Këlliçi takim me banorë te Brryli dhe Materniteti i Ri: Transporti falas 100% i realizueshëm

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, i shoqëruar nga kryesuesi i listës për Këshillin Bashkiak, Dr.Ilir Alimehmeti dhe kandidatë të tjerë, ka vijuar turin e takimeve në çdo lagje të Tiranës.

Këlliçi u ndal në zonën e “Brrylit” në kryeqytet dhe pranë “Maternitetit të Ri”, ku shtrëngoi duart me qindra qytetarë të Tiranës, të cilëve njëkohësisht u dha dhe programin e tij për drejtimin e kryeqytetit.

Gjatë takimeve në rrugë, një i moshuar u interesua për angazhimin e dhënë nga Belind Këlliçi, për transportin publik falas. “E kam dëgjuar me vëmendje atë projektin tënd. A realizohet”?

Belind Këlliçi shpjegoi se ky angazhim do të bëhet realitet pas 14 majit, pasi sipas tij, prioritet do të jenë qytetarët. “Transporti, autobusi?! – 100% që po. E di si realizohet?! Mjafton t`i çosh lekët, që këta i vjedhin i marrin për inceneratorin, me i çu tek autobusi falas për të gjithë Tiranën. 100% e realizueshme! Është çështje prioriteti. A ke hy me vjedh apo ke hy të bësh punë?! Unë jam futur për të bërë punë, e kam ndarë mendjen”!

Qytetari ishte kurioz të dinte nëse do të ketë largime nga puna edhe për punonjësit që shërbejnë aktualisht në sistemin e transportit urban të Tiranës: “Po ata punëtorët që punojnë atje”?

Belind Këlliçi u shpreh se jo vetëm që nuk do të largohet njeri nga puna, por sistemi do të modernizohet.

“Të gjithë do punojnë, unë do subvencionoj shërbimin, nuk do heq njeri nga puna. Unë do paguaj aq sa duhen në vit me e mbajt në këmbë sistemin me fitim. Unë po të them kaq: kushton në vit 16.5 milionë euro, buxheti është 240 milionë euro. Unë do t`u paguaj 16.5 milionë euro operatorëve çdo vit, operatorëve që ta mbajnë sistemin në këmbë dhe ta modernizojnë”.

Gjatë takimeve shumë qytetarë treguan vështirësitë me të cilat po përballen, pa lënë mënjanë faktin se jeta në Tiranë është vështirësuar edhe për shkak se lagjet e qytetit nuk kanë njohur investime nga bashkia.

Për këtë arsye, qytetarët shprehën mbështetjen ndaj Belind Këlliçit, madje edhe nga ata të cilët kanë ardhur nga jashtë vendit vetëm për të votuar ndryshimin në 14 maj.

“Pensionet përtokë, kushte janë siç janë, një karrocë, ne nuk kalojmë dot një xhiro. Në një lagje ku ke ambulancë dhe të ketë gjithë ato gropa, unë këtë nuk e justifikoj kurrë. Tirana ka nevojë për qytetari dhe për vepra konkrete. Kam ardhur apostafat nga Amerika që të votoj këtu”.

Belind Këlliçi deklaroi gjithashtu se ndryshimi do të vijë në 14 maj, pasi llogaritë tashmë janë ndarë. Veliaj me oligarkët ndërsa Këlliçi dhe ekipi i tij me qytetarët.

“I kemi ndarë llogaritë, ne gjithë ditën me qytetarët, këta i kemi lënë me oligarkët. Në datën 14 do të bëhet ndryshimi se s’bën, se shohim njerëzit çdo ditë, kudo ku ikim”.

Read Previous

Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Shëngjin, një i vrarë

Read Next

Vrasja në Shëngjin/ Viktima ish kandidat për deputet