Ish-ministri i Brendshëm i Austrisë Karl Nehammer është betuar sot në postin e kancelarit të ri.

Nehammer është kancelari i tretë austriak brenda tre muajsh pasi akuzat për korrupsion destabilizuan Partinë Popullore, pjesë e të cilës është edhe ai.

Kancelari paraprak austriak, Alexander Schallenberg dha dorëheqje më 2 dhjetor pasi paraardhësi i tij dhe aleati i afërt, Sebastian Kurz u tërhoq nga politika dhe Partia Popullore pas skandaleve me korrupsion.

Më 3 dhjetor, partia nominoi Nehammerin, 49-vjeçar për kancelar dhe kryetar të partisë.

Detyra e parë e kancelarit të ri ishte kthimi i Schallenbergut në postin që e kishte, atë të ministrit të Jashtëm dhe emërimi i ministrave të Financave, të Brendshme dhe Arsimit.

Duke folur për gazetarët pas ceremonisë së betimit në postin e kancelarit, Nehammer pranoi se ka shumë punë për të bërë për të nxjerrë vendin nga izolimi që hyri në fuqi në Austri nga 22 nëntori si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të të infektuarve me COVID-19.

Izolimi do të duhej të përfundonte në fundjavë por Nehammer tha se do të konsultohet me ekspertët dhe opozitën ditët në vazhdim rreth hapave të ri.

Austria po ashtu planifikon ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin kundër coronavirusit.

Masat e fundit kundër pandemisë kanë ngjallur reagim të opozitës sidomos Partisë djathtiste të Lirisë (FPOe).

Derisa premtoi se do t’i dëgjojë të gjitha shqetësimet, Nehammer bëri thirrje për unitet duke shtuar se ‘ndarja i dëmton të gjithë qytetarët’.

Read Previous

Putin dhe Xi po e shtyjnë Biden në një konflikt me dy fronte që ai s’mund ta fitojë

Read Next

Andi Bushati: Amerikanët nuk po luftojnë korrupsionin në Shqipëri, por po e amnistojnë atë!