Këlliçi sqaron posterin: Kritikët të shqetësohen edhe për vjedhjet e Veliajt

Belind Këlliçi në vijim të turit të tij të takimeve me qytetarët ka sqaruar edhe posterin e fushatës me dy gishtat që u diskutua gjerësisht në rrjet dhe mjedisin politik për mesazhin e fortë që përcillte, por edhe u kritikua si shkelje e etikës.

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Tiranën u prononcua sot për mediat duke thënë se ky ishte një reagim pa etikë ndaj korrupsionit.

“A ka mesazh më të qartë sesa ti drejtohesh korrupsionit pa etikë? Jam i vendosur të luftoj korrupsionin në bashkinë e Tiranës pa limit, pa censurë dhe pa etikë”, tha Këlliçi.

Por, sipas tij kritikët nuk duhet të shqetësoheshin aq shumë, në një kohë kur janë po ata që bëjnë një vesh shurdh e një sy qorr për vjedhjet që u bëhen qytetarëve nga kryebashkiaku Erjon Veliaj.

“Bashkia e Tiranës është një nga institucionet më të korruptuara të shtetit tonë. Habitem si nuk janë shqetësuar mediat e qytetarët dhe ata që janë shqetësuar nga posteri im për vjedhjen që i ndodh çdo ditë qytetit, për inceneratorin që paguajmë mijëra euro çdo vit për një shërbim që nuk e marrim.

Pse nuk shqetësohen për faktin që nuk bëhet asnjë investim për rrugë e shkolla?

Pse nuk shqetësohen që këtu është vjedhur e ardhmja e fëmijëve dhe vidhet çdo ditë buxheti i shtetit? Ishte një mënyrë e drejtpërdrejtë se duhen metoda të tilla për të dhënë një mesazh për të thënë që jam i drejtpërdrejt dhe e kam seriozisht për të luftuar korrupsionin unë në këtë betejë jam për një model ndryshe dhe modelin ndryshe po sjell”, nënvizoi Këlliçi.

Read Previous

Shqipëria, e dyta në rajon për çmimet më të shtrenjta të energjisë për familjarët

Read Next

Bushati: Nuk mërzitemi nga vjedhjet, por nga gishti i mesit për hajdutët