JAVA E PANDËRPRERË

Nga Aurel Plasari

Nga cikli “Shpikje që duhen njohur”

“Njepreryvka” ose “Java e pandërprerë” ka qenë njëra nga shpikjet më kërshërore të mendësisë totalitare.

29 shtatori 1929 pati qenë për “klasën punëtore” të Bashkimit Sovjetik e diela e fundit e pushimit. Të dielat pas saj nuk do të ishin më ditë pushimi. Do të punohej të shtata ditët e javës, por edhe pse për punonjësit java e punës do të ishte gjashtëditore, nuk do të ishte e diela pushim. Ditë pushimi për “klasën punëtore”, që llogaritej 80 % e popullsisë, do të ishte çdo ditë e javës, e përcaktuar për çdo person në bazë të një kalendari të posaçëm.

Propozimin e kësaj shpikjeje për “revolucionarizimin e procesit të punës” e kishte bërë ekonomisti dhe politikani sovjetik Juri Llarin, për të cilin makineritë në uzina dhe fabrika nuk duhej ta ndalnin punën për asnjë moment, përndryshe produktiviteti do të shkonte në rënie dhe ndërtimi i socializmit do të rrezikohej.

Sipas kalendarit të përftuar enkas për zbatimin e kësaj shpikjeje, ço ditë e javës në të ishte e koduar me një ngjyrë të caktuar: të verdhë, të kuqe, të gjelbër, vjollcë etj. Si edhe e shoqëruar me një simbol: yll i kuq; drapër e çekan, libër, budjonovkë d.m.th. kapë ushtarake leshi etj.

Çdo person e kishte ditën e pushimit në njërën nga këto shtatë ditë të javës. Për shembull: nga çifti i ri burrit mund t’i binte të enjten, nuses të hënën, babait të dielën, nënës të martën. Madje edhe miqtë, në një situatë të tillë, klasifikoheshin për lehtësi llogarie me simbolet: Filani është “yll i kuq”, Filania është “libër” etj. Edhe kur java e punës për punonjësit u bë pesëditore, organizimi i pushimit javor vijoi sipas një kalendari të tillë.

Kuptohet që, falë kësaj shpikjeje, familja nuk mund të kishte ditë pushimi të përbashkët, as për t’u mbledhur familjarisht, as për të vajtur së bashku në kishë a në një urim a në një ngushëllim familjar, doemos as për të dalë në një piknik, dhe kështu me radhë. Edhe vizitat miqësore a farefisnore mes një familjeje dhe një tjetre bëheshin të pamundura.

Përpos llogarive ekonomiko-industriale të gjeniut Llarin, është më se e qartë që nëpërmjet këtij mekanizmi goditej organizimi familjar, familja vetë, me sa duket si një “mbetje” e cila teorikisht në komunizëm nuk do të duhej të ekzistonte më, do të fikej sikundër do të fikej edhe vetë shteti.

Qytetarët, edhe pse “sovjetikë”, reagonin, gjenin gjithnjë më shumë mënyra bishtnimi, derisa në qershor1940, pas 11 vitesh eksperiment, shpikja u ndalua. Kishte dështuar. Por shoqërisë njerëzore nuk i lejohet ta harrojë ose, edhe më keq, të mos këtë dijeni për këtë shpikje.

* * *

Ilustrim: Një kalendar sovjetik i vitit 1930, me javë pune pesëditore dhe me pushimet sipas ngjyrave dhe simboleve. Biblioteka Shtetërore Ruse, Moskë. Imazhe të Trashëgimisë / Getty Images.

 

/Marrë nga facebook-u i autorit.

Read Previous

Kur “vret” babën!

Read Next

Divorci Rama-Doshi është vetëm “në letra”.