I dashur Akt1vist/e

Nga Hysni Gurra

I dashur, ti je një nëpunës shteti që paguhesh nga taksat e mia për të më shërbyer mua si qytetar në bashki e administratë publike.

Ti mund të jesh një njeri shumë i mirë, një familjar i devotshëm.
Ti mund të jesh një njeri i ndershëm në punën që bën.

Po ti mund të jesh edhe hajdut e maskara.
Ti mund të jesh një anëtar i flaktë i Partisë Socialiste, por ti mund të jesh edhe një i pa parti.

Në të gjitha rastet, ajo që dua të them është se, po më shpërdoron paratë e taksave. Unë të paguaj t’i shërbesh shetit dhe nëpërmjet tij edhe mua si qytetar, ti i shërben KM apo kryebashkiakut apo shefit cilido qoftë.

Zonjë/Zotëri, kjo është e pa drejtë.

Po përdoresh si kavie, po përdoresh si kamikaz për shefat e tu. Edhe ç’shefa, shefa që notojnë në luks, korrupsion e pa aftësi.

Si është e mundur që, përveçse më shpenzon taksat e mia për të bërë “like”, “share”, “koment” në Facebook e Instagram të shefave të tu, pranon edhe të fyesh veten?

Të shesësh ndërgjegjen, nderin dhe mendjen tënde në këmbim të një rroge është një trup i madh.

Nëse je me fëmijë, duhet të të vijë turp nga vetja se çfarë babai apo nëne je dhe çfarë shembulli po u le fëmijëve të tu.
Nëse je beqar/e duhet të të vijë turp nga prindërit e tu. Të kanë rritur me njëmijë e një halle dhe ti shkon e bëhesh akt1vist e patronazhist i një skuadre mafioze.

Ata që të bëjnë ty akt1vist e patronazhist nuk janë socialistë, nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste, që ty të të flejë ndërgjegja i/e qetë se po i shërben ideologjisë tënde politike, ata janë një grup mafioz që të kanë uzurpuar ty partinë e mua Shqipërinë.

Thirrini mendjes se me shëbimin tuaj, me vetëdije apo pa vetëdije, me ndërgjegje apo pa ndërgjegje po shkatërroni një komb të tërë.

Nuk është më halli vetëm te paratë tona që i shpërdoroni, ju po shkatërroni ëndrrën e të rinjve për të jetuar në këtë vend. Nëse vazhdoni kështu, një ditë, edhe për ju vetë, fëmijët e të afërmit tuaj, ky vend do të bëhet përfundimisht i pa jetueshëm.

Read Previous

Skandali McGonigal/ Kuvendi pranon kërkesën e opozitës për mocionin me debat

Read Next

Tërmeti në Turqi dhe Siri/ Mbi 6300 viktima, 30 mijë të plagosur