INTERVISTË EKSKLUZIVE/ Prof. Artan Fuga: Jemi popull i vogël, i duruar. Adhurojmë të fortin, inferiorë ndaj të huajve…

Profesor Fuga, së pari ju falënderoj që pranuat ftesën për intervistë me Kumtarin. 

Kumtari: Profesor, ju jeni marrë shumë me studimin e sjelljes tonë si popull. 

Keni dhjetëra artikuj dhe disa libra shkruar për këtë çështje. A mund të na përshkruani 5 defektet dhe 5 avantazhet që ka kjo shoqëri dhe cilat kanë dominuar mbi tjetrën?

Prof. Fuga: Tjetër është shoqëria, dhe tjetër kombi, tjetër populli, tjetër raca, tjetër qytetarët, etj. Madje tjetër janë tiparet e qenësishme të një populli dhe tjetër karakteristikat etnokulturore apo të psikologjisë sociale në një periudhë të caktuar.

Aq shumë sa shpesh nuk ka defekte apo merita të ndara, ato janë bashkë.

Më shumë akoma, unë i qëndroj idesë se nuk ka “thelbe” të paluejtshme karakteristike të popullit, por sjellje të tij sipas kontekstit.

Megjithatë meqë më pyesni, ajo që ve re unë në studimet e mia është se në dekadat e fundit ka mjaft njerëz që marrin një edukatë ku grupi, familja, klani, fisi mbisundojnë mbi individin.

Ka njerëz që kanë kujtesë të shkurtër historike dhe harrojnë shpejt. Po ashtu në familje ka një edukatë shumë autoritare që prodhon qytetarë pasivë, dhe mbi të gjitha sikurse shihet nuk jemi të lidhur me trojet dhe vendin e të parëve dhe si pragmatistë ikim, nuk di se ku, dhe që andej kënaqemi se kemi bërë zgjedhjen e mirë duke parë vendin në mjerim.

Ngaqë jemi pak nuk e njohim forcën e ligjit aq shumë sepse më shumë i nënshtrohemi disa rregullave morale, turpi, nderi, fjala, miqësia.

Por popullsia e gjerë është joagresive, e butë, e durueshme, e nënshtruar, pak fataliste dhe që nuk do shumë të arsyetojë gjatë.  E adhurojmë të fortin, inferiorë ndaj të huajve, qëllon që gjënë nuk e themi në sy, sepse nuk e duam belanë, pak të ashpër në sjellje.

Kumtari:  Profesor Fuga ju jeni pedagog prej vitesh, unë kam hasur një konsensus tepër interesant, pozitiv, të shumë ish studentëve tuaj për ju. 

A mund të më përmblidhni shkurtimisht gjendjen e arsimit në Shqipëri? 

Si është arsimi, a është konkurues me vendet e tjera, krahasuar edhe me vende të rajonit apo Evropës ku ju jepni mësim? 

Prof. Fuga: Para se arsimi të japë frytet e veta, duhet që shoqëria t’i tregojë qenësisht se çfarë objektivash dëshiron të realizojë.

Për mua arsimi parauniversitar, sidomos shkolla e mesme, ka dalë komplet jashtë shinave të arsyes, të formimit bashkëkohor, dhe ka një naivitet të uluritshëm.

Teza idiote e provimit të maturës për Turin është sumumi i asaj që ndodh.

Nuk e kam me askënd, por gjykoj nga studimi i programeve dhe i pjesës dërmuese të teksteve. Ato janë dije që nuk janë veçse fjali të mbledhura pa kuptim që kërkohen të mbahen përmendsh në tru dhe nuk vlejnë për asgjë.

Krahasim me shkollën e mesme në Perëndim?

Mos bëj shaka!

Atje mësuesi i shkollës së mesme është autoritet lokal, dijetar.

Kurse universitetet nuk formojnë profesione, por ende të drejtuara te formimi abstrakt. Por kjo është histori e gjatë. E përsëris se pa u hedhur në koshin e plehrave ligji për arsimin e lartë, as mos prisni ndonjë gjë të hajrit!

Kumtari: Profesor, duke qenë njohës dhe kontribues në sektorin e medias, me brezat e gazetarëve që keni edukuar, shto këtu edhe praninë tuaj në media… A mund të më përshkruani gjendjen e medias në Shqipëri? Raportet me lirinë? Programacionet në tërësi.

 Prof. Fuga: Kjo është një temë që kërkon trajtime në vëllime të tëra.

Përmbajtja tërësisht e drejtuar nga politika, nga lajmet nga Tirana, me karakter gjeneralist, me pronësi familjare, e ushqyer gjoja nga reklama, në shumë media e centralizuar si pronësi, duke qenë edhe media që transmeton, edhe që prodhon, edhe që jep sinjal për të tretët. Nuk ndodh askund.

Kumtari: Po media sociale? A e ka zëvendësuar median tradicionale? 

Çfarë sfidë ka sot media e profesionistëve përballë medias së qytetarëve?

Prof. Fuga: Media sociale nuk ka atë qëllim. Nuk ka si funksion të zëvendësojë median lineare.

Sepse edhe në median sociale ka media sociale profesioniste dhe qytetare.

Ka një ndarje, rinia është në web, moshat e pjekura dhe lart janë në tv, pensionistët e moshave të shtyra janë te kioska e gazetave.

Tv është më shumë për shtresat me pak të ardhura, periferike urbane dhe që ushtrojnë profesione klasike.

Pra, ka një ndarje të shoqërisë sipas shtresave të saj në informacionin që merr. Kjo e çan dhe e përçan shoqërinë. Kemi mijëra të dhëna për këtë.

Kumtari: Po flitet shumë për rrezikun e rrjeteve sociale nën dritën e denoncimeve të brendshme të dala nga fb- akuza kryesore është që fb vepron në bazë të algoritmeve dhe algoritmet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të nxisin sherret dhe konflikte në mënyrë që njerëzit të shpenzojnë më shume kohë aty, për rrjedhoj fb fiton më shumë nga reklamat! Cila është  ana pozitive që ju shihini dhe a ja vlenë barra qiranë?

Prof. Fuga: Pse mediat klasike nuk e nxisin?

Kush e ka nxitur këtë shekull apo në shekullin e XX? Mediat sociale?

Mediat sociale varet si i përdor, i përdorin edhe demokratët, edhe konservatorët, edhe paqësorët, edhe terroristët?

Si veturës, varet kush i jep.

Mediat sociale janë të bekuara nga Zoti!

 Kumtari juaj më pëlqen shumë sepse është jokonformiste, por të shohim sa do të rezistojë!

 Kumtari: Faleminderit për fjalët e mira, do të përpiqemi të qëndrojmë ashtu siç na keni perceptuar.

-Z. Fuga, në këndvështrimin tuaj, a do të arrijë ndonjëherë Shqipëria të integrohet strukturalisht në Evropë? Kur mund të ndodhë kjo?

 Prof. Fuga: Ku e di unë?

Unë nuk u jap përgjigje pyetjeve të tilla që nuk kam si ta di.

Ndofta 50 vjet, ndofta asnjëherë!

Por jo më parë sesa gjysmës të shekullit! Unë di një gjë.

Klasa politike, biznesmenët e mëdhenj, grupe të korruptuara, media të caktuara, diplomatë të ndryshëm, qeveritarë, nuk duan integrimin e vendit në Europë.

Sondazhet që ka delegacioni europian për këtë çështje janë krejt të pavërteta dhe jo profesionale.

Të më japin mundësi të drejtoj një sondazh dhe do t’a nxjerr fotografinë si duhet.

Atëhere do të shohin se kush është e vërteta. Populli mbase e dëshiron? Intelektualët gjithashtu!

Unë vetë jam proevropian!

Por drejtuesit e shoqërisë aspak. Imagjino burokratët e zyrave, drejtuesit e niveleve të ndryshme!

Lëre se çfarë thonë, shih se çfarë bëjnë!

Sa herë afrohet integrimi, aq herë ndodh një krizë?

Kujtoni ju se nuk kanë lidhje?

Kumtari: Në librat tuaj janë dhënë shpesh zgjidhje/receta për probleme të koklavitura -si prona – por nuk ka reagim! Nuk i kanë lexuar librat apo???

Prof. Fuga: I kanë lexuar dhe i urrejnë! Çështje interesash jo dijesh!

Kumtari: Nëse do t’ju kërkonin këshillë në të njëjtën kohë për të njejten çështje Sali Berisha dhe Edi Rama si do vepronit?

Prof. Fuga: Të dyve do t’ua jepja! Madje çdo shqiptari që kërkon një fjalë nga unë.

Kumtari: Nëse do t’ju kërkonte një këshillë ambasadori BE apo ambasadori amerikane çfarë do t’u sugjeroje në lidhje me daljet publike?

Prof. Fuga: Do t’u përgjigjesha kur të m’a bënin pyetjen!

 Kumtari: Pse Shqiperia është i vetmi vend në Evropë dhe ndoshta në botë që ambasadorëve u jep edhe jetë publike?

Prof. Fuga: Sepse jemi vend i vogël, pa lidhje kulturore me të tjerët, me një gjuhë të vjetër të veçantë, kyçi gjeostrategjik i ndarjes Lindje – Perëndim, sepse kemi klasë politike pa këllqe ta mbajë vetë drejtimin që duhet, sepse prej dekadash jemi në “provim” për në Bashkimin Evropian, sepse kemi pasur nevojë për ta, sidomos çlirimi i Kosovës, por edhe se jemi paksa naivë.

Kur kryeministri deklaron për Shqipërinë se është e mikut edhe e Zotit, duke e ngatërruar me shtëpinë e rregulluar sipas normave kanunore, pra Shqipëria nuk është e shqiptarëve në radhë të parë, çfarë të them tjetër?

Fërkoj sytë dhe them: O Zot bëje ëndërr!

Kumtari: Para pyetjes së fundit, doja t’u bëj një pyetje në lidhje me familjen. Ku është dhe ku po shkon familja shqiptare?

 Prof. Fuga: Streha e fundit e shqiptarit!

Kumtari: Debat i madh për vaksinat? Ju çfarë i thoni një njeriu që heziton?

Prof. Fuga: Të vazhdojë të hezitojë se asgjë të sigurt nuk ka, por të vaksinohet! Ja them sikurse ja them vetes sime! ©kumtari.al

 

Read Previous

Basha lëshon gratë në mbrojtje të selisë

Read Next

Fuga: Pa u hedhur në koshin e plehrave ligji për arsimin e lartë, as mos prisni ndonjë gjë të hajrit!