Johnson & Johnson (J&J) do të ndalojë prodhimin dhe shitjen e pudrës së bebeve pas denoncimeve të shumta

Johnson & Johnson (J&J) do të ndalojë prodhimin dhe shitjen e pudrës së bebeve me bazë talku në të gjithë botën, duke nisur nga viti i ardhshëm.

Njoftimi vjen më shumë se dy vjet pasi gjiganti i kujdesit shëndetësor ndaloi shitjet e produktit në SHBA.

J&J është përballur me dhjetëra mijëra padi nga gratë që pretendojnë se pluhuri i talkut përmbante azbest dhe u shkaktoi atyre kancer ovarian. Por kompania përsëriti pikëpamjen e saj se dekada kërkime të pavarura tregojnë se produkti është i sigurt për t’u përdorur.

Në deklaratën e fundit marka theksoi edhe njëherë se pudra e saj për fëmijë është e sigurt:

“Pozicioni ynë për sigurinë e talkut tonë kozmetik mbetet i pandryshuar. Ne qëndrojmë fort pas dekadave të analizave të pavarura shkencore nga ekspertë mjekësorë në mbarë botën që konfirmojnë se pudra e bebeve Johnson me bazë talku është e sigurt, nuk përmban azbest dhe nuk shkakton kancer.”

Në vitin 2020, J&J tha se do të ndalonte shitjen e pudrës së bebeve në SHBA dhe Kanada, sepse kërkesa kishte rënë pas asaj që marka e quajti “dezinformim” në lidhje me sigurinë e produktit mes një numri çështjesh ligjore.

Në atë kohë, firma tha se do të vazhdojë ta shesë pudrën në pjesën tjetër të botës.

Një hetim i vitit 2018 nga agjencia e lajmeve Reuters pretendoi se J&J e dinte prej dekadash që azbesti ishte i pranishëm në produktet e saj të talkut. Reuters tha se të dhënat e brendshme të kompanisë, dëshmitë dhe provat e tjera treguan se të paktën nga 1971 deri në fillim të viteve 2000, talku i papërpunuar dhe pluhurat e përfunduar të J&J ndonjëherë rezultuan pozitivë për sasi të vogla azbesti.

Në përgjigje të provave të kontaminimit me azbest të paraqitura në sallat e gjyqit, raporteve të medias dhe ligjvënësve amerikanë, firma i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Në tetor, J&J krijoi një filial, LTL Management, duke ia caktuar atij pretendimet për talk. Më vonë filiali shpalli falimentimin, gjë që ndërpreu paditë në pritje.

Read Previous

Brisha flet në koordinim me Metën për ‘qeverinë teknike’ në shtator

Read Next

Sekretari i Përgjithshëm i PL: TË VËRTETAT E KRIMEVE TË ERION VELIAJ NDAJ TIRANËS!