Kaos në transportin urban në Tiranë? Jo, përkundrazi!

Ka disa ditë që pronarët e linjave urbane në kryeqytet bëjnë një tip greve/presion ndaj Bashkisë Tiranë për çështje rimbursimesh e ulje TVSH-je.

Për pasojë kanë reduktuar në minimum shërbimin, një urban i Unazës apo Kombinat – Kinostudio p.sh vjen në stacion njëherë në 1-2 orë.

Stacionet e urbanëve i sheh gjithë ditën plot me qytetarë që rrinë e presin me durim, të qetë. Për hirë të së vërtetës, jemi një popull tepër interesant. Pronarët e urbanëve protestojnë për interesat e tyre, udhëtarët nuk bëzajnë fare, as kur u rrit çmimi i biletës para 2-3 vitesh, as tani që urbani nuk është në kohë në stacion.

Madje, shumica e tyre kanë paguar që të marrin shërbimin kur ju duhet, kanë bërë abonimin. Mirëpo as vonesa, as çmimi, as pagesa paradhënie e abonesë nuk janë shkaqe që të protestojë kush.

E çuditshme është se më shumë i shqetësuar po ndihet shteti se qytetari.

Ministra Belinda Balluku ka organizuar një takim me pronarët e urbanëve, shoqatat, dhe ka ndërmarrë një iniciativë përtej kompetencave të saj, pasi kjo gjë mund të zgjidhet nga Bashkia Tiranë, por gjithsesi.

Në gjithë sa thamë, përveç heshtjes së qytetarëve, kjo protestë e pronarëve të linjave urbane ka edhe një anë tjetër pozitive, trafikun.

Trafiku në rrugët e kryeqytetit është ulur ndjeshëm këto ditë.

Përderisa qytetarët nuk kanë ankesa, nuk protestojnë, -a nuk do ishte mirë që të lutemi që kjo situatë të vazhdojë kështu, të paktën ata që levizin me mjetet e tyre të mos kenë vonesa në trafik.(?)

Shumë media kanë dalë me tituj “kaos në transportin urban”, po përderisa qytetarët nuk kanë ankesa, por rrinë e presin nëpër stacione të qetë, ky nuk mund të quhet “kaos”.

Ironi? Edhe po edhe jo!

/kumtari.al/

Read Previous

“S’po më zë gjumi natën“, Vuçiç në ankth për krizën energjitike. Ka vende që janë më keq, por s‘janë të shqetësuar

Read Next

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe 17 vendimet e tjera të KKT-së