Izraeli sulmon me raketa aeroportin e Sirisë

Izraeli ka kryer sulm ajror ndaj aeroportit të Alepos më 22 mars, duke shkaktuar dëme, tha Ministria e Mbrojtjes siriane. Autoritetet siriane nuk njoftuan për viktima. Ky është sulmi i dytë i këtij lloji ndaj këtij aeroporti gjatë këtij muaji.

Aeroporti në Alepo, që është qyteti i dytë më i madh në Siri, ka qenë një kanal kryesor për dërgimin e ndihmave që nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit që goditën Turqinë dhe Sirinë. “Rreth orës 03:55, sipas kohës lokale, Izraeli armik kreu një sulm ajror, duke shënjestruar aeroportin ndërkombëtar të Alepos e duke shkaktuar disa dëme materiale”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë.

“Disa raketa” u lëshuan nga Mesdheu, pranë brigjeve të qytetit Latakia, shtoi ministria. Zyrtari i Ministrisë së Transportit, Suleiman Khalil, i tha AFP-së se autoritetet janë duke vlerësuar dëmet.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet shënjestruan “ndërtesën e aeroportit dhe një depo të armëve që i përket forcave pro-iraniane që gjendet në perimetrin e aeroportit”. Ky grup monitorues tha se depoja e armëve “është shkatërruar plotësisht”.

Më 7 mars, tre persona u vranë pas një sulmi ajror izraelit ndaj këtij aeroporti, duke shkaktuar ndërprerjen e të gjitha fluturimeve. Aeroporti i rihap pas disa ditësh. Mbi 80 fluturime, që bartnin ndihma, u kryen në Alepo, për të ndihmuar të prekurit e tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit, tha Ministria e Transportit të Sirisë.

Lufta civile në Siri ka nisur më 2011 dhe Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore ndaj Sirisë, kryesisht duke goditur caqet e ushtrisë siriane dhe të aleatëve të saj iranianë dhe të Hezbollahut. Izraeli në vitet e fundit ka kryer sulme disa herë ndaj aeroporteve në Alepo dhe Damask.

Read Previous

Ra në kontakt me rrymën elektrike, humb jetën 45-vjeçarja

Read Next

Pa vendim gjykate, Policia mësyn në ambientet e ‘Prestige Resort’ për të konfiskuar dy godina

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *