar, etj.; si dhe konstatuan lista të zgjedhësve të dëmtuara, si pasojë e vendosjes së tyre në vende të papërshtatshme dhe të ekspozuara ndaj kushteve atmosferike. Zgjedhësit kanë treguar mungesë interesi për tu njohur me listat.
Brenda 60 ditëve nga publikimi i ekstraktit të përbërësve zgjedhorë të zgjedhësve, ose brenda datës 24 Janar 2023, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore duhej të kryente lajmërimin me shkrim për çdo zgjedhës të përfshirë në ekstraktin e përbërësve, duke i lajmëruar qendrën e votimit, vendndodhjen dhe adresën e saj, si dhe numrin rendor të zgjedhësit në listën e zgjedhësve të qendrës së tij të votimi (neni 52, pika 1 dhe 2 e Kodit Zgjedhor). KShH ju drejtua me shkresë zyrtare Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, pasi ky detyrim ligjor nuk është zbatuar, si rrjedhojë e mos akordimit të fondit nga Ministria që mbulon shërbimin e gjendjes civile. Pavarësisht se, Komisioneri ngriti shqetësimin e mospërmbushjes së këtij detyrimi, nuk rezulton të jenë marrë masa administrative me gjobë ndaj Bashkive, sipas nenit 52, pika 6 të Kodit Zgjedhor si dhe për fondin qe duhet te akordonte Ministria e Brendshme. Njoftimi ne banesa duhet te përfundonte ne 24 Janar 2023, jemi ne Mars.” KShH shpreh keqardhjen se kjo problematikë rezulton e përsëritur

zgjedhjet e mbajtura vitet e fundit në vendin tonë, ndërkohë që rekomandimet e OSBE/ODIHR-it lidhur me këtë çështje, mbeten të pazbatuara.
Është pozitiv fakti se KQZ ka realizuar një fushatë sistematike, të shtrirë në mënyrë të arsyeshme në kohë, për edukimin e zgjedhësve. Edukimi i zgjedhësve është realizuar në mënyra të larmishme, duke përfshirë reklamat ndërgjegjësuese në televizione, radio, postera ndërgjegjësues, billboard (tabelë e ekspozuar në ambientet publike për qëllime reklamimi) si dhe me anë të rrjeteve socialë dhe faqes zyrtare të internetit. Kjo fushatë është realizuar për aspekte të rëndësishme të ushtrimit të së drejtës së votës, sa i takon procedurave të votimit, nevojës për njohjen e listave nga zgjedhësit, gjithashtu edhe për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të vendit. Pjesë e kësaj fushate kanë qenë edhe materialet ndërgjegjësuese në gjuhët e tetë pakicave kombëtare. Por apatia dhe mosbesimi që zgjedhësit kanë ndaj procesit, kërkon një fushatë më të thelluar në terren, duke përfshirë këtu zonat periferike të qyteteve dhe ato rurale.
KShH i ka sugjeruar KQZ-së lidhur me pilotimin e votimit elektronik në Bashkinë Elbasan, të ndërmarrë një fushatë publike më të gjerë për të nxitur testimin e këtyre pajisjeve, duke shpërndarë njoftimin nëpërmjet billboards apo reklamave në TV (lokale ose jo). Në vijimësi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka nisur një fushatë, me emrat konkretë të vendeve ku janë testuar pajisjet PEVN.
4. Administrimi Zgjedhor
4.1 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)
KShH ka monitoruar pjesërisht veprimtarinë e organit më të lartë të administrimit zgjedhor, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe organeve drejtuese pjesë e tij (Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve).
KQZ, me anë të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve ka reflektuar në përgjithësi një qasje bashkëpunuese, ndërvepruese dhe të hapur me aktorët e shoqërisë civile.
KQZ është përballur dhe vijon të punojë me ritme të larta dhe dinamike të punës. Në raport me zgjedhjet e kaluara, vendimmarrjet dhe qëndrimet ndryshme ndërmjet organeve pjesë e KQZ-së (përkatësisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe KAS) lidhen me regjistrimin e subjekteve zgjedhore, koalicioneve dhe sanksioneve administrative për shpërdorimin e aseteve publike. Ankesat në KAS dhe Kolegjin Zgjedhor u përqëndruan kryesisht nga subjekti zgjedhor PD dhe Koalicioni Bashkë Fitojmë, për çështje ligjore të regjistrimit të subjekteve dhe koalicioneve, legjitimitetit dhe përmbajtjes së fletës së votimit.
Ndër vendimet e diskutueshme të KQZ-së që solli vonesa për administrimin e procesit është ai për refuzimin e regjistrimit të subjektit zgjedhor PD nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Fillimisht, KShH vlerëson se ishte e gabuar konstatimi i Komisionerit se bëhet fjalë për të njëjtën parti politike dhe rrjedhimisht u shqyrtuan së bashku dy kërkesat e paraqitura nga subjekti zgjedhor PD dhe grupimi politik i përfaqësuar nga Komisioni i Ri-Themelimit, i paregjistruar në gjykatë. Më tej, në vendimin e datës 9 Mars, Komisioneri, Z. Celibashi, kërkoi plotësim dokumentacioni

dhe argumentoi se autorizimi i dhënë nga kryetari i dorëhequr i subjektit, për nënkryetarin (kryetarin e komanduar), ishte jo i qartë, pasi nuk parashikonte shprehimisht regjistrimin e PD-së si subjekt zgjedhor për këto zgjedhje, si dhe vlerësoi mos përmbushje të detyrimit sipas nenit 64, pika 2, gërma “e” (deklarata zotuese për shitblerjen). Në dt.14 Mars, Komisioneri vendosi të mos regjistroj “Partinë Demokratike” si subjekt zgjedhor, në kushtet e mosplotësimit të dokumentacionit nga Kryetari i dorëhequr, por që figuron i regjistruar me vendim gjykate.
Në vlerësimin e KShH-së, qëndrimi i Komisionerit ishte i gabuar dhe kjo u sqarua në vendimmarrjet e KAS, e cila, me vendimin nr. 27, datë 16.03.2023, mbajti një qëndrim të ndryshëm nga Komisioneri dhe vendosi detyrimin e partisë “Partia Demokratike”, të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë me të dhënat për nënkryetarin, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë. Në frymën interpretuese të nenit 64 që synon të përfshijë e lehtësojë pjesëmarrjen e subjekteve në garë, KAS argumenton se plotësimi i deklaratave nuk duhet të formojë në asnjë rast kusht për përjashtimin e subjektit nga zgjedhjet. Pas plotësimit të dokumentacionit përkatës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 179, datë 18.03.2023 vendosi regjistrimin e partisë politike “Partia Demokratike”, me nënkryetarin, z. Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë, si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”. Kjo vonesë në regjistrimin e subjektit zgjedhor PD, solli me efekt domino vonesa të pjesshme në regjistrimin e koalicioneve, regjistrimin e kandidatëve dhe plotësimin e një pakice anëtarësh të KZAZ-ve.
Njëjtë me proceset e mëhershme zgjedhore, KQZ ka konsultuar paraprakisht projekt-aktet me palët e interesuara në një kohë të shkurtër që varion 2-3 ditë përpara datës së planifikuar për realizimin e seancës shqyrtuese të vendimmarrjes. Ky afat i ngushtë kohor ka qenë i pamjaftueshëm për të dhënë kontribute cilësore. KShH duke mirëkuptuar ngarkesën dhe dinamikën që shoqëron në tërësi procesin zgjedhor, ka ofruar kontribut me mendime dhe sugjerime, për 8 nga projekt-aktet e konsultuara, objekti i të cilave konsiston në miratimin e programit të edukimit, informimit dhe ndërgjegjësimit të zgjedhësve në tërësi; atyre me aftësi të kufizuar si dhe pakicave kombëtare; përcaktimi i rregullave procedurale për përdorimin e kamerave regjistruese e monitorëve në vendet e numërimit të votave; miratimi i materialit ndihmës për trajnimin e KZAZ-ve; materialin rikujtues të përgatitur për administratën publike për raportimin e veprimtarive të ndaluara, projektvendimin për shpërndarjen e fondeve të fushatës zgjedhore, etj.
KQZ ka vijuar praktikën e komunikimit elektronik e të individualizuar të njoftimeve për zhvillimin e seancave publike të organeve përbërëse të tij, si dhe vendimmarrjeve të tyre, nëpërmjet grupeve të dedikuara të adresave elektronike të përfaqësuesve të shoqërisë civile, të interesuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend. Ndërkohë që është mundësuar ndjekja në kohë reale (live) e mbledhjeve të KQZ-së si dhe janë afishuar projekt-materialet objekt diskutimi në mbledhje, publikimi në adresën zyrtare i procesverbaleve të zbardhura të mbledhjeve nga ana e stafit administrativ i KQZ-së është realizuar pas rreth 15 ditëve nga momenti i realizimit të mbledhjes. Publikimi në këtë hark kohor, krijon vështirësi për vëzhguesit, me qëllim analizimin e të dhënave mbi shkaqet dhe argumentimet e përdorura nga ana e KQZ-së gjatë vendimmarrjeve përkatëse. Në funksion të transparencës kundrejt publikut, KShH sugjeron marrjen e masave nga KQZ për evidentimin në vijimësi, të datës së afishimit elektronik të procesverbaleve, si dhe grupimin e kategorizuar të regjistrimeve të mbledhjeve në kanalin Youtube sipas organeve pjesë e KQZ-së.

Në këtë proces parazgjedhor KQZ ka luajtur rol inkurajues ndaj zgjedhësve e përfaqësuesve të institucioneve publike për të raportuar intimidimet apo presionet e ushtruara ndaj tyre, si dhe raportimin e aktiviteteve me karakter publik në zbatim të nenit 92 KZ dhe vendimit nr. 9, dt. 24.12.2020 të KQZ-së. Ndërkohë që sanksione të ndryshme administrative janë propozuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, drejtuar KAS-it, ndaj shkelësve të këtyre detyrimeve, veçanërisht sa i takon mungesës së raportimit të veprimtarive publike nga Kryetarët e Bashkive (apo personat përgjegjës në institucione), në ndërfaqen e KQZ2. Në shumicën e rasteve këto kërkesa të Komisionerit janë pranuar nga KAS. Nga një vlerësim i përgjithshëm i situatës, numri i sanksioneve administrative për veprimtaritë e ndaluara dhe shpërdorimin e aseteve rezulton më i lartë në raport me zgjedhjet e kaluara, si dhe hetimet administrative kanë qenë relativisht më të shpejta. Kjo ka reflektuar një qasje pro-aktive të KQZ-së në këtë drejtim, ndërkohë që masat e sanksioneve, në disa raste kanë qenë pothuajse simbolike, duke zbehur fuqinë sanksionuese dhe shkeljen e bërë. Sinjalizuesit kryesorë të këtyre shkeljeve rezultojnë të jenë organizatat e shoqërisë civile të angazhuara në monitorimin e zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e subjekteve zgjedhore.
Në vlerësimin e KShH-së ka munguar roli pro-aktiv monitorues i zbatimit të vendimmarrjeve përfundimtare të KQZ-së (sikurse është përmendur më herët rishpërndarja e postimeve me karakter politiktëMinistressëArsimitdheSporteve ngaZVAdheinstitucionetparauniversitare).Ngaana tjetër, institucionet shtetërore kanë shfaqur një qasje jo reflektuese ndaj sanksioneve të dhëna për tipologji të ngjashme shkeljesh të sanksionuara më herët nga KQZ, çka ka dobësuar efektin parandalues të shkeljeve, si rrjedhojë e vendimmarrjeve të KQZ-së. Pozitiv është fakti i urdhërimit nga Komisioneri të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit për heqjen menjëhershme të materialeve propagandistike në bashkitë Durrës dhe Tiranë, për subjektet zgjedhore që janë gjendur në mosrespektim të kërkesave dhe ndalimeve të nenit 79 të Kodit Zgjedhor.
Nga vizitat në terren, KShH ka konstatuar ndërveprim serioz ndërmjet KQZ-së dhe administratës përgjegjëse për procesin zgjedhor në nivel vendor, sa i përket shkëmbimit të informacionit e vendimmarrjeve në rrugë elektronike nëpërmjet një sistemi të unifikuar arkivimi. Ndërkohë që administrata zgjedhore në nivel vendor është treguar pro-aktive në adresimin drejt KQZ-së e Njësive të Qeverisjes Vendore të konstatimeve dhe parregullsive të evidentuara në terren gjatë verifikimit të kushteve të QV-ve, është konstatuar i munguar informimi vijues i raportuesve mbi koordinimin ndër-institucional ose vështirësitë e hasura ndërmjet institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave për përshtatjen e këtyre ambienteve sipas kërkesave ligjore.
Gjatë monitorimit, është konstatuar i munguar krijimi i një praktike të saktë dokumentuese për mbikëqyrjen sistematik të nivelit të pjesëmarrjes të anëtarëve të KQV-ve në trajnimet e organizuara nga trajnerët e angazhuar nga KQZ.
4.2 NGRITJA DHE FUNKSIONIMI I ORGANEVE VENDORE TË ADMINISTRIMIT ZGJEDHORE
a. Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ)
Në respektim të parashikimeve të nenit 28 të Kodit Zgjedhor dhe Vendimit Nr. 49, datë 10.02.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, shumica e KZAZ-ve të ngritura pranë Bashkive objekt monitorimi kanë zhvilluar mbledhjen e parë brenda datave 13-14 shkurt 2023, me përjashtim të
2 Detyrim ky i parashikuar në Vendimin nr.9 datë 24.12.2023 të Komisionit Rregullator.

KZAZ nr. 31, 36 dhe 40 pranë Bashkisë Tiranë të cilat referohet që janë ngritur përkatësisht më datë 17 Shkurt, 28 Shkurt dhe 1 Mars 2023.
Përfaqësuesit e të gjitha KZAZ-ve të monitoruara referojnë se i janë nënshtruar trajnimit prej KQZ- së. Ndërkohë, anëtarët e Partisë Demokratike dhe anëtarët zëvendësueses të emëruar nëpërmjet një procesi të mëvonshëm, u trajnuan vetëm më datë 20 Prill 2023. Sipas vëzhgimeve të fundit të realizuara në terren, anëtarët e rinj të emëruar pas datës 20 Prill 2023 ende nuk janë trajnuar (pasi kanë ndodhur zëvendësime, më së shumti për shkak të kandidimit të tyre për anëtarë në Këshillat Bashkiakë).
Emërimi me vonesë i anëtarëve të propozuar nga subjekti zgjedhor Partia Demokratike, kryesisht i realizuar ne segmentin e datave 11-15 mars 2023, ka passjellë një sërë problematikash në KZAZ ndër më të rëndësishmet, mbetja pa anëtarësi edhe përtej datave të sipërcituara për KZAZ nr. 01 (Bashkia Malësi e Madhe), 35, 36, 41 (Bashkia Tiranë), 57, 58 (Bashkia Fier), 65 (Bashkia Berat). Ndërkohë si pasojë e mungesës së Sekretarit pranë KZAZ nr. 36, deri më 21 Mars 2023, mbledhjet kanë qene të paralizuara.
Nga monitorimet e KShH janë vënë re një sërë problematikash mbi mbajtjen dhe pasqyrimin e dokumentacionit nga KZAZ-të. Nga vëzhgimet në terren, është vërejtur se dokumentacioni i administruar nga KZAZ-të nr. 4, 22, 47, 48, 49 dhe 83, është gjetur i paplotësuar saktë apo në tërësi të mbledhjeve të realizuara. Në fillimet e funksionimit të KAZ-ve, KSHH ka vërejtur se një pjesë e problematikave ka ardhur si pasojë e mungesës së Sekretarëve pranë KZAZ-ve, ku sekretari emërohej nga subjekti zgjedhor PD. Vlen të theksohet se KZAZ nr. 74 u gjet në shkelje të tërësishme të Kodit Zgjedhor, gjatë monitorimit të zhvilluar në fillim të muajit Prill, si rrjedhojë e mosshfaqjes së Sekretarit në detyrë që prej momentit të emërimit të tij, Libri i Protokollit të Mbledhjeve ishte në tërësi i paplotësuar. Pas raportimit të këtij evidentimi pranë KQZ-së, Sekretari është liruar dhe zëvendësuar menjëherë.
b. KomisioneteQendravetëVotimit(KQV)
Përgjithësisht, Komisionet e Qendrave të Votimit janë ngritur nga KZAZ-të brenda afateve sipas Nenit 36 pika 2, i cili parashikon se propozimet për anëtarë dhe sekretar të KQV-së bëhen jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe KZAZ-ja emëron anëtarët e KQV-ve jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e propozimeve.
Megjithatë, vihet re gjerësisht se subjektet zgjedhore që kanë të drejtën për të propozuar komisionerë, kanë përcjellë listat thuajse vetëm në limitet e këtij afati, përkatësisht në dt. 13-14 prill. Ndërkohë, pranë KZAZ nr. 80 në Bashkinë Gjirokastër, procesi i ngritjes së KQV-ve është përfunduar vetëm pas këtij afati, më datë 3 Maj 2023. Komisionerë të disa KZAZ-ve referojnë se listat e propozimeve të subjekteve zgjedhore kanë qenë të paplotësuara prej tyre me dokumentacion mbështetës apo, në raste dhe më flagrante, të vjetëruara. Ata kanë ardhur në dijeni të këtij fakti edhe sepse kanë verifikuar emrat e vet apo të anëtarëve të tjerë të KZAZ në këto lista. Për këtë arsye, nga këto KZAZ është vonuar marrja e vendimit për ngritjen e KQV-ve.
Si rrjedhojë e mosplotësimit të dokumentacionit nga subjektet zgjedhore për komisionerët e propozuar në QV, listat e përcjella janë konsideruar nga KZAZ-të si paraprake, duke i lënë atyre

mundësinë për ta plotësuar dokumentacionin disa ditë përpara zgjedhjeve. Ky proces favorizon praktikat e mirë vendosura të zëvendësimit të anëtareve të KQV prej subjekteve zgjedhore, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve. Pranë KZAZ-së nr. 24 është vënë re ndjekja e një praktikë të ndryshme nga KZAZ-të e cituara më sipër, pasi listat e propozuara për komisionerë janë kthyer tek subjektet zgjedhore me kërkesën për plotësim dokumentacioni, duke lënë afat 72 orë. Kjo praktikë sipas KZAZ është bazuar në Nenin 9, pika 2 të Vendimit nr. 11, dt. 25.03.2021, të Komisionit Rregullator, por duke keqintepretuar afatin ligjor të parashikuar në të, prej vetëm 24 orësh.
c. Grupet e Numërimit të Votave (GNV)
Grupet e Numërimit të Votave janë ngritur brenda afatit në shumicën prej KZAZ-ve të monitoruara, ndërkohë që vonesa janë konstatuar në KZAZ-të nr. 21, 22, 23 dhe 24 (Bashkia Durrës), ku GNV-të ende nuk janë ngritur si rrjedhojë e mos përcjelljes së dokumentaconit mbështetës. KZAZ-ja nr.12 i ka ngritur GNV-të me një ditë vonesë, më datë 05 maj 2023, ndërkohë edhe në rastet e KZAZ-ve 31, 32, 33 dhe 41 (Bashkia Tiranë) GNV-të janë ngritur disa ditë me vonesë. Nga KZAZ-të që kanë ngritur GNV-ve brenda afatit janë KZAZ-të nr. 01, 65 dhe 74 kanë kryer njoftimin e KQZ për këto vendimmarrje vetëm më datën 08 maj 2023, si dhe KZAZ nr.32 në datën 10 Maj 2023, ndërkohë KZAZ nr.37 pavarësisht marrjes së vendimit për ngritjen e GNV- ve në datën 20 Prill 2023, ka njoftuar KQZ vetëm në datën 6 maj 2023.
Përgjithësisht, subjektet zgjedhore kanë respektuar afatet e përcjelljes së listave të propozimeve, ndërkohë që të katra subjektet zgjedhore propozuese kanë përcjellë listat me vonesë pranë KZAZ- ve 73 dhe 74 të Bashkisë Korçë. Ndërkohë në 3 KZAZ-të nr. 84, 85, 86 të Bashkisë Vlorë rezulton se subjektet zgjedhore ende nuk kanë përcjellë propozimet e tyre pranë KZAZ-ve.
Në tërësi, në secilën prej KZAZ-ve të cilat kanë proceduar me ngritjen e GNV-ve, anëtarësia është e plotë, me përjashtimin e vetëm të dy prej katër GNV-ve të ngritura pranë KZAZ-së nr. 3 të Bashkisë Shkodër tek të cilat mungojnë anëtarët e subjektit zgjedhor Partia Demokratike.
Ndërkohë, pranë KZAZ-ve të ngritura pranë Bashkisë Elbasan, subjektet zgjedhore dhe komisionerët në tërësi janë ndeshur me keqkuptime mbi nevojën e ngritjes së GNV-ve si rrjedhojë e realizimit të pilotimit të votimit e numërimit elektronik. Në këto kushte, KZAZ-të qëndrojnë ende në një situatë vakumi (paqartësie) sa i përket përcjelljes së propozimeve për anëtarë të GNV- ve.
5. Fushata Zgjedhore
5.1 Fushata e parakohshme
Fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve). Data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, por referuar të dhënave të medias dhe vëzhguesve afatgjatë të KShH-së, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale, kryesisht në ambiente të mbyllura (lokale) por edhe në ambiente publike (lagje apo rrugë). Këto takime kanë filluar qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar por më së shumti ato janë ekspozuar 2-3 muaj para datës zyrtare (afatit ligjor) të fillimit të fushatës. Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione pçr

fillimin e hershëm të fushatës zgjedhore, çka e bën afatin ligjor të fillimit të fushatës zyrtare, formal.
Në mënyrë të veçantë, pas zyrtarizimit të kandidaturave prej subjekteve zgjedhore dhe depozitimit të listës e dokumentacionit mbështetës pranë KQZ-së, është vërejtur një fluks i shtuar aktivitetesh, prej subjekteve zgjedhore për të arritur qytetarët nëpërmjet takimeve publike, kremtimeve, shpërndarjeve të pamfletave, etj. Rastet e përcjella nga vëzhguesit afatgjatë të KShH-së janë të shumta, por tërheq vëmendjen fakti i garës avantazhuese të kandidatëve për kryetarë bashkie që mbajnë këto poste (të rikandiduar).
Konkretisht, gjatë javës së fundit të Shkurtit, Kryetari aktual i Bashkisë Berat ka zhvilluar një zinxhir takimesh me bordet e prindërve të fëmijëve të kopshteve mbi rritjen e cilësisë së shërbimit, si dhe për të shkëmbyer ide për përmirësime të mëtejshme. Kandidati i PS në Gjirokastër, Flamur Golemi, ka patur takime në zona të ndryshme, në orët e mbasdites dhe në fundjavë, edhe me emigrantët shqiptarë në Janinë. Takimet janë e pasqyruara në rrjetin e tij social Facebook, janë ndarë e pëlqyer, nga administrata e pushtetit vendor e atij ekzekutiv (gjatë orarit zyrtar të punës).
Në Bashkinë Kukës, në periudhën 21 Mars – 9 Prill 2023, dy kandidatët politikë përfaqësues të PS Z. Safet Gjici, Kryetari aktual i Bashkisë (i rikandiduar) si dhe Z. Admir Sinamati përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kanë filluar një tur takimesh me grupe banorësh të fshatrave të ndryshme të qytetit të Kukësit, të cilat janë zhvilluar në lokale/kafene të fshatrave përkatëse, si dhe në oborre të shkollave 9-vjeçare. Ndërkohë, z. Gjici ka realizuar në dt.04.03.2023 rreth orës 16:00 takim me qytetarë kuksian në Mbretërinë e Bashkuar (Londër, Birmingham), duke prezantuar ndër vitet e udhëheqjes së mandatit bashkiak dhe të ofronte suport për emigrantet që rikthehen në vendin e tyre.
Vëzhguesit afatgjatë kanë raportuar se nga fillimi i muajit Shkurt të këtij viti, ka nisur fushata e kandidatit për Bashkinë Tiranë, z. Belind Këlliçi, nëpërmjet lëvizjes së makinave të loguara me parullën e fushatës dhe shpërndarja e fletëpalosjeve përgjatë trotuareve me trafik të lartë këmbësor. Gjithashtu, edhe Z. Veliaj, Kryetari i Bashkisë Tiranë i ri-kandiduar i PS, ka kryer një sërë takimesh me banorë të kryeqytetit. Të dy këta kandidatë kanë shpalosur pjesë të platformave të tyre në programe televizive prime time.
5.2 Klima midis subjekteve zgjedhore
Në vigjilje të fushatës zgjedhore zyrtare, KShH dënoi ashpër aktin kriminal me rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Z. Bernard Ndreca, nëpërmjet vendosjes në makinën e tij, të një sasie eksplozivi që shpërtheu, por që fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. KShH i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë çështjen me përparësi, në mënyrë të gjithanshme dhe me objektivitet, ndërkohë që është e domosdoshme të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë. Zbulimi i motiveve të këtij krimi dhe ndëshkimi përkatës i autorit ose autorëve të tij do t’i shërbente edhe sqarimit të opinionit të gjerë publik, pasi incidente të tilla të dhunshme dhe kërcënuese ndikojnë negativisht tek zgjedhësit në periudhën parazgjedhore. Lidhur me këtë çështje, nuk ka patur komunikime zyrtare nga organi i prokurorisë.

Gjithashtu, janë konstatuar edhe akte rastësore (sporadike) vandalizmi, sikurse është ai i raportuar në dt 30.04.2023, në Bashkinë e Kukësit. Dy objekte ku ishin stampuar posterat e kandidatit socialist z. Safet Gjici, janë thyer xhamat, e grisur pjesa e posterit.

Pavarësisht këtyre rasteve, në tërësi fushata nuk është shoqëruar me incidente të rënda. Megjithatë, është shumë shqetësues fakti se ajo është realizuar në një klimë tepër e polarizuar politike. Kjo klimë ka reflektuar me elementë të theksuar të gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjellta, në cenim të dinjitetit njerëzor ndaj drejtuesve dhe kandidatëve të subjekteve zgjedhore. Si rezultat i gjuhës së urrejtjes, debati dhe ballafaqimi i platformave midis kandidatëve të forcave të ndryshme politike ka qenë i munguar.

Fushata zgjedhore e pasqyruar në media është përqëndruar më së shumti në retorikat midis drejtuesve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore apo koalicione dhe ekspozoi në nivele shumë të ulëta, kandidatët për kryetarë bashkie (me përjashtim të Bashkisë Tiranë apo bashkive të tjera të mëdha). Pothuajse, fushata nuk ekspozoi kandidatët për anëtarë të Këshillave Bashkiakë, që është edhe organi vendimmarrës në secilën Bashki.

5.3 Klima Zgjedhore në raport me zgjedhësit
KShH vërejti gjithashtu se ishte gati e munguar fushata për programet politike të subjekteve zgjedhore, ndërkohë që retorika u përqëndrua në premtime të pa studiuara, të tepruara, të cilat nuk shfaqën interes për elektoratin e gjerë, duke u kthyer me efektin bumerang për partitë politike. Mungesa e platformave dhe retorika premtuese për çështje që nuk janë në përgjegjësi të pushtetit vendor por atij qendror, kufizoi në tërësi zgjedhësit nga mundësia për t’u njohur me idetë dhe vizionin e subjekteve/kandidatëve, për shërbimet dhe lehtësitë e tjera publike vendore do të ofronin në dobi të bashkisë.
KShH, me anë të vëzhguesve të tij afatgjatë, ka marrë kontakte rastësore me zgjedhës të ndryshëm në disa Bashki të vendit, ku ndër të tjerash janë pyetur për interesin e tyre për të votuar, njohur me premtimet e kandidatëve për kryetar bashkie/Këshilltarë. Në përgjithësi, vihet re një klimë e lartë apatie ndaj partive politike dhe zgjedhjeve.

Zgjedhësit në Bashkitë Korçë, Kukës, Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Vlorë e Fier deklarojnë se janë të zhgënjyer nga partitë politike kryesore, qeverisja qendrore dhe vendore dhe mosbesues në potencialin e alternativave të tjera, dhe se nuk do të votojnë në ditën e votimit. Sipas tyre, zgjedhjet e mbajtura ndër vite nuk kanë sjellë zgjidhje ndaj kushteve të vështira sociale ekonomike në të cilat jetojnë një pjesë e popullsisë. Kjo është arsyeja se përse shumë të rinj kanë zgjedhur të largohen, ndërkohë që mjedisi i punësimit për ta nuk është konkurrues dhe meritokratik.
5.4 Mbulimi Mediatik

Prej vitit 2009 e në vazhdim, OSBE/ODIHR ka rekomanduar të rishikohet neni 84/1 i Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e para-regjistruara të prodhuara nga partitë politike, të transmetohen gjatë dhënies së lajmeve, gjë që krijon avantazh të padrejtë, sidomos për partitë kryesore politike. Megjithëse në vitin 2020, në Kodin Zgjedhor, u bënë mjaft shtesa dhe ndryshime, neni 84/1 mbeti
po ai, i ndryshuar në vitin 2012.

Pavarësisht reagimit publik të KShH-së lidhur me këtë problematikë, vërejmë me keqardhje se, përkundrejt nevojës për plurarizëm funksional mediatik, liri editoriale dhe verifikim të informacionit gjatë periudhës zgjedhore, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, media rezulton se ajo ka
qenë “e detyruar” apo “kushtëzuar” t’i referohet përmbajtjes së materialeve të prodhuara nga partitë politike, duke përfshirë këtu filmimet e para regjistruara, programet e disponueshme në formatet dixhitale që shkarkohen në internet (podcast), apo forma të tjera të transmetimit live. Ky konstatim është lehtësisht i evidentueshëm nga pamjet audio-vizive të transmetuara edhe në mediat kombëtare, gjatë edicioneve të lajmeve. Kjo situatë ka krijuar një mjedis vetë-censurues dhe tkurrës për lirinë e medias dhe lirinë e zgjedhjeve në vendin tonë, i cili nuk pajtohet me standartet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.

KShH vëren se gjatë kohës televizive dedikuar fushatës zgjedhore, partitë e vogla jashtç parlamentare janë diskriminuar, pasi nuk kanë patur minutazh të dedikuar për to. AMA apo KQZ nuk ka ngritur shqetësime lidhur me këtë fenomen që privon zgjedhësit nga e drejta për t’u njohur me të gjitha subjektet garuese. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 78 të tij se,
rregullat, kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në të kanë qëllim garantimin e barazisë së subjekteve zgjedhore edhe në raport me marrëdhëniet e tyre me operatorët radiotelevizivë për transmetimin e veprimtarive të fushatës, mesazheve apo reklamave zgjedhore.

AMA ka monitoruar pasqyrimin e fushatës zgjedhore në mediat audio-vizive dhe bazuar në gjetjet e pasqyruara në raportet e saj, ka propozuar pranë KQZ-së masa administrative, për kompensimin e kohës së transmetimit në rastet e cenimit të raporteve kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare. Këto balanca nuk janë ruajtur veçanërisht për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në mediat private lokale. Në Bashkinë Gjirokastër, vëzhguesit raportojnë se pasqyrimi në median lokale, (RTVGJ, Apollon TV), i aktiviteteve elektorale është në favor të dallueshëm sa i takon kohës televizive, të kandidatit të PS-së dhe kryetarit aktual të Bashkisë.

5.5 Përdorimi i Aseteve Publike
Gjatë fushatës zgjedhore një nga problematikat e ndeshura ishte dhe përdorimi i aseteve publike në favor të një kandidati apo subjekti zgjedhor. Përfshirja dhe shfrytëzimi i administratës dhe burimeve shtetërore për promovimin e subjekteve zgjedhore apo kandidatëve të caktuar është në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor.
Kjo dispozitë është shkelur në disa raste nga ana e subjekteve zgjedhore, e për këto raste KShH i është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Asetet publike të përdorura nga ana e subjekteve zgjedhore ishin të formave të ndryshme, duke filluar që nga shfrytëzimi i administratës shtetërore, burimeve materiale të institucioneve apo përdorimi i mjeteve të komunikimit elektronik, si një formë e re e shpërdorimit të aseteve publike e përhapur tej mase viteve të fundit.

Pranë KShH-së u raportua se Zyra Vendore Arsimore e Qarkut Korҫë, por jo vetëm, kanë kërkuar nga shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të qarkut përkatës, informacion në lidhje me veprimtaritë e adresave zyrtare në rrjete sociale të këtyre institucioneve arsimore, ndër të tjera edhe informacion mbi numrin e ri-postimeve që adresat zyrtare të shkollave kanë realizuar nga postimet e profilit të Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Në vijim janë arritur të identifikohen një numër i lartë ri- postimesh nga ana e disa ZVA-ve në vend, që kanë në juridiksion institucionet arsimore

parauniversitare në Korҫë, Maminas, Dibër, Kamëz, etj, nga ku u vërejt se ishin ripostuar prej tyre postime të profilit personal të Ministres së Arsimit dhe Sporteve, ku pasqyroheshin veprimtari politike, në mbështetje kandidatëve të caktuar për kryetar bashkie. KShH denoncoi rastin pranë KQZ-së, duke vlerësuar si mjaft pozitiv nxjerrjen e një urdhërese nga ana e Komisionerit për ndalimin e vënies në dispozicion të adresave të rrjeteve sociale publikimin dhe ripostimin e veprimtarive me karakter politik/elektoral në zgjedhje, nga ana e këtyre institucioneve, përbën shpërdorim të burimeve publike. Por edhe pas kësaj urdhërese, verifikimet e bëra nga KShH evidentojnë se postimet e Ministres së Arsimit vijuan të ripostohen nga ZVA dhe Shkollat Publike. KShH ju drejtua sërisht KQZ-së, duke nënvizuar rëndësinë që ka zbatimi efektiv i urdhërimeve të Komisionerit nga institucionet dhe personat që ushtrojnë
të institucioneve publike për
funksione të larta publike sikurse janë Ministrat.

KShH ka patur raportime për përdorimin e administratës arsimore edhe në Bashkinë Gjirokastër, nga ku rezulton se, gjatë javës së parë të muajit Mars është organizuar një aktivitet masiv me mësues të të gjitha cikleve, ku janë dhënë çertifikata mirënjohje. Shumë mësues të kontaktuar kanë
pohuar, pa dashur të identifikohen, se pjesëmarrja ishte e detyrueshme.

Nga monitorimi i fushatës zgjedhore në Bashkinë e Vlorës është raportuar mbi përdorimin e administratës publike, të punësuar pranë institucioneve vendore në varësi të Bashkisë Vlorë, në një aktivitet me natyrë elektorale gjatë orarit zyrtar të punës. Rasti është përcjellë nga KShH pranë Komisionerit dhe vijon të jetë nën hetim administrativ.

Ndërkohë në Bashkinë e Lezhës u raportua se pajisje elektrike (gjenerator) dhe mjeti i transportit që mbante logon e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në xhamin e parmë ishin përdorur gjatë organizimit të një aktiviteti të subjektit zgjedhor PS në këtë Bashki. Edhe ky rast i është përcjellë KQZ-së, pasi është vlerësuar në shkelje të nenit 91 të Kodit Zgjedhor.

Në Bashkinë e Dibrës është raportuar pranë KShH-së rasti i takimit që ka realizuar, në fund të muajit Shkurt, me punonjësit e Njësive Administrative në orarin e punës, Kryetari i Bashkisë Dibër, i ri-kandiduar nga subjekti zgjedhor PS. Gjatë këtij takimi janë premtuar edhe vende pune për qytetarët.

KShH ka përcjellë pranë KQZ-së sinjalizimin se aktiviteti që Komisioneri ka konsideruar si të ndaluar një ditë më parë, përkatësisht takim me Asamblenë e zgjeruar të PS të Korçë, është zhvilluar një ditë më vonë. Komisioneri i ka kërkuar KAS vendosjen e sanksionit me gjobë ndaj

Kryetarit të Bashkisë Korçë si dhe personit përgjegjës për raportimin e veprimtarive publikë pranë Bashkisë Korçë. Ndërkohë KAS ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Komisionerit për vendosjen e sanksionit administrativ ndaj tyre. Ky vendim i KAS duket se legjitimon paligjshmërinë e realizimit të një veprimtarie të ndaluar me natyrë politike të raportuar si aktivitet i Bashkisë Korçë.

Të pyetur mbi perceptimet që ata kanë për përdorimin e aseteve publike në favor të fushatës, zgjedhësit në Bashkitë e Kukësit, Korçës, Malësisë së Madhe, Durrësit, Lezhës, Fierit i kanë pohuar vëzhguesve të KShH-së se punimet dhe rikonstruksionet në hapësira të ndryshme në këto bashki realizohet qëllimisht disa muaj apo javë para datës së zgjedhjeve, në favor të fushatës elektorale të kryetarëve të Bashkisë, të ri-kandiduar. Gjithashtu, zgjedhësit në këto Bashki pohojnë se kanë dijeni për hapjen e vendeve të reja të punës në administratë shtetërore rishtazi, edhe kjo për përfitime të fushatës elektorale. Ndërkohë kanë perceptimin se punësimi në administratën

publike kryhet nëpërmjet një vlerësimi jo-meritokratik, por të bazuar në angazhimin e tyre partiak, sidomos gjatë fushatës. Në Bashkinë Tiranë, vëzhguesit raportojnë shtrime masive të rrugëve në lagje të ndryshme, për një periudhë afro 3 mujore, deri në pak ditë para datës së zgjedhjeve, duke vënë në pikëpyetje cilësinë afatgjate të punimeve, të cilat mbyllen për një kohë shumë të shkurtër.

6. Veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve
Indiferenca e qytetarëve për të raportuar krimet zgjedhore, veçanërisht të rasteve të shitblerjes së votës, si dhe mungesa e hetimeve të shpejta dhe ofrimi i mbrojtjes ndaj kallëzuesve, janë disa nga pengesat për ndëshkueshmërinë e tyre.

Të dhënat statistikore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe në mënyrë të veçantë korrupsionit zgjedhor, përgjatë zgjedhjeve të mbajtura 6 vitet e fundit në vendin tonë, tregojnë gjithashtu hetime në nivele të ulëta të organizimit politik të subjekteve zgjedhore dhe raste të pakta ndëshkimi. Të dhënat e SPAK (përgjegjës për korrupsionin zgjedhor apo veprat e tjera zgjedhore të kryera nga funksionarë të lartë), për vitet 2021-2022, hedhin dritë për një numër të lartë kallëzimesh penale, më së shumti nga subjektet politike (64%), të pasuar me kallëzimet e institucioneve publike (27%) dhe 9% e kallëzimeve janë regjistruar me nismën e vetë të SPAK.

Edhe në kuadër të zgjedhjeve vendore të dt. 14 Maj, KShH vëren se qytetarët janë indiferentë dhe rrjedhimisht nuk denoncojnë veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Për shkak të perceptimeve të larta për presion që ushtrohet mbi ta si zgjedhës, do duhet të ishin kallëzuesit kryesor pranë organit të prokurorisë. Nga takimet e realizuara në disa Bashki të Vendit, si Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Elbasan, Durrës, Fier, qytetarët e perceptojnë fenomenin e shitblerjes të përhapur tek bashkëqytetarët e tyre por jo tek ata vetë. Ka një perceptim më të ulët të këtij fenomeni në pjesën jugore dhe juglindore të vendit. Në Bashkitë Malësi e Madhe, Dibër dhe Lezhë, janë kontaktuar zgjedhës që kanë pohuar se para ditës së votimit ofrohen të mira materiale dhe para, në këmbim të votës. Në Bashkinë Lezhë, është pohuar se subjektet zgjedhore ofrojnë shuma parash që arrijnë vlerën 100 Euro për votën për anëtarë të Këshillit Bashkiak si dhe ka raste masive të shpërndarjes së tollonave të naftës si shpërblim për individë të ndryshëm që angazhohen në takime elektorale.

Në komunitetet e pakicave etnike rome dhe egjiptiane, ky kontakt kryhet haptazi. Në Bashkinë Korçë u kontaktuan zgjedhës të Minoritetit Rom që për shkak të gjendjes së tyre ekonomike ishin të gatshëm të shisnin votën e tyre, edhe pse subjektet nuk ju ishin afruar deri në ato momente. Në pjesën tjetër të popullatës, synohen kategori të caktuara, bazuar në kontaktet familjare dhe shoqërore.
Kryetarët e partive, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor, angazhohen solemnisht në kuadër të kërkesës për regjistrimin e subjektit të tyre zgjedhor, duke nënshkruar një deklaratë të detyrueshme për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës. Por fakti që ky fenomen vijon të perceptohet gjerësisht dhe se sinjalizimet në media vijojnë deri në pak ditë para zgjedhjeve, tregon se këto deklarata janë formale.

Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim. KShH është njohur me të dhëna të sinjalizuara në terren, në Bashkinë Elbasan, sipas të cilave, pretendohet se eksponentë të lartë të subjektit zgjedhor PS i bëjnë presion votuesve duke i përcjellë informacion se ditën e votimit, vota e tyre do të jetë lehtësisht e identifikueshme. KShH ju drejtua Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me shkresë zyrtare në dt.4 Maj, duke rekomanduar marrjen e masave të duhura parandaluese duke përfshirë këtu dhe një fushatë publike mbi sigurinë e moskryerjes së identifikimit të vullnetit të zgjedhësve, nëpërmjet votimit elektronik. Komisioneri, në vijimësi, gjatë testimit operacional për sistemin e votimit dhe numërimit elektronik u shpreh se “Pajisjet garantojnë 100 % fshehtësinë e votës së zgjedhësve. Nuk ka asnjë lloj mundësie, as kompania që ka prodhuar pajisjet, as KQZ dhe askush nuk mund të identifikojë dhe zbulojë votën e qytetarëve”. Situata e vështirë sociale-ekonomike dhe kultura e pandëshkueshmërisë, keqpërdoret nga subjektet zgjedhore që janë të prirura për të blerë votat e zgjedhësve që janë në pamundësi ekonomike.

Sa i përket korrupsionit zgjedhor, referuar zgjedhjeve të kaluara dhe të dhënave të para të sinjalizuara në media për këto zgjedhje, vihet re se strukturat drejtuese të subjekteve zgjedhore dhe kandidatët e tyre, në të shumtën e rasteve nuk ekspozohen, por ngarkojnë persona të veçantë. Hetimet në të kaluarën nuk janë shtrirë në nivele të larta të drejtimit dhe organizimit politik, ndërkohë që për këto zgjedhje është ende herët për të arritur në konkluzione.

Sfidat e së kaluarës për hetimin efektiv të veprave penale në fushën e zgjedhjeve vijojnë të jenë aktuale edhe në rastet e pakta të denoncuara në media, për zgjedhjet vendore të dt.14 Maj. Veprimet paraprake që do t’i shërbenin organit të prokurorisë për fillimin e procedimit sipas nenit 291 të Kodit të Procedurës Penale, duhet të kryhen në afate sa më të shpejta, pasi në të kundërt prekin cilësinë e mëtejshme të hetimeve, duke sjellë zbehjen, zhdukjen apo manipulimin e provave. Vonesat në hetime (sikurse ka ndodhur) dobësojnë besimin e publikut tek organet ligjzbatuese.

Rastet e shitblerjes së votës nuk është e lehtë t’i zbulosh edhe për faktin se për ato flitet më së shumti, mbasi zgjedhjet kanë përfunduar. Kjo e vështirëson punën e prokurorisë. Nga kontaktet me KZAZ në disa Bashki të vendit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme zgjedhore, duket se klima e bashkëpunimit është relativisht e mirë dhe nuk referohen raste konkrete të cenimit të integritetit të votës. Por pasi zgjedhjet janë mbyllur, praktika e kaluar ka treguar që drejtuesit e subjekteve zgjedhorë paraqesin akuza të rënda për shitblerjen e votës dhe krimin zgjedhor. Qasje të tilla të heshtjes gjatë periudhës parazgjedhore dhe reagimit të mëvonshëm, kur procesi është mbyllur, vendosin në diskutim edhe integritetin e vetë subjekteve.
KShH ka vijuar me vëzhgimet sistematike në terren, si dhe identifikimin dhe verifikimin e të dhënave të raportuara nga media, nga vetë gazetarët apo bazuar në sinjalizimet publike të subjekteve zgjedhore, për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Janë denoncuar në media disa raste të dyshimta të shitblerjes së votës në Bashkitë Tropojë, Has, Tiranë, Himarë dhe Mallakastër (shumica e tyre vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve). Në vijim të këtyre rasteve, i jemi drejtuar Prokurorive të disa rretheve gjyqësore dhe Prokurorisë së posaçme (SPAK), me kërkesa zyrtare për informacion, nëse ka filluar apo jo procedimi penal lidhur me to, me kallëzim, referim apo nismën e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë një qarkore për hetime të shpejta dhe ashpërsim të masave të sigurimit personal dhe dënimeve të kërkuara nga prokuroritë. Në një nga rastet e verifikuara në terren, kjo qarkore nuk është zbatuar sipas vlerësimit të KShH-së. Konkretisht, KShH u njoh me lajmin e publikuar në media, më 25 Prill 2023, nga ku referohet se shtetasi B.D. punonjës i

Bashkisë Patos është dhunuar nga përgjegjësi i ndërmarrjes pranë Bashkisë P.P. B.D ka denoncuar publikisht përdorimin e mekanizmave ndikues në vullnetin e zgjedhësve dhe familjarëve të tij. Vëzhgues të akredituar të KShH-së, ndërmorën në dt.8 Maj 2023 një mision verifikimi në terren, nga ku rezultoi se referimi i kësaj vepre penale nga Oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ) pranë Prokurorisë është realizuar nën kualifikimin ligjor të parashikuar në nenin 89 K.P. “Plagosja e lehtë me dashje”, edhe pse të dhënat e bëra publike në media, ngrenë dyshime serioze për nenin 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Pavarësisht se në media, shtetasi i dëmtuar B.D. ka pretenduar publikisht identifikimin e autorit përgjegjës, KShH konstatoi se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nuk vlerësuar të nevojshme të procedojë me ndalimin e të dyshuarit për kryerjen e një krimi, veprim procedural i parashikuar në nenin 253 të Kodit të Procedurës Penale.

Në vijim të konstatimeve për këtë çështje, KShH ju drejtua Prokurorit të Përgjithshëm me shkresë për mbikëqyrjen e zbatimit të qarkores së nxjerrë, ndërkohë që konkluzionet e deritanishme të KShH-së nuk synojnë aspak të ndikojnë në pavarësinë e prokurorit të çështjes.

Read Previous

Mitsotakis mesazh Ramës: Lironi Belerin, ose harroni Bashkimin Europian!

Read Next

“Jemi krenarë për Këlliçin”/ Berisha: Është prototipi më i mirë i njeriut të sukesshëm