Kastriot Çipi: Në varrimin e saj nuk ishte askush në emër të Teatrit Kombëtar, Teatrit Eksperimental…

Kastriot Çipi, ish-drejtor i Teatrit të Komedisë ka pohuar nëpërmjet një statusi në Facebook se, në varrimin e aktores së njohur, Edi Luarasi, nuk ka marrë pjesë askush nga përfaqësuesit e teatrove, Ministrisë së Kulturës apo Bashkisë Tiranë.

Statusi i plotë i Çipit në Facebook:

Në vitin 2013, isha drejtor i Teatrit të Komedisë, kur ndërroi jetë një nga aktorët e Teatrit Kombëtar.

Nuk kisha punuar kurrë me të. Vitet e fundit madje as nuk më fliste. Nuk e di pse. Nuk ma tha kurrë. Si person, do të isha krejt i justifikuar të mos i shkoja në varrim.

Por unë isha drejtor i një teatri. Dhe nuk kishte asnjë rëndësi fakti se ky aktor nuk kishte punuar kurrë në Teatrin e Komedisë.

Unë duhej të isha patjetër i pranishëm në varrim. Dhe jo thjesht unë, por një delegacion i Teatrit të Komedisë, me kurorën në emër të Teatrit.

Unë nuk besoj se Edi Luarasi kishte armiq në komunitetin e artistëve të skenës dhe ekranit.

E megjithatë, në varrimin e saj nuk ishte askush në emër të Teatrit Kombëtar, Teatrit Eksperimental, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Teatrit të Metropolit, Ministrisë së Kulturës apo Bashkisë Tiranë.

Më bëni një nder: mos ejani as në varrimin tim!

Read Previous

LEGJENDA E SKRAPIT (Triptik tranzicioni)

Read Next

Rikthehet e djathta: Golistët zgjedhin kandidaten femër Valérie Pécresse për të përballur Macron