Kina dhe Rusia: SHBA, si punonjëse në bordello, që mëson për moral vajzat në shkolla

Kina dhe Rusia lëshuan kritika të forta në drejtim të Shteteve të Bashkuara për organizimin e Samitit për Demokracinë. Mediat shtetërore të këtyre vendeve e cilësuan “hipokrit” eventin, në një tentativë për të denigruar iniciativën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Në një mori postimesh në Twitter, diplomatët e Kinës i referohen eventit “i ashtuquajturi” samit për demokracinë, ndërsa analistët politikë të Rusisë kanë publikuar opinione në media publike të Pekinit, duke e krahasuar iniciativën e Shteteve të Bashkuara me “një punonjëse në bordello që u mëson moralin vajzave të shkollës”.

Ekspertët e propagandës autoritare i thonë CNN-it, fakti që zhurma mediatike vjen nga zëdhënëse zyrtare – dhe jo nga profilet false dhe trollët e fshehtë të internetit – pasqyron ankthin mbi përpjekjet e SHBA-së për të mbledhur mbështetje për normat demokratike dhe potencialisht për të izoluar Pekinin dhe Moskën në proces.

Administrata Biden planifikon të përdorë samitin për të shpallur nisma të reja për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por zyrtarët në Kinë dhe Rusi po tentojnë që ta nënvlerësojnë këtë mesazh.

Gjatë fundjavës së kaluar, Kina mbajti versionin e saj virtual të Forumit Ndërkombëtar për Demokracinë, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga mbi 120 shtete. Në përfundim të punimeve u publikua dhe një letër e bardhë duke pretenduar se sistemi njëpartiak i saj është një demokraci që funksionon më mirë se sa ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./a2/

Read Previous

Clinton nxjerr nga arkivat fjalimin që do të mbante nëse fitonte zgjedhjet presidenciale të 2016

Read Next

Policia rrugore : Shmangni lëvizjen drejt qendrës së Tiranës