Këtu asgja nuk asht tabu, përveç njohjes së vetvedit

Nga Astrit Cani

Teksa shqiptarët zgjidhin në fb problemet madhore të ndarjes së pushteteve, laicizmit të shtetit, reformave strukturale, gjithnji të orientuem kah ngërçi me BE-në, un kthehem prej tregut të fshatit i zhgënjyem pse asnji shitës nuk din me vu çmimet dhe si përfundim mbas nji dreke te nji fshat tjetër, harroj fiqtë në makinë.

Ne nuk kemi sens mase, tahminë, kemi tamah, kot e kemi edhe at.

Fshtarët mbas 30 vjet ekonomi tregu s’e kanë kuptue as ekonominë as tregun.

Nji mirditor i fushave që Bushatlliu ia kaloi kapedanit si shpërblim për mbështetjen në luftë, don me më dhanë krejt shportën e fiqve ngase i kam dhanë 2 mijë lek.

I duken shum. Kur i thashë ma ban nji kile, iu duk pak nji kile, se nuk e shet ma se 5 qind lek. Mandej çohet dhe asht gati me më falë zemrën, ditën e punës, krejt çka ka aty.

S’e kupton se kto shprehi të mirësisë ma xhenuine ndaj nji të panjoftuni mue më dëshpërojnë.

Asht ma e randësishme me kenë i drejtë sesa i mirë. Dhe sidomos po tregtove duhesh me ditë me servirë.

Nji tjetër, kaubojs, shet hekurishte, ky ban si profesionist, nji darë gjermane që un në Milano e gjej me 1 euro, don 13 mijë lek, mandej kur ne e pyesim a ka zbritje e ul në 12.

Kur kalojmë mbas nja dy orësh prap (mbasi kemi pi kafen dhe eksplorue pak katundet përreth), e gjejmë darën prap aty.

A na e jep me 8 mijë, ky asht çmimi ma i mirë që mund t’i japim ne që tregtinë e njohim qysh fmi, jo, thotë, 14 mijë.

Dmth hekuri, simbas ktij asht si vêna, hekuri gjerman nuk ndryshket përmirëset me kalimin e kohës, apo s’ra edhe shi sot mjes. Jam i bindun se asht tuj ndërtue shpinë e re. Jam i sigurt se themelet i len përfund, gjithë në u kujtoftë për ‘to.

Restoranti asht i paqtë. Asht fshat tjetër ky. Kur i kërkojmë nji shishe të madhe uji kamerierit, ky na bjen dy të vogla.

Pse s’na prune nji të madhe, e pyesim. Se shishe të mdhaja kena pak thotë.
Ky vend asht bjeri t’i biem.

Rrugës më vjen me qeshë e me qa. Shof 15 km manaferra të pjekuna që askush s’begenis me i mbledhë, t’i lamë bimët mjeksore, se ato duhet me u përkulë me i shkulë, po manaferrat që duhet thjesht me i vjelë!!?

Dhe un që i blej 3 euro pakot 50 gramshe në supermarketet e Chinatownit, dhe kurr nuk kanë shijen e tonave që kalben në degë. Ça ban tanë ky milet?

Në lidhje me shndërrimin tonë, shndërrim që nuk na çon kurr te forma, mund të përmendim konceptin spenglerian të pseudomorfozës.

Ne nuk jemi metamorfozë, por pseudomorfozë e qytetnimit europian. Dmth ne jemi baza prej të cilës fiset e reja evropiane nxorën metamorfisht ftyrën e vet në dritë, kurse ne s’e njohëm kurr vedin.

Dhe po ta vini re ktu asgja nuk asht tabù, përveç njohjes së vetvedit.

Read Previous

Nga Sonila Meço: Për kë ende rrëmon arsye e vickla për të mbështetur pushtetin e babëzisë

Read Next

Takimi misterioz i Ramës në Hotel Rosewood ku mori jetë ‘shtetësia me koncesion’