I’m non grata’

Nga Elida Buçpapaj/

Unë që kam bashkuar zërin me miliona e miliona qytetetarë të rruzullit në emër të drejtësisë, rendit e shtetit të së drejtës kur në një kor jemi identifikuar me “Je suis Charlie”, “Je suis Brussel”, “Je suis Istambul”, “Je suis Paris” vetëdeklarohem “Je suis non grata” –  “I’m non grata”!

E respektoj dhe nuk e kam shkelur kurrë ligjin, dhe prapë vetdeklarohem se “I’m non grata!”

Megjithëse Amerikën e kam patur Yllin Polar, nuk kam nevojë të më shpallë DASH “Non Grata”, sepse unë e shpall veten të tillë! I’m non grata!

Në shtetin e së drejtës të një vendi demokratik, prezumimi i pafajësisë – Ei incumbit probatio qui dicit, jo qui negat – është një e drejtë juridike dhe askush nuk mund të dënohet, të exkomunikohet e poshtërohet publikisht pa iu vërtetuar faji! Në bazë të presumimit të pafajësisë, i pretenduari që ka kryer faj, është i pafajshëm.

Me pretendime, me “allegation” çdo kush rrezikon të jetë nën shpatën e padrejtësisë, qoftë President i SHBA apo Mbretëresha Elisabeth II e Anglisë!

Platoni thosh se forma më e keqe e padrejtësisë është kur pretendohet se është drejtësi.

Me allegation, duke pretenduar, na dënonte diktatura kriminale Hoxhiste, me allegation na burgoste, na internonte e na e vriste jetën! Vetëm me allegation, duke pretenduar, me prokurorë e gjykatës kriminelë! Me pretendimin si armiq të diktaturës na ndëshkonte mizorisht; edhe pse ishim fëmijë, ne lindnim armiq të diktaturës e cila na shpallte non grata që në barkun e nënës.

Sa për regjimin e Edi Ramës është perfeksionim i diktaturës hoxhiste në shekullin XXI, unë e shoh nonsens dhe të papranueshme sintoninë e tij dhe DASH, se sa për shtat i vijnë qëndrimet e DASH si mjete për të arritur qëllimet e tij Edi Ramës.

Prandaj e shpalla veten “non grata”.

Sepse me “non grata” nuk goditet Sali Berisha, por ata qindra mijë që ishin në shesh më 7 korrik!

Kjo është çështja!

E përsëris vazhdimisht se kam qenë kritikuese e Sali Berishës dhe natyrisht ai ka plot kusure, por prej kur startoi Foltoret, jam bërë përkrahëse e tij. Ne të Foltoreve jemi opozita shqiptare, Sali Berisha është vetëm njëri nga ne, ose – më shkoqur – jemi shqiptarët e thjeshtë që duan një jetë me punë të ndershme dhe me dinjitet në një vend me sistem demokratik.

Ne të Foltoreve, ne të 7 korrikut jemi të gjithë “non grata”, paçka se e duam Amerikën dhe respektojmë ligjin, ndryshe nga Edi Rama që i shkel ligjet, flirton me Vuçiç, i shtrëngon duart me Dodik pa marrë parasysh se është mik i Putinit dhe i shpallur nga DASH “non grata”.

Por kryesorja është se Sali Berisha nuk përbën rrezik për interesat Amerikane, përkundrazi është duke i mbrojtur ato. Sali Berisha është katalizatori që po ringjall demokracinë e vrarë nga antiligji që ka emrin e Edi Ramës por që çuditërisht nuk është i shpallur non grata!

Prandaj unë vetëdeklarohem non grata!

Si protestë për të kundërshtuar eleminimin e pluralizmit në Shqipëri nga Edi Rama dhe banda e tij!

I love USA, por dua Amerikën e ëndërrës sime, të Walt Whitmanit, kur bënte thirrje që “të binin kambanat se Anija fitimtare, kishte arritur t’i tejkalonte vorbullat dhe ankthet”. Anija fitimtare ishte Amerika.

Unë mendoj se Walt Whitman sot në Heaven është në ankth nga vorbullat!

Gjyshi im ishte ende fëmijë në fillim të shekullit XX, kur dëshira për të kapur ëndërrën Amerikane e bëri që të përballonte një udhëtim gati të pamundur nga Shqipëria në Ellis Island për të fituar jetën me punë, djersë e nder, ndërsa tani në emër të Amerikës më flet një kryeministër i ngopur si sfungjeri nga aferat korruptive, që ka uzurpuar çdo pushtet dhe që e shpërdor Parlamentin për të poshtëruar e derdhur urrejtjen e helmin tij linçues kundër opozitës, të cilën e konsideron armike sikur diktatura enveriste. Edi Rama nxit konflikt ndërshqiptar. Është i rrezikshëm. Qendrimet e tij bien ndesh interesave Amerikane!

Prandaj u vetshpalla non grata! E respektoj dhe nuk e kam shkelur kurrë ligjin! Ndërsa shkelësi i ligjit dhe Kushtetutës po përdor non gratat e SHBA dhe MB si carta bianca për të likuiduar pluralizmin dhe liritë elementare të individit!

Prej 1991 kemi një ëndërr të përbashkët ne shqiptarët, që vendi ynë të ketë një demokraci normale, me shtet të së drejtës, ku të gjithë të jemi të barabartë përpara ligjit, ndërsa fatkeqësisht në Shqipēri ligjin e bën njeriu që po e kthen Shqipërinë në një “fuçi baruti”. Dhe ky është Edi Rama!

Kryeministri i Shqipërisë me një enturazh ministrash të dënuar për lidhje me mafien që rrezikon sovranitetin e vendit, po i shperdor “non gratat” si zhurmues e propagandë për të mbuluar skandalet dhe vjedhjet qindra milionëshe, prandaj unë e shpall veten time non grata!

Shqipëria e Edi Ramës funksionon si një shtet mafioz, uzurpim, përvetësim, korrupsion, larje parash e komprometim. Sa i butë po tregohet Edi Rama si amnistues i djemve të Londrës, ndërsa nga Londra çuditërisht vjen non grata me adresë të gabuar.

I’m non grata! Pa e shkelur ligjin kurrë!

Në fakt do të kisha shumë dëshirë të merrja avionin e të zbrisja direkt në Aeroportin John F.Kennedy apo Ronald Reagan, por jo, preferoj të jem non-grata deri sa Shqipëria ime të ketë një shtet të dalë nga vota e lirë dhe e ndershme, sepse vendi i shqiponjave është duke dhënë shpirt nga antishteti, antiligji, ekonomia e zezë, e personifikuar me emrin e Edi Ramës dhe reve të zeza që fshihen pas tij.

Read Previous

Meta takon Haradinajn

Read Next

Një ditë para largimit nga detyra meta dekoron Dritëro Agollin